“Tryeza e gjelbër” e muajit gusht, udhëtoi drejt ishullit të Sazanit. U takuam me miqtë tanë, nga institucione, donatorë, biznese detare, shoqëria civile dhe media, në mjediset e një anijeje, për të folur mbi rolin dhe peshën që zënë zonat e mbrojtura detare në ekonominë blu.
Vija jonë bregdetare është një prej zonave më të rëndësishme në vend, falë vlerave natyrore, biodiversitetit, trashëgimisë kulturore, historike, folkloristike dhe gastronomike. Përherë e më shumë turizmi detar, një prej sektorëve vital në ekonominë e vendit, kontribuon në punësim, rritjen e kapaciteteve profesionale, kulturore dhe sociale, duke aplikuar modele qëndrueshmërie dhe gjithëpërfshirjeje, të cilët janë parakushtet kryesore në zhvillimin e ekonomisë blu.
Ekonomia blu, ndonëse një fushë e re në vend, aktorë të ndryshëm po zhillojnë kapacitetet e tyre për zhvillimin e saj, në rajonet detare dhe bregdetare. Ky vit, sipas statistikave zyrtare, rezulton të jetë shumë i suksesshëm, përsa i përket numrit të shtuar të turistëve, të moshave, gjinive dhe kombësive të ndryshme. Rritja e tyre, kërkon në të njëjtën kohë shtimin, përmirësimin e kapaciteteve menaxhuese, infrastrukturën e nevojshme dhe cilësore për ofrimin e shërbimeve. Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura, së bashku me Administratat Rajonale, përmes kapaciteteve njerëzore dhe infrastrukturës që ka në dispozicion bën çdo përpjekje për monitorimin e zonave të mbrojtura përgjatë sezonit turistik, në të gjithë territorin e vendit.
Përgjatë lundrimit me anije, nga pjesëmarrësit erdhën rekomandime shumë të vlefshme, të cilat ndihmojnë në përmirësimin e mëtejshëm të punës në ruajtjen dhe mbrojtjen e zonave të mbrojtura dhe zhvillimit të ekonomisë blu në to. Edhe pse moti ishte shumë i nxehtë, në mesditë, nën kujdesin e Administratës Rajonale të Zonave të Mbrojtura Vlorë, miqtë përshkuan shtegun natyror “Qyteti fantazmë”. Quhet i tillë, pasi në të nuk jetojnë më njerëz që prej më shumë së 25 vjetësh. Ishulli i Sazanit ka qenë bazë ushtarake e banuar. Në të ka pasur banesa funksionale, shkollë, kinema, spital, central elektrik dhe çdo infrastrukturë tjetër të nevojshme. Pas ndalimit të anijes në ishullin e Sazanit, vizitorët mund të ndjekin shtegun, me gjatësi 3.2 km, i cili kalon përmes strukturave, tashmë të braktisura. Turistët nëse shkojnë në Sazan, do të shijojnë një muze natyror, ecin përgjatë shtegut, mund të zhyten dhe shijojnë ujin e kaltër dhe të kristaltë. Ata këshillohen që të respektojnë çdo udhëzim dhe këshillë të ofruar nga punonjësit e AdZM-së, si dhe respektimit të sinjalistikës që gjendet në zonë.