Qendrat e Vizitorëve të Parqeve Kombëtare janë kontakti i parë i vizitorëve me zonat e mbrojtura mjedisore. Për të mbështetur mirëfunksionimin e këtyre qendrave, 10 ekspertë të rinj janë angazhuar nga UNDP në Parqet Kombëtare të Dajtit, Llogarasë, Divjakë-Karavastasë dhe Parkut Detar Karaburun Sazan.
Në kuadër të këtij projekti, UNDP në bashkëpunim me AKZM, organizuan një takim të përbashkët mes ekspertëve të rinj dhe specialistëve nga AdZM e të gjithë vendit. Me synimin e përbashkët se nëpërmjet shkëmbimit të eksperiencave, mësimeve, rekomandimeve, të mund të arrijmë të realizojmë një punë sa më cilësore në menaxhimin e Qendrave të Vizitorëve. Parku Kombëtar i Dajtit gjithashtu u përzgjodh si vendi për të parë nga afër punën e realizuar në terren.
Mbështetja e qendrave të vizitorëve realizohet në kuadër të projektit të financuar nga Global Environment Facility “Përmirësimi i qëndrueshmërisë financiare të rrjetit të Zonave të Mbrojtura në Shqipëri”, i zbatuar në bashkëpunim me Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit dhe Agjencinë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura.