Me rastin e 9-vjetorit të Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura, u zhvilluan një sërë aktivitetesh të organizuara nga 12 Drejtoritë Rajonale të Zonave të Mbrojtura, përgjatë periudhës 1-9 shkurt. Aktivitetet kishin në fokus: eksplorimin e natyrës nëpërmjet shtigjeve të vizituara, njohjen me vlerat dhe rëndësinë e Zonave të Mbrojtura nëpërmjet orëve mjedisore të zhvilluara me shkolla në mbarë vendin, praktikat studimore nëpërmjet ekspeditave në terren të realizuar nga vetë studentët e universiteteve, ndërgjegjësimin e ruajtjes dhe kujdesit ndaj natyrës nëpërmjet aksioneve të pyllëzimit, njohjen me protokollet e monitorimit dhe studimit të faunës së egër. Pjesë integrale e aktiviteteve të organizuara ishte edhe aktiviteti kulturor në kuadër të ditës së shpalljes së Parkut Kombëtar “Prespë”, ku u realizua një ekspozitë me piktura nga fëmijët, këngë e valle tradicionale të zonës dhe vizita në Parkun Kombëtar “Prespë”; të pranishmit u njohën nga afër me pasuritë natyrore të zonës.