“Tryeza e gjelbër” në rendjen e 2-të të saj, për muajin korrik qëndroi pranë mjediseve të Parkut Kombëtar “Mali i Dajtit”. Së bashku me Znj. Daniel Pirushi (Drejtor i Përgjithshëm i AKZM-së), Z. Robert Hysenllari (Drejtor i Gatishmërisë dhe Përgjegjës ndaj Emergjencave pranë AKMC-së), Z. Artur Kala (Drejtori i Përgjithshëm i AKP-së), Z. Leonidha Peri (Dekan i Fakultetit të Shkencave Pyjore, pranë UBT-së), Z. Doreid Petoshati (përfaqësues nga UNDP) donatorë, shoqëria civile dhe banorë të zonës, ndamë mendime, ide, projekte, eksperienca dhe nisma mbi fatkeqësitë natyrore në Zonat e Mbrojtura. Bashkëbisedimi mes panelistëve dhe miqve të ftuar u zhvillua rreth evidentimit, parandalimit e reagimit ndaj zjarreve dhe fatkeqësive të tjera natyrore në zonat e mbrojtura mjedisore; me përfshirjen dhe angazhimin e të gjithë aktorëve, duke vënë theksin në rëndësinë dhe rolin e madh që luajnë pyjet në zbutjen e ndryshimeve të klimës.
Kjo tryezë përkon me periudhën e verës, përgjatë së cilës rënia apo vënia e zjarreve me qëllim, është fenomen që kërkon vëmendjen dhe përgjegjësinë e institucioneve në nivel qendror, bashkiak dhe lokal. Në të gjithë territorin e vendit, AKMC është autoriteti koordinues, bashkërendues, drejtues, teknik, mbikëqyrës dhe kontrollues në fushën e zvogëlimit të riskut nga fatkeqësitë dhe mbrojtjen civile. Për shkak të karakteristikave gjeografike të Shqipërisë, fatkeqësitë natyrore, sidomos përmbytjet, zjarret, tërmetet, rrëshqitjet e tokës, si dhe bllokimet nga reshjet e borës, janë dukuri të zakonshme. Rreziku i fatkeqësive mjedisore është në rritje, për shkak të urbanizimit dhe industrializimit si dhe epidemive të ndryshme. Gjatë dy dekadave të fundit ndryshimet klimatike kanë ndikuar në ekonominë e vendit. Ndër fatkeqësitë kryesore kanë qenë përmbytjet dhe zjarret. Vendi goditet mesatarisht nga një fatkeqësi natyrore në vit, duke krijuar dëme në ekonomi dhe kapacitete njerëzore.
Vëmendja jonë për këtë temë do të vijojë dhe, të gjithë së bashku do të përmirësojmë procesin në mirëmenaxhimin e të gjitha emergjencave dhe problematikave, me të cilat haset fondi pyjor i territorit të Shqipërisë, i cili përbën rreth 65% të sipërfaqes. Përsa i përket menaxhimit të emergjencave civile, AKZM harton çdo vit planin operacional sipas udhëzimeve të “Strategjisë Kombëtare për zvogëlimin e riskut nga fatkeqësitë natyrore”. Çdo AdZM sipas tipologjisë së zonës së mbrojtur harton planin operacional të dedikur për zonën që ajo menaxhon. Gjithashtu, ky plan përpilohet mbi bazën e evidencave të një viti të mëparshëm dhe kushteve meterologjike, hidrologjike, gjeologjike dhe sizmiologjike.
Tryeza e gjelbër do të vazhdojë udhëtimin e saj në muajt në vijim, duke qenë pranë zonave të mbrojtura dhe dashamirësve të saj.