Me rastin e 9-vjetorit të Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura, u zhvilluan një sërë aktivitetesh të organizuara nga 12 Drejtoritë Rajonale të Zonave të Mbrojtura, përgjatë periudhës 1-9 shkurt.
Rigjenerim dhe pyllëzim të Zonave të Mbrojtura
6 shkurt – Rikthehemi sërish në Pishë Poro, aty ku stafi i AdZM-së Fier, së bashku me stafin e Prefekturës Fier dhe nxënës të shkollës së mesme, bënë të mundur mbjelljen e rreth 200 fidanëve të llojit pishë mesdhetare, një dhuratë e cila vjen nga PPNEA. Ju ftojmë të bëheni pjesë e aksioneve të mbjelljeve, duke kontribuar me fidanë, apo duke u përfshirë përgjatë procesit të mbjelljes. Viti i pyjeve do të shërbejë për ndërgjegjësim, për një mundësi për të gjithë ata që duan të gjelbërojnë dhe pyllëzojnë Shqipërinë.
7 shkurt – AdZM Shkodër në bashkëpunim me CNVP, Bashkinë Shkodër, Zyrën e Basenit Ujor Drin – Bunë, Shkollën e Mesme Pyjore “Kolë Margjini” dhe Shoqërinë Civile zhvilluan një aksion pyllëzimi me fidanë të llojit Ilqe(Querqus ilex) në zonën e Taraboshit.
8 shkurt – Rreth 100 fidanë të llojit pishë e zezë u mbollën nga stafi i AdZM Berat në zonën e Ujanikut, pjesë e Parkut Kombëtar “Mali i Tomorrit”.
Aksionet e mbjelljeve vijojnë në të gjithë vendin. AdZM Tiranë zgjodhi zonat e eroduara në Bastar Murrizë për mbjelljen e 500 fidanëve të llojit Pishë e zezë (Pinus nigra). Fidanët u mundësuan nga donatorë për Parkun Kombëtar të Dajtit.
9 shkurt – Përmbyllëm 9 ditë të pasura me plotë aktivitete të ndërmarra nga 12 Drejtoritë Rajonale të Zonave të Mbrojtura. AdZM Shkodër në bashkëpunim me Shkollën e Mesme Pyjore “Kolë Margjini” dhe me Federatën e Pyjeve dhe Kullotave Shkodër bëmë të mundur mbjelljen e 300 fidanë të llojeve pishë e egër (Pinus sylvestris dhe Ilqe (Querqus ilex) në zonën e Taraboshit, pjesë e Rezervatit Natyror të Menaxhuar “Liqeni i Shkodrës”.