Stravaj - Sopot

Stravaj dhe Sopot

Rezervat Natyror i Menaxhuar “Stravaj dhe Sopot”, me Vendimin e Këshillit të Ministrave nr. 60, datë 26.1.2022 u miratua ndryshimi i sipërfaqes së ekosistemeve natyrore “Stravaj dhe Sopot”, shpallur “rezervat natyror i menaxhuar” (kategoria IV e zonave të mbrojtura), nga 700 ha në 1 548.9 ha.

Ndodhet në vargun malor Polis-Lenie, nga rreth 1,000m në mbi 2,050m mbi rrafshin e detit, me shtrirje 36km, nga gryka e Shkumbinit në veri, deri në Sopot e Shpellë në jug. Përbëhet kryesisht nga gëlqerorë, që formojnë një strukturë sinklinale të çrregullt dhe magmatikë, tepër të copëtuar nga shkëputje tektonike, dhe disa pulla terrigjene të eocenit.

Në përgjithësi, struktura e tij gjeologjike ka formën e një pllake të madhe gëlqerore të valëzuar dhe tepër të copëtuar, të rrethuar pothuajse nga të gjitha anët me shpate të thepisura. Në të ngrihen disa kreshta paralele, të ndara nga lugje dhe gropa me gjenezë të ndryshme. Ky mal shtrihet nga 200-1,800m lartësi; mbizotërojnë majat mbi 1,000m. Gjatë boshtit te sinklinalit të Polisit shtrihen majat më të larta të tij: Faqja e Madhe (1,975m) dhe Mali Plak (1,940m). Lugjet, në formën e govatës, me gjatësi deri në 2km e gjerësi 200-250m dhe depozitime morenore, janë akullnajore-karstike.

Ndër gropat më të mëdha dallohet: Gropa e Malit Plak (1,560m) dhe e Sopotit (1,100m), me diametër deri në 2km, që janë gropa kontakti të modeluara fuqimisht nga akujt dhe erozioni. Në vazhdim të saj, shtrihet lugina e Gostimës (degë e Shkumbinit), që dallohet për gjarpërime dhe shpate të thepisura. Bimësia e malit të Polisit është e varfër. Më e dendur është në rrethinat e pllakës karbonatike me lagështirë më të madhe. Përbëhet kryesisht nga ahishtet, që veshin sidomos shpatet. Kreshta është e veshur me kullota të mira verore.

Ky rezervat përmbledh një mori habitatesh: pyje, kullota subalpine dhe alpine, liqene akullnajore, kanione, maja etj. Dallohet për diversitet të madh llojor e habitator dhe për bimë endemike dhe subendemike, si: Hypericum albanicum dhe Lilium albanicum. Llojet kryesore bimore janë: Fagus sylvatica, Quercus petraea, Quercus cerris, Abies alba, Pinus nigra, Fraxinus ornus, Vaccinium vitis-idaea, Juniperus communis, Juniperus oxycedrus, Saturea montana, Hypericum albanicus, Genista sp., Festucopsis serpentini, Pinus peuce, Pinus leucodermis, Euphorbia amygdaloides, Poa alpina, Rosa sp. etj.

Përbën një bërthamë dhe biokorridor për gjitarët e mëdhenj: Ariun (Ursus arctos), Ujkun (Canis lupus), Rrëqebullin (Lunx lynx), Dhinë e egër (Rupicapra rupicapra), Kaprollin (Capreolus capreolus) etj.

Bazuar në përditësimet e fundit (Nëntor 2019) në territorin e PN janë evidencuar: 4 tipe habitatesh natyror. Gjithashtu, janë evidencuar llojet faunistike të Listës së IUCN-s, ku: 1 lloj, Të rrezikuar, 8 lloje, Thuajse të rrezikuar, 6 lloje, Vulnerabile, 50 lloje, Jo shqetësuar, 2 lloje, Nuk ka të dhëna dhe 14 lloje, Jo në listën e IUCN-s.

Ndërthurja e pyjeve me Ah e Bredh, në terrene të pjerrëta, me Pinus leucodermis, Pinus peuce, kullota alpine dhe bimësinë e çeltirave, i japin këtij rezervati bukuri të veçantë, me vlera turistike dhe shkencore. Dallohet për larmi peizazhesh, në të cilat pikasin pyjet halore dhe gjethegjëra, kullotat, relievet relikte akullnajore në formën e cirqeve, format erozive, karstike etj.

NA NDIQNI

Facebook: Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura
Instagram: @akzmalbania
Twitter: @akzmalbania

NA KONTAKTONI

E-mail: Info@akzm.gov.al
Adresa: Bulevardi “Dëshmoret e Kombit” Nr.1,1001,Tirane
Orari
E hënë – E enjte 08:00 – 16:30
E Premte 08:00 – 14:00

MINISTRIA E TURIZMIT DHE E MJEDISIT

ZBULO MË SHUMË PËR AKZM