E shpallur dhe miratuar nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara, në vitin 1994, Konventa për Luftën kundër Shkretëtirëzimit, është marrëveshja ndërkombëtare për mjedisin dhe menaxhimin e qëndrueshëm të tokës. Shqipëria e ka ratifikuar Konventën në vitin 2000. Dita në të cilën kremtohet çdo vit lufta kundër shkretëtirëzimit dhe thatësirës, është data 17 qershor. Përmes ndërgjegjësimit dhe nismave konkrete, promovohet ruajtja e qëndrueshmërisë së tokës, duke ndjekur praktikat më të mira menaxhuese.
Kontributi i AKZM-së, ndërmjet Administratave Rajonale të Zonave të Mbrojtura, përmes mbjelljes së pemëve në zonat e mbrojtura mjedisore, synon të vitalizojë mjediset, nisma të cilat ndihmojnë në luftën kundër thatësirës. AKZM në vitin 2022 e ka shtuar sipërfaqen e pyllëzuar me 396.84ha. Përgjatë dy viteve të fundit janë mbjellë 69,990 fidane, ndër to pishë e zezë, pishë e egër, pishë e butë, akacie, frashër, dushk dhe ah. Tjetër kontribut i vyer i AdZM-ve është monitorimi dhe menaxhimi i sipërfaqeve ujore dhe detare prej 67,642.54ha.
Shkretëtirëzimi dhe thatësirat janë kërcënime madhore për mjedisin dhe jetesën e miliona njerëzve në mbarë botën; veçanërisht të atyre që jetojnë në zona gjysmë ose tërësisht të thata. Kjo ditë shërben si një këmbanë, e cila na kujton nevojën urgjente për të ndërmarrë veprime, për mbrojtjen e planetit dhe burimeve të tij, duke siguruar qëndrueshmëri.
Për të kremtuar Ditën kundër Shkretëtirëzimit dhe Thatësirës në nivel lokal dhe qendror mund të organizohen aktivitete apo nisma të ndryshme nga institucionet shtetërore dhe publiku i gjerë. Marrja e informacionit, dijesimi i vetes dhe komunitetit është një formë, e cila ndihmon të njohim gjendjen në vendin tonë, rajonet përreth apo edhe më gjerë. Ruajtja dhe përdorimi i ujit në mënyrë të përgjegjshme, trajtimi i ujërave të ndotur, shkripëzimi i ujit janë veprime të cilat ndihmojnë për të shmangur e ndalur shkretëtirëzimin. Për mostharjen e territoreve të ndryshme, është e nevojshme mbjellja e pemëve, proces i cili ndihmon në qëndrueshmërinë e dheut, parandalon erozionin, krijon peizazhe të gjelbër; hijet e të cilëve mund të shërbjenë si vendstrehimi apo çlodhjeje për kafshët. Forma të tjera janë zhvillimi i përgjegjshëm dhe i kontrolluar të bujqësisë.
Vendi ynë dallohet për pasuri të shumëllojshme ujore, pasuri e cila lidhet me kushtet klimatike, relievin dhe përbërjen gjeologjjike. Pasuritë ujore shërbejnë për plotësimin e nevojave në fusha të ndryshme, si dhe shërbejnë në të njëjtën kohë si një potencial shumë i mirë për zhvillimin e turizmit në zonat detare dhe ato malore. Në pasuritë ujore të vendit, sipërfaqja e ujit të ëmbël llogaritet të jetë 36,276.14 ha dhe sipërfaqe ujore detare 31,366.4 ha. Edhe pse vendi ynë, me rezerva të mëdha ujore, nuk ndikohet shumë nga shkretëtirëzimi apo thatësirat, sërisht ky është një proces që mund të prekë, rajonet e vendeve përreth, pasoja të cilat indirekt ndikojnë edhe tek ne. Mendohet se ndryshimet klimatike do të rrisin frekuencën dhe ashpërsinë e thatësirave në shumë rajone të botës. Sipas Kombeve të Bashkuara mbi 1 milion njerëz në mbarë botën janë të prekshëm nga mungesat e ujit dhe ushqimit. Efektet e thatësirave mund të ndihen për vite me radhë, pasi ato kanë përfunduar, duke vështirësuar përmirësimin e rrjeteve të ujësjellësave dhe rigjenerimin e ngadaltë të ekosistemeve. Po ashtu, thatësirat ndikojnë në rritjen e rrezikshmërisë për jetën e egër dhe shpërndarjen më të shpejtë të zjarrit në zonat e pyjeve dhe kullotave.