9 vjetori i AKZM-së

Me rastin e 9-vjetorit të Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura, u zhvilluan një sërë aktivitetesh të organizuara nga 12 Drejtoritë Rajonale të Zonave të Mbrojtura, përgjatë periudhës 1-9 shkurt. Aktivitetet kishin në fokus: eksplorimin e natyrës nëpërmjet shtigjeve të vizituara, njohjen me vlerat dhe rëndësinë e Zonave të Mbrojtura nëpërmjet orëve mjedisore të zhvilluara me shkolla në mbarë vendin, praktikat studimore nëpërmjet ekspeditave në terren të realizuar nga vetë studentët e universiteteve, ndërgjegjësimin e ruajtjes dhe kujdesit ndaj natyrës nëpërmjet aksioneve të pyllëzimit, njohjen me protokollet e monitorimit dhe studimit të faunës së egër. Pjesë integrale e aktiviteteve të organizuara ishte edhe aktiviteti kulturor në kuadër të ditës së shpalljes së Parkut Kombëtar “Prespë”, ku u realizua një ekspozitë me piktura nga fëmijët, këngë e valle tradicionale të zonës dhe vizita në Parkun Kombëtar “Prespë”; të pranishmit u njohën nga afër me pasuritë natyrore të zonës.

 

Njohja me natyrën përmes edukimit

1 shkurt Aktivitetet e dedikuara ditëlindjes së 9-të të Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura i nisëm me ekologët e gjimnazit “Skënderbeu” në bashkëpunim me AdZM Durrës. Zhvilluam një vizitë në Parkun Natyror “Qafështamë”, për t’u njohur me vlerat natyrore dhe potencialet ekoturistike të zonës.

2 shkurt – Në ditën Botërore të Ligatinave, specialistët e AdZM Dibër realizuan një orë mjedisore me nxënësit e shkollës “Irfan Hajrullai”, të cilët u njohën me rëndësinë e ligatinave, vlerat dhe mënyrat se si mund t’i mbrojmë ato. Në përfundimin specialistët prezantuan një ligatinë përmes një ilustrimi, duke treguar llojet bimore dhe shtazore që jetojnë në të si dhe ndërveprimet mes tyre.

Po në këtë ditë specialistët e AdZM-së Tiranë së bashku me nxënësit e shkollës 9-vjeçare “Vilë-Bashtovë”, vizituan Parkun Kombëtar “Divjakë-Karavasta”. Kjo orë e hapur në natyrë shërbeu që nxënësit të njohin nga afër zonat ligatinore dhe të identifikojnë disa prej bimëve tipike të zonës.

3 shkurt – AdZM Shkodër ka realizuar një orë të hapur mjedisore me nxënësit e shkollës “Gjergj Vat Martini” pranë Qendrës së Vizitorëve në Velipojë. Nxënësit u njohën me vlerat dhe rëndësinë e zonave ligatinore. Ata realizuan dhe një vizitë në Kënetën e Gjerdafit.

4 shkurt – AdZM Lezhë mirëpriti në Qendrën e Vizitorëve në Vain, studentët e Universitetit Bujqësorë të Tiranës. Ato u njohën me vlerat e Rezervatit Natyror të Menaxhuar “Kune – Vain – Tale – Patok – Fushëkuqe – Ishëm” si dhe me protokollet e monitorimit të jetës së egër.

5 shkurt – AdZM Gjirokastër në bashkëpunim me shkollën 9-vjeçare “Nonda Bulka” zhvilloi një orë të hapur mjedisore në Qendrën e Vizitorëve, pjesë e Parkut Kombëtar “Bredhi i Hotovës-Dangëlli”. Nxënësit u njohën me vlerat e zonave të mbrojtura, detyrat e specialistëve të AdZM-së si edhe me protokollet e monitorimit të jetës së egër në park.

