Këto ditë në Porto Palermo stafi i Administrata Rajonale e Zonave të Mbrojtura, Vlorë po vendos në det, për herë të parë, “20 shkëmbinj artificialë nënujorë” në kuadër të projektit NaturAlbania, me objektivin për të favorizuar mbrojtjen e Posidonia oceanica dhe ripopullimin me peshq të zonës së mbrojtur të Porto Palermos.
Por çfarë janë shkëmbinjtë artificialë nënujor?
Bëhet fjalë për elementë në formë kambanash ndërtuar me çemento me përputhshmëri të lartë mjedisore, me pH të ulur deri në vlerë të përafërt me atë të detit, që u lejon të integrohen në ekosistemin detar. “Shkëmbinjtë artificialë nënujor”, kanë zgavra nga brenda dhe vrima në pjesët anësore, çka i bën ato të paraqesin kushte të favorshme për zhvillimin e florës dhe faunës detare, përmes krijimit të strehës për speciet e peshqve që qendrojnë aty.
Për shkak të karakteristikave të tyre të veçanta, shkëmbinjtë artificialë nënujor përdoren për favorizimin e ripopullimit me peshq dhe ruajtjen e biodiversitetit, mbrojtjen e rrymave artificiale dhe ndërtimin e barrierave për mbrojtjen dhe rindërtimin e plazheve.
Aktiviteti është financuar nga AICS Tirana dhe është bërë i mundur falë punës së GeoScape, pjesë e Università di Genova.