Në kuadër të programit “Të Rinjtë për Natyrën”, Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura (AKZM) mori pjesë në takimin e organizuar nga Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) në Tiranë, me pjesëmarrjen e 28 profesionistëve të rinj të punësuar pranë administratave të zonave të mbrojtura, në kuadër të projekteve “EU4Nature” dhe “Menaxhimi i Ligatinave”. Takimi u fokusua në shkëmbimin e përvojave, forcimin e kapaciteteve profesionale, monitorimin e biodiversitetit, rrjetin Natura 2000 dhe menaxhimin e qëndrueshëm të zonave të mbrojtura. Gjatë aktivitetit, specialistët e Edukimit Mjedisor pranë AKZM prezantuan nismën “Klasa e Gjelbër”, e cila synon të afrojë fëmijët dhe të rinjtë me natyrën përmes edukimit, eksplorimit dhe aktiviteteve praktike.
Një vëmendje e veçantë iu kushtua prezantimit të “Korpusit të Gjelbër Shqiptar”, një iniciativë e Ministrisë së Mjedisit, e drejtuar nga AKZM, që synon angazhimin e të rinjve në edukimin mjedisor, formimin profesional, turizmin e qëndrueshëm dhe ndërhyrjet konkrete në territor. Në kuadër të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian dhe përmbushjes së detyrimeve të Kapitullit 27 – Mjedisi dhe Ndryshimet Klimatike, programi synon të kontribuojë në përgatitjen e një brezi të ri profesionistësh që njohin territorin, kuptojnë sfidat mjedisore dhe janë të aftë të sjellin ide e zgjidhje inovative në përputhje me standardet evropiane.
Në vijim, u prezantua edhe Kubi “InNature”, një hapësirë që ndërthur edukimin, kreativitetin dhe ndërveprimin me natyrën. Së shpejti, Kubi pranë Piramidës së Tiranës do të zgjerohet me një hapësirë të re për aktivitete edukative dhe krijuese. Nga edukimi në shkolla te formimi profesional dhe angazhimi në territor, këto iniciativa synojnë të fuqizojnë rolin e brezit të ri si pjesëmarrës aktiv në mbrojtjen e biodiversitetit, menaxhimin e qëndrueshëm të pasurive natyrore dhe të ardhmen evropiane të Shqipërisë.
Projekti “EU4Nature” financohet nga Bashkimi Evropian dhe Suedia dhe zbatohet nga UNDP dhe Agjencia Italiane për Bashkëpunim dhe Zhvillim (AICS), në bashkëpunim me Ministrinë e Mjedisit dhe Agjencinë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura. Projekti “Menaxhimi i Ligatinave” financohet nga Fondi Global për Mjedisin (GEF) dhe zbatohet nga UNDP, në bashkëpunim me Ministrinë e Mjedisit.