Lugina e Gjergjovices

Lugina e Gjergjovicës

Rezervat Natyror i Menaxhuar “Lugina e Gjergjovicës”, pjesë e Qarkut Korçë, me Vendimin e Këshillit të Ministrave nr. 60, datë 26.1.2022 u miratua shpallja “rezervat natyror i menaxhuar” (kategoria IV e zonave të mbrojtura) të ekosistemit natyror “Lugina e Gjergjovicës”, me sipërfaqe 2 966.3 ha.

Shtrihet në krahinën e Oparit, në një prej degëve të rrjedhës së sipërme të Lumit të Devollit ose në malësitë midis Devollit dhe Osumit të sipërm. Malësitë kanë një morfologji të ndërlikuar, ku ndërthuren kreshta malore të thyera e me drejtime të ndryshme, lugina që i ndërpresin, zgjerime të shumtë në trajtën e gropave të përzgjatura, pllaja të rrafshëta, vargje majash të shkëputura etj.

Malësia e Voskopojës, shtrihet në pjesën veriore, dallohet për kontrastet të mëdha të relievit, për luginat e ngushta në trajtën e grykave si për luginat dhe zgjerimet e kontaktit, për thepisjet tektoniko-erozive etj.

Lartësia e malësisë rritet nga veriu në jug dhe nga lindja në perëndim, duke ndryshuar nga rreth 600-1,650m mbi rrafshin e detit. Elementi kryesor morfologjik përfaqësohet nga kurrizi malor i Shullerit të Madh, me lartësi nga 850-1,653m.

Në jug ngushtohet, midis prerjes së thellë erozive të lumit të Gjergjevicës dhe lumit të Zhombrit. Në këtë sektor, kreshta e tij bëhet e thepisur. Në vazhdim shtrihet në pjesën qendrore të malësisë së Vithkuqit.

Malësia e Vithkuqit, shtrihet në jug të Malësisë së Voskopojës. Dallohet për relievin më të larmishëm, që shprehet në ndryshimet morfologjike dhe morfogjenetike. Kontrastet e relievit rriten nga qendra në drejtim të perëndimit. Pjesa qendrore është përbërë nga magmatikët, ndërsa rrethinat nga terrigjenet (molasa, flishe e gëlqerorë).

Nga qendra, në drejtim të gropave rrethuese dhe prerjeve erozive, rrjedhin shumë përrenj dhe që kanë shkaktuar drejtimin rrezor të kurrizeve. Lartësitë e kësaj malësie rriten sidomos nga lindja (rreth 1,000m) në drejtim të perëndimit (mbi 2,380m, Ostrovicë). Malësia ka amplitudën hipsometrike më të madhe së Malësia e Voskopojës, gjë që lidhet me diferencimet më të theksuara të ndërtimit gjeologjik e të modelimit të saj. Mbizotërojnë lartësitë mbi 1,300m.

Në këtë malësi dallohen disa kurrize gëlqerorë, me lartësi e shtrirje jo të njëjtë, disa kurrize molasike lindore, pllaja qendrore e malësisë, fushëgropa e Leshnjes dhe lugina e Cemerricës.

Lugina më e madhe e kontaktit tektoniko-litologjik është e Gjergjevicës. Ndeshet ndërmjet Malësisë së Voskopojes dhe Vithkuqit, e zhvilluar midis gëlqerorëve të kurrizit Krasta e Tejme dhe magmatikëve të Shullerit të Madh.

Flora dhe bimësia e Luginës së Gjergjevicës përfaqëson ndërthurje të elementëve floristikë ballkanikë-mesdhetarë (veçanërisht Pindikë) me ato Veriorë ose alpinë (Alston & Sandwith, 1940). Në territorin e luginës janë gjetur 3 lloje relikte si Halascya sendtneri (Boiss.) Dörfler (Borraginaceae), relikte e periudhës së Terciarit, Morina persica L. (Dipsacaceae) bimë e klimës së stepave (me origjinë nga Asia e Vogël dhe Lindja), që sundoi fundin e periudhës së Terciarit dhe fillimin e Pliocenit, dhe Arctostaphyllos uva-ursi L., Spring (Ericaceae), lloj arktik alpin. Këto, së bashku edhe me praninë e Bushit (Buxus sempervirens L.), si përfaqësues i pseudomakjes, tregojnë jo vetëm vjetërsinë dhe origjinën e florës në këto mjedise, por tregojnë se kjo luginë është vend takimi i të dy rrymave florike të sipërpërmendura.

Në këtë zone janë identifikuar 8 lloje endemike (Allium albanicum, Alyssum smolikanum subsp. moravense, Hypericum haplophylloides subsp. devollense, Taraxacum aestuans, Carduus quercifolius, Ornithogalum ostrovicense, Centaurea candelabrum, Festucopsis serpentini, Arenaria conferta subsp. serpentine), kurse dy të tjera janë në proces përshkrimi (Centaurea sp. dhe Crocus sp.,). Brënda territorit rriten edhe rreth 19 lloje subendemike, 4 lloje, të mbrojtura nga Direktiva e Habitateve dhe 1 lloj i mbrojtur, nga konventa e Bernës (Aneksi I).

Në zonë gjendet gjithashtu llojet shumë të rralla të Nejcë shqiptare (Polygonum albanicum), Kanilqyqe me spica (Saponaria sicula subsp. Intermedia) dhe Halashë e Sendtnerit (Halacsya sendtneri) e gjinisë monofiletike me të njëjtin emër.

Në listën e llojeve të rëndësishme bimore të luginës mund të përfshihen edhe pyjet me Bredh të Maqedonisë (Abies borisii-regis Mattf.), Pishë