Për të shtatin vit radhazi, kemi zhvilluar Censusin e Dallëndyshes së Detit Faqebardhë (Chlidonias hybrida), në brigjet e Rezervatit Natyror të Menaxhuar “Liqeni i Shkodrës”, konkretisht në Shegan, Flakë, Kamicë dhe Bregun e Rërës.
Për këtë vit kemi numëruar rreth 830 individë, që përkthehen në 415 çifte, të cilët janë në prag të folenizimit. Vihet re se, nga viti në vit, ka një rritje të numrit të individëve të regjistruar.
Vlen të theksohet se Liqeni i Shkodrës është i vetmi mjedis në vendin tonë ku kjo specie folenizon. Dallëndyshja e detit faqebardhë folenizon në mjedise ujore, mbi zambakë, në një thellësi prej rreth 1 metri.