Studentë të Departamentit të Gjeografisë, Universiteti i Tiranës, realizuan një pilotim kërkimor në terren me temë: “Identifikimi Gjeohapësinor i patologjive të drurëve pyjorë në Parkun Kombëtar Divjakë-Karavasta, përmes përdorimit të teknologjisë GIS/GNSS/UAV”. Nën kujdesin e punonjësve të AdZM-së Fier dhe udhëheqjen e Msc. Dritan Lloci, Prof.Asoc.Dr. Sonila Sinjari, Msc. Ornela Hasrama, Msc. Endrit Sallja, u realizua projekti në terren, për identifikimin gjeohapësinor i patologjive të drurëve pyjore në Parqet Kombëtare Ligatinore, specifikisht Parku Kombëtar Divjakë-Karavasta.

6 shkurt – Në 9-vjetorin e krijimit të AKZM-së, punonjësit e AdZM-së Lezhë janë takuar menxënësit e shkollës profesionale “Kolin Gjoka”, pranë qendrës së vizitorëve. Nxënësit u njohën me biodiversitetin e larmishëm të Zonave të Mbrojtura, si dhe vizituan lagunën përgjatë ecjes me biçikleta. Mbjellja e 100 fidanëve të llojit pishë e butë përmbylli aktivitetin e përbashkët.

7 shkurt – Në kuadër të 9-vjetorit të themelimit të AKZM-së, AdZM Tiranë në bashkëpunim me gjimnazin “Sami Frashëri”organizoi një vizitë studimore në Muzeun e Shkencave të Natyrës. Nën drejtimin e ekspertëve të muzeut, nxënësit patën mundësinë të njihnin nga afër përmbajtjen dhe dimensionet e muzeut, llojet e faunës, dhe rolin e gjallesave në mjedis.

AdZM Vlorë në bashkëpunim me Njësinë e Integrimit European në Bashkinë Selenicë zhvilluan një orë mjedisore në Nartë. Nxënësit e shkollës “Mynyr Xhindi” u njohën nga afër me pasuritë natyrore të zonës.

8 shkurt – Studentët e vitit të 3-të të degës Inxhinieri Pyjore, të Fakulteti i Shkencave Pyjore, realizuan një orë praktike në Lagunën e Vainit. Përmes stafit të AdZM-së Lezhë ata u njohën me rëndësinë e zonave ligatinore dhe biodiversitetin, përgjatë vizitës në lagunë.

9 shkurt – Nxënësit e shkollës 9-vjeçare “1 Maji” vizituan Qendrën e Vizitorëve në Berat. Ata janë mirëpritur nga stafi AdZM Berat dhe, së bashku zhvilluan një orë mjedisore. Nxënësit u njohën me funksionet e institucionit tonë, zonat e mbrojtura dhe protokollet e monitorimit të jetës së egër.

AdZM Elbasan dhe nxënësit e Shkollës së Mesme të Bashkuar “Isak Alla”, pëmbyllën javën e aktiviteteve, duke eksploruar natyrën e mrekullueshme të Fushë Studës. Aktivitetet në natyrë janë zgjidhja më e bukur për të njohur të rinjtë më vlerat natyrore, ndaj mos nguroni të eksploroni në çdo stinë, zonat e mbrojtura

 

Kujtojmë 24-vjetorin e shpalljes së PK “Prespë”

3 shkurt – Në një atmosferë festive mjaft të ngrohtë, kremtuam 24 vjet nga Dita e Shpalljes së “Parkut Kombëtar Prespë”. Ditëlindja e Parkut u shoqërua me një sërë aktivitetesh festive, ndër to një ekspozitë me piktura “Prespa Ime” realizuar nga fëmijët, këngë e valle tradicionale të zonës, vizitë në kishat dhe muze, vizitë në ishullin e Maligradit si dhe degustim i ushqimeve tradicionale. Të pranishëm në festën ishin edhe Drejtoresha e AKZM-së znj. Daniel Pirushi, Drejtoresha e Zyrës së Agjencisë Italiane të Bashkëpunimit për Zhvillim (AICS) në Ballkanin Perëndimor Tiranë znj. Stefania Vizzaccaro, Kryetari i Bashkisë Pustec z. Pali Kolefski, Kryetari i Qarkut Korçë z. Erjon Nexhipi, si dhe organizata joqeveritare që japin një kontribut të çmuar në Parkun Kombëtar të Prespës. Një falënderim i veçantë shkon edhe për Prespa Ohrid Nature Trust – PONT, për bashkëpunimin dhe kontributin e dhënë për Parkun Kombëtar të Prespës.

 

Monitorimi i botës së egër përmes kamerave kurth

5 Shkurt – Monitorimi i jetës së egër përmes kamerave kurth është një proçes mjaft i rëndësishëm i punës sonë në terren. AdZM Berat ka berë të mundur montimin e kamerave kurth në Parkun Kombëtar “Mali i Tomorrit”.

Në kuadër të aktiviteteve me rastin e 9-vjetorit të krijimit të AKZM-së, AdZM Elbasan së bashku me AST realizoi shtegun “Liqeni i Draganit-Faqet e Lëmueme”. Turistë nga qytete të ndryshme iu bashkuan ftesës sonë dhe së bashku shijuam natyrën e mrekullueshme të Parkut Kombëtar “Shebenik”.

 

Rigjenerim dhe pyllëzim të Zonave të Mbrojtura

6 shkurt – Rikthehemi sërish në Pishë Poro, aty ku stafi i AdZM-së Fier, së bashku me stafin e Prefekturës Fier dhe nxënës të shkollës së mesme, bënë të mundur mbjelljen e rreth 200 fidanëve të llojit pishë mesdhetare, një dhuratë e cila vjen nga PPNEA. Ju ftojmë të bëheni pjesë e aksioneve të mbjelljeve, duke kontribuar me fidanë, apo duke u përfshirë përgjatë procesit të mbjelljes. Viti i pyjeve do të shërbejë për ndërgjegjësim, për një mundësi për të gjithë ata që duan të gjelbërojnë dhe pyllëzojnë Shqipërinë.

7 shkurt – AdZM Shkodër në bashkëpunim me CNVP, Bashkinë Shkodër, Zyrën e Basenit Ujor Drin – Bunë, Shkollën e Mesme Pyjore “Kolë Margjini” dhe Shoqërinë Civile zhvilluan një aksion pyllëzimi me fidanë të llojit Ilqe(Querqus ilex) në zonën e Taraboshit.

8 shkurt – Rreth 100 fidanë të llojit pishë e zezë u mbollën nga stafi i AdZM Berat në zonën e Ujanikut, pjesë e Parkut Kombëtar “Mali i Tomorrit”.

Aksionet e mbjelljeve vijojnë në të gjithë vendin. AdZM Tiranë zgjodhi zonat e eroduara në Bastar Murrizë për mbjelljen e 500 fidanëve të llojit Pishë e zezë (Pinus nigra). Fidanët u mundësuan nga donatorë për Parkun Kombëtar të Dajtit.

9 shkurt – Përmbyllëm 9 ditë të pasura me plotë aktivitete të ndërmarra nga 12 Drejtoritë Rajonale të Zonave të Mbrojtura. AdZM Shkodër në bashkëpunim me Shkollën e Mesme Pyjore “Kolë Margjini” dhe me Federatën e Pyjeve dhe Kullotave Shkodër bëmë të mundur mbjelljen e 300 fidanë të llojeve pishë e egër (Pinus sylvestris dhe Ilqe (Querqus ilex) në zonën e Taraboshit, pjesë e Rezervatit Natyror të Menaxhuar “Liqeni i Shkodrës”.

Previous Mjediset Ligatinore më të rëndësishme në vend

NA NDIQNI

Facebook: Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura
Instagram: @akzmalbania
Twitter: @akzmalbania

NA KONTAKTONI

E-mail: Info@akzm.gov.al
Adresa: Bulevardi “Dëshmoret e Kombit” Nr.1,1001,Tirane
Orari
E hënë – E enjte 08:00 – 16:30
E Premte 08:00 – 14:00

MINISTRIA E TURIZMIT DHE E MJEDISIT

ZBULO MË SHUMË PËR AKZM