Në kuadër të procesit që Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura (AKZM) ka nisur për përfshirjen e Shqipërisë në Green List të Unionit Ndërkombëtar për Ruajtjen e Natyrës (IUCN – International Union for Conservation of Nature), më datat 9–11 shtator 2025 në qytetin e Përmetit u zhvillua workshopi me temë: “Avancimi i menaxhimit të Parqeve Kombëtare përmes Standardit Green List të IUCN: zbatimi i mjetit të vetëvlerësimit (GL-SAT)”.
Ky aktivitet përbën një hap të rëndësishëm në përpjekjet e Shqipërisë për të përmirësuar qeverisjen dhe menaxhimin e zonave të mbrojtura sipas standardeve më të avancuara ndërkombëtare. Workshopi synon të mbështesë pesë Parqet Kombëtare të përzgjedhura për fazën e parë të këtij procesi: Lumi i Vjosës, Mali i Dajtit, Shebenik, Divjakë-Karavasta dhe Prespa, në përdorimin e mjetit të vetëvlerësimit Green List (GL-SAT). Përmes këtij procesi, parqet do të identifikojnë pikat e forta dhe fushat ku nevojiten përmirësime, duke forcuar më tej praktikat e menaxhimit të qëndrueshëm, përfshirjen e komuniteteve lokale dhe transparencën institucionale.
Green List i IUCN nuk është thjesht një certifikim prestigjioz por një mekanizëm i plotë që nxit përmirësim të vazhdueshëm, menaxhim të bazuar në evidencë dhe arritjen e rezultateve të qëndrueshme për ruajtjen e biodiversitetit. Për Shqipërinë, ky proces është një mundësi për të afirmuar angazhimin ndaj standardeve më të larta të mbrojtjes së natyrës dhe për të rritur rolin e saj në rrjetin ndërkombëtar të zonave të mbrojtura.