Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura mori pjesë në Kongresin Botëror të Ruajtjes së Natyrës (IUCN World Conservation Congress 2025), që u zhvillua më 9–15 tetor 2025 në Abu Dhabi, Emiratet e Bashkuara Arabe.
Ky Kongres bashkoi mijëra pjesëmarrës nga e gjithë bota, përfaqësues të qeverive, organizatave ndërkombëtare, shoqërisë civile dhe shkencës, për të diskutuar sfidat globale të biodiversitetit dhe për të avancuar zgjidhje të qëndrueshme për ruajtjen e natyrës.
AKZM mori pjesë me prezantim në sesionin tematik: “Green List Self – Assessment Tool and Pilots”, ku u prezantua përvoja shqiptare në zbatimin pilot të këtij mjeti inovativ të IUCN, i cili ndihmon në vetë vlerësimin e performancës së menaxhimit të zonave të mbrojtura.
Shqipëria është vendi i parë në botë që ka testuar me sukses “Green List Self – Assessment Tool”, duke dhënë një kontribut të rëndësishëm në zhvillimin dhe përmirësimin e tij në nivel global.
Kjo përvojë përfaqëson një hap domethënës në procesin e përfshirjes së pesë zonave pilot të Shqipërisë në Green List të IUCN, duke reflektuar angazhimin strategjik të Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura për përmirësimin e qeverisjes, transparencës dhe menaxhimit të qëndrueshëm të ekosistemeve natyrore, në përputhje me standardet më të larta ndërkombëtare.