Vijojmë me Tiranën turin e takimeve me grupet këshillimore teknike në kuadër të nisjes së procesit të punës nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit dhe Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura, për përgatitjen e dosjes teknike të nominimit të Luginës së Vjosës, Rezervë Biosfere. Përgatitja e dosjes teknike do të ndjekë një proces rigoroz dhe të standardizuar nga UNESCO dhe programi “Njeriu dhe Biosfera”, që kërkon përforcimin dhe përdorimin e njohurive, duke përcaktuar së bashku modelin e mbrojtjes së kësaj zone.
Së bashku me përfaqësues nga Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, tre Prefektura, Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore, Agjencia për Zhvillim Bujqësor dhe Rural, Agjencia Kombëtare e Mjedisit, Agjencia Kombëtare e Turizmit dhe me shumë institucione të tjera prezantuam dhe diskutuam mbi fazat e procesit të përfshirjes së Parkut Kombëtar “Lumi Vjosa” në trashëgiminë botërore të UNESCO-s.