Më 18 shtator, në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Pastrimit të Bregdetit, Administratat Rajonale të Zonave të Mbrojtura (AdZM) zhvilluan aksione pastrimi në Velipojë, Fllakë, Divjakë, Vain dhe Zvërnec. Në këto aktivitete u përfshinë nxënës, institucione partnere dhe banorë të komunitetit lokal.
Në bregdetin e Velipojës, pjesë e Peizazhit Ujor Tokësor të Mbrojtur “Lumi Buna–Velipojë”, u zhvillua një aktivitet pastrimi dhe ndërgjegjësimi së bashku me nxënësit e shkollës 9-vjeçare “Gjergj Vat Martini”. AdZM Durrës, në bashkëpunim me punonjës të Agjencisë Kombëtare të Bregdetit, pastroi zonën e Fllakës, në peizazhin e mbrojtur “Bisht-Kamëz”.
Në Plazhin e Divjakës, pjesë e Parkut Kombëtar “Divjakë–Karavasta”, stafi i AdZM Fier bashkëpunoi me Bashkinë Divjakë dhe Agjencinë e Menaxhimit të Burimeve Ujore (AMBU) për largimin e mbetjeve nga hapësirat bregdetare. AdZM Lezhë zhvilloi një aksion në grykëderdhjen e lumit Drin dhe përgjatë plazhit të Vainit.
Në plazhin e Zvërnecit, brenda Peizazhit të Mbrojtur “Pishë Poro–Nartë”, AdZM Vlorë u angazhua në pastrim së bashku me Agjencinë e Administrimit të Basenit Ujor Vjosë dhe banorë të komunitetit lokal.
Këto aksione ndihmojnë në ruajtjen e ekosistemeve dhe vlerave natyrore të bregdetit, duke nxitur njëkohësisht përgjegjësinë e përbashkët për pastërtinë e tij. Kujdesi për bregdetin kërkon veprim të vazhdueshëm nga institucionet, komunitetet dhe çdo vizitor.