Bashkëpunim dhe angazhim qytetar për pastrimin dhe mbrojtjen e maleve të Shqipërisë

Nisma kombëtare “Male të Pastra”, e organizuar nga Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura (AKZM) në bashkëpunim me Administratat Rajonale të Zonave të Mbrojtura (AdZM) në të gjithë vendin, u zhvillua këtë vit në 11 vendndodhje të ndryshme, në parqet kombëtare dhe natyrore të Shqipërisë.

Nisma synoi mobilizimin e stafit të zonave të mbrojtura dhe të komunitetit për aksione konkrete pastrimi dhe mirëmbajtjeje, si dhe ndërgjegjësimin e publikut mbi rëndësinë e kujdesit të përditshëm ndaj hapësirave natyrore.

Në Parkun Kombëtar “Llogara”, AdZM Vlorë zhvilloi një aksion pastrimi përgjatë shtegut Qendra e Vizitorëve – Qafa e Thellë, të shoqëruar edhe me vendosjen e sinjalistikës vertikale për orientimin dhe sigurinë e vizitorëve. Në Parkun Natyror “Korab-Koritnik”, AdZM Kukës u angazhua në pastrimin e territorit për ruajtjen e peizazhit dhe vlerave natyrore të zonës, ndërsa në Parkun Kombëtar “Mali i Tomorrit”, AdZM Berat, në bashkëpunim me Agjencinë Rajonale të Mjedisit dhe Bashkinë Skrapar, kreu pastrimin e mbetjeve të lëna pas përfundimit të pelegrinazhit vjetor.

Aktivitete të ngjashme u zhvilluan edhe në Parkun Natyror “Qafështamë”, në “Tre Çezmat” të Parkut Kombëtar “Shebenik” nga AdZM Elbasan, si dhe përgjatë shtegut :Qendra e Vizitorëve – Gryka e Tujanit” në Parkun Kombëtar “Mali i Dajtit”, ku AdZM Tiranë bashkëpunoi me Agjencinë Kombëtare të Ekonomisë së Mbetjeve (AKEM) dhe Njësinë Administrative Dajt.

Përmes këtyre aksioneve, AKZM dhe strukturat e saj rajonale riafirmojnë angazhimin për ruajtjen e pastërtisë dhe integritetit të zonave të mbrojtura, duke kujtuar se çdo aktivitet në natyrë duhet të shoqërohet me përgjegjësi dhe respect, pa lënë pas asnjë gjurmë mbetjesh. “Male të Pastra” mbetet një traditë që bashkon institucionet, komunitetet dhe vizitorët rreth një qëllimi të përbashkët: një natyrë më e pastër dhe më e mbrojtur për brezat e ardhshëm.

Previous NJOFTIM PËR VEND TË LIRË PUNE

NA NDIQNI

Facebook: Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura
Instagram: @akzmalbania
Twitter: @akzmalbania

NA KONTAKTONI

E-mail: Info@akzm.gov.al
Adresa: Bulevardi “Dëshmoret e Kombit” Nr.1,1001,Tirane
Orari
E hënë – E enjte 08:00 – 16:30
E Premte 08:00 – 14:00

MINISTRIA E TURIZMIT DHE E MJEDISIT

ZBULO MË SHUMË PËR AKZM