Nisma më e re e AKZM-së, “Tryeza e Gjelbër”

“Roli i sigurisë dhe mbrojtjes në imazhin e një destinacioni turistik”

“Tryeza e Gjelbër” nisma më e re e Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura, tashmë ka nisur rrugëtimin e saj. Në datën 30 qershor u realizua takimi i parë, pranë mjediseve të “Europe House”. Në tryezë mirëpritëm miqtë tanë, me dëshirën dhe pasionin e përbashkët, për të qenë pranë njeri-tjetrit dhe shkëmbyer eksperiencat tona në sektorin e turizmit në përgjithësi dhe turizmit të gjelbër në veçanti. Lektorë, donatorë dhe bashkëpunëtorë, specialistë të fushës, përfaqësues organizatash, dashamirës të natyrës dhe sporteve të ndryshme, guida turistike e shumë të tjerë, u bënë pjesë e nismës sonë më të re. Mes miqëve të ftuar dhe panelit të përzgjedhur u zhvillua dialog ndërveprues, përmes të cilit u theksua roli i rëndësishëm i sigurisë dhe mbrojtjes së imazhit të një destinacioni turistik. Tashmë Shqipëria renditet si një ndër destinacionet e preferuara për vizitorët dhe turistët e huaj evropian, por jo vetëm. Siguria dhe mbrojtja janë dy elementë shumë të rëndësishëm përsa i përket përzgjedhjes së një destinacioni turistik, zhvillimit dhe qëndrueshmërisë së tij.

Sipas studimit “Mbrojtja dhe siguria” të realizuar nga lektorë të Universitetit “Aleksandër Moisiu”, vendi edhe pse një destinacion i ri turistik, ka ecur shumë mirë në krahasim me vendet e rajonit, duke rritur konkurencën me vendet shumë të zhvilluara turistike, si Italia apo Greqia. Po sipas këtij studimi rezulton së në rritjen e imazhit turistik ka ndihmuar hartimi i masave anticovid si dhe përfshirja e qeverisë shqiptare drejtëpërsëdrejti në marketingun e turizmit. Zonat e Mbrojtura në vend janë një kontribues shumë i rëndësishëm, si atraksioneve turistike për të turistët vendas dhe ata të huaj, ndaj drejtuesit dhe menaxhuesit e këtyre mjediseve duhet të trajtojnë çështjet prioritare të rrezikut që lidhen me mjedisin, infrastrukturën, komunikimin mes palëve, karakteristikat e vizitorëve dhe menaxhimin e programit të vizitave në këto zona. Po ashtu ata duhet të jenë të kujdesshëm në planifikimin e menaxhimit të rrezikut të vizitorëve dhe sigurinë publike për zonën e tyre të përgjegjësisë dhe të mbajnë të gatshme mjetet dhe personelin e shërbimit të kërkim-shpëtimit, duke u kordinuar me institucionin e Emergjencave Civile, operatorë turistikë, guida lokale dhe banorë të zonës.

Nga ana tjetër vizitorët duhet të njohin rrezikun e mundshëm në aktivitetet e tyre, duke qenë të vetëdijshëm për aftësitë fizike që duhen për të marrë pjesë në vizitat apo sportet që zhvillohen në natyrë, duke ju përmbajtur rregulloreve, broshurave, tabelave informative dhe barrierave. Që në vitin 1990 Federata Ndërkombëtare e Operatorëve Turistik (IFTO) publikoi për herë të parë manuale sigurie për përfaqësues të operatorëve turistikë dhe hotelierë. Këto manuale morën formën e pyetësorëve për aspektet kryesore të sigurisë së shëndetit, sigurisë në hotele dhe sigurisë në parqet natyrore.

Në studimin e tyre lektorët shqiptarë propozojnë hartimin e hartave në shërbim të përmbushjes së indeksit të sigurisë sipas zonave, duke forcuar njëkohësisht sistemet ekzistuese të sigurisë. Siguria dhe mbrojtja në turizëm rekomandohet të bëhet pjesë e agjendave të ardhshme në hartimin dhe drejtimin e politikave turistike ne nivel ekzekutiv, por edhe atë të edukimit në turizëm. Tryezat tona të bashkëbisedimit do të vazhdojnë edhe në muajt në vijim, përmes të të cilave dëshirojmë të vijmë më pranë jush, për të ndërmarrë së bashku nisma të reja në dobi të mjedisit, natyrës dhe turizmit të gjelbër në Shqipëri.

Previous Shebeniku kremton 15-të vite “Park Kombëtar”

NA NDIQNI

Facebook: Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura
Instagram: @akzmalbania
Twitter: @akzmalbania

NA KONTAKTONI

E-mail: Info@akzm.gov.al
Adresa: Bulevardi “Dëshmoret e Kombit” Nr.1,1001,Tirane
Orari
E hënë – E enjte 08:00 – 16:30
E Premte 08:00 – 14:00

MINISTRIA E TURIZMIT DHE E MJEDISIT

ZBULO MË SHUMË PËR AKZM