Rrëqebulli i Ballkanit, thesari i Shqipërisë

Rrëqebulli (Lynx lynx), kafsha vetmitare në rajonin e Ballkanit është një specie e rrezikuar, e cila prej vitit 2017 monitorohet përmes kamerave kurth, si dhe vëzhgohet përmes gjurmëve e qimeve në ato Zona të Mbrojtura ku jeton. Në rajon numërohen rreth 50 individ rrëqebujsh, nga ku 7-10 prej tyre gjenden në Shqipëri. Numri jo i lartë i rrëqebullit, maces vetmitare të Ballkanit, kërkon ruajtje optimale të biodiversiteti dhe shmangies së rreziqeve, pasi kështu ruhen balancat dhe shtohet numri i këtyre individëve në të gjithë rajonin. Rrëqebulli mbrohet, sipas “Ligjit për Mbrojtjen e Faunës së Egër”, “Ligjit për gjuetinë”, “Konventa e Bërnës”, “Direktiva Evropiane për habitatet dhe gjallesat” dhe “Konventa Ndërkombëtare për Tregtinë e Specieve në rrezik”.

Data 11 qershor e çdo viti, është dita Ndërkombëtare e Rrëqebullit, ditë në të cilën kremtohet, duke kujtuar rëndësinë e këtij individi, përmes aktiviteteve dhe nismave gjithëpërfshirëse institucionale dhe të shoqërisë civile. Në përpjekje për të ruajtur specien endemike të rrëqebullit Ballkanik, AKZM në janar të vitit 2022 shpalli si zonë të mbrojtur Parkun Natyror të Munellës, si habitati i vetëm ku riprodhohet rrëqebulli i Ballkanit në Shqipëri. Shpallja e këtij Parku Natyror është një tjetër sukses në historinë e ruajtjes së kësaj specieje; për ta mbrojtur nga kërcënimet e mundshme, si, gjuetia e paligjshme, prerja e pyjeve dhe degradimi.

Rrëqebulli, vetmitari i pyjeve është evidentuar nga kamerat kurth në Pukë, Korab-Koritinik dhe Pogradec.

Me një gjatësi prej 110 cm, ai është i aftë të kërcejë në një distancë prej 10 metra, aftësi që e bën një “gjuetar” të fuqishëm në natyrë. Rrëqebulli pëlqen pyjet e lartë dhe të paarritshme nga njeriu. Është kafshë e cila ruan me së miri territorin e tij, duke mos pranuar indvidë të tjerë, qoftë të së njëjtës familje. Dëshira, për të zotëruar territorin është edhe mes mashkullit e femrës, të cilët afrohen me njëri-tjetrin vetëm përgjatë periudhës së çiftimit. Mënyra e ushqimit të rrëqebullit ndryshon sipas stinës, sasisë dhe llojit të ushqimit që ai mund të sigurojë. Ushqehet me shpendë, brejtës dhe dythundrakë të vegjël si, dhia e egër dhe kaprolli. Rrëqebulli më së shumti lëviz gjatë natës dhe gjuan për ushqim kryesisht gjatë mbrëmjes. Gjatë ditës ai fle dhe fshihet në pyje, të cilët janë edhe shtëpia e tij. Një individ rrëqebulli mund të jetojë 10 deri në 15 vjet.

 

Previous Kali i qyqes, rikthehet pas shumë vitesh në Parkun Kombëtar të Tomorrit

NA NDIQNI

Facebook: Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura
Instagram: @akzmalbania
Twitter: @akzmalbania

NA KONTAKTONI

E-mail: Info@akzm.gov.al
Adresa: Bulevardi “Dëshmoret e Kombit” Nr.1,1001,Tirane
Orari
E hënë – E enjte 08:00 – 16:30
E Premte 08:00 – 14:00

MINISTRIA E TURIZMIT DHE E MJEDISIT

ZBULO MË SHUMË PËR AKZM