Në kuadër të Konferencës së Kombeve të Bashkuara për Ndryshimet Klimatike (COP31), e cila u zhvillua në Antalia të Turqisë, Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura (AKZM) u përfaqësua nga Drejtoresha e Përgjithshme, znj. Juxhina Spahiu. Ajo mori pjesë në disa panele të nivelit të lartë, si në Pavijonin e Shqipërisë ashtu edhe në pavijonet e vendeve partnere. Diskutimet u fokusuan te mbrojtja e biodiversitetit, zgjidhjet e bazuara në natyrë, restaurimi i ekosistemeve dhe forcimi i bashkëpunimit ndërkombëtar për reziliencën ndaj ndryshimeve klimatike.
Në ditën e tetë të konferencës, në Pavijonin e Shqipërisë u zhvillua paneli i nivelit të lartë “Natyra pa Kufij: Shqipëria, prej malit në det”. Paneli theksoi rëndësinë e lidhjes mes peizazheve, ekosistemeve dhe njerëzve për të ndërtuar një të ardhme pozitive për natyrën. Krahas Drejtoreshës së AKZM-së, në panel morën pjesë Ministri i Mjedisit, z. Sofjan Jaupaj, Drejtoresha e Përgjithshme e Unionit Ndërkombëtar për Ruajtjen e Natyrës (IUCN), znj. Grethel Aguilar, Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë Italiane për Bashkëpunim dhe Zhvillim (AICS), z.Marco R. Rusconi, dhe përfaqësuesja e UNDP Albania, znj. Elvita Kabashi.
Drejtoresha e AKZM-së ishte gjithashtu pjesë e panelit “Zgjidhje të Bazuara në Natyrë dhe Menaxhimi i Qëndrueshëm i Pyjeve për Reziliencën Klimatike në Ballkanin Perëndimor”, në Pavijonin e Italisë. Aty ajo theksoi se pyjet dhe zonat e mbrojtura nuk duhen parë vetëm si burime natyrore për t’u administruar. Ato janë edhe infrastrukturë thelbësore për një të ardhme reziliente ndaj ndryshimeve klimatike.
Një nga momentet më të rëndësishme për Shqipërinë ndodhi në Pavijonin e Etiopisë, vendit që do të mbajë presidencën e COP32. Atje, gjatë aktivitetit të nivelit të lartë “The Future is Nature”, u njoftua se Shqipëria është partnere e re e nismës ndërkombëtare ENACT. Kjo nismë synon të përshpejtojë veprimin klimatik përmes zgjidhjeve të bazuara në natyrë. Anëtarësimi në ENACT zgjeron bashkëpunimin ndërkombëtar të vendit për mbrojtjen e biodiversitetit, restaurimin e ekosistemeve dhe përshtatjen e komuniteteve ndaj pasojave të ndryshimeve klimatike.
Në Pavijonin e Shqipërisë u zhvillua edhe paneli “Bashkëpunimi me BE-në: Natyra dhe Pyjet për Reziliencën Klimatike”, në kuadër të projekteve “EU4Nature” dhe “EU4Forests”. Paneli u hap me fjalën përshëndetëse të Ministrit të Mjedisit, z. Sofjan Jaupaj. Në diskutim morën pjesë Drejtoresha e Përgjithshme e AKZM-së, znj. Juxhina Spahiu, Drejtoresha e Përgjithshme e AKP-së, znj. Rudina Hoxha, z. Giovanni Timirello nga AICS-Albania dhe znj. Violeta Zuna nga UNDP-Albania. Të pranishmit theksuan rëndësinë e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe ndërkombëtar për mbrojtjen e natyrës, restaurimin e pyjeve dhe forcimin e qëndrueshmërisë ndaj ndryshimeve klimatike.
Gjatë ditës tematike kushtuar Oqeaneve, Deteve, Natyrës dhe Përdorimit të Tokës, vëmendja u zhvendos te ekosistemet detare. U zhvillua paneli “Nën Sipërfaqe: Porto Palermo, Restaurimi i Shtratit Detar dhe Posidonia”, me pjesëmarrjen e znj. Spahiu, z. Giovanni Timirello nga AICS, prof. Luigi Musco nga Universiteti i Salentos dhe z. Enrico Barbone nga ARPA Puglia. Diskutimet u përqendruan te restaurimi i ekosistemeve detare, mbrojtja e biodiversitetit nënujor dhe bashkëpunimi shkencor. Në fokus ishin livadhet e Posidonia oceanica në Parkun Natyror të Porto Palermos, të njohura si “mushkëritë e detit”: ato prodhojnë oksigjen, thithin karbon dhe strehojnë jetë të pasur detare.
Në të njëjtën frymë, AKZM prezantoi edhe Parkun Kombëtar Detar “Karaburun–Sazan”, të vetmin park kombëtar detar në Shqipëri. Parku ka një sipërfaqe prej 12,437.7 hektarësh dhe shtrihet përgjatë Gadishullit të Karaburunit dhe rreth Ishullit të Sazanit. Shpellat nënujore, brigjet shkëmbore dhe 36 speciet detare me rëndësi kombëtare, rajonale dhe globale e bëjnë atë një pjesë të rëndësishme të trashëgimisë natyrore të vendit.
Nga malet te deti dhe nga pyjet te ekosistemet nënujore, pjesëmarrja e AKZM-së në COP31 tregoi angazhimin e Shqipërisë për ta parë mbrojtjen e natyrës dhe veprimin klimatik si dy procese që ecin së bashku. Përmes bashkëpunimit me partnerët ndërkombëtarë dhe menaxhimit të qëndrueshëm të zonave të mbrojtura, AKZM vijon punën për ruajtjen e biodiversitetit dhe ndërtimin e një të ardhmeje reziliente për natyrën dhe komunitetet.
Natyra nuk njeh kufij, ashtu si edhe përpjekjet tona për ta mbrojtur atë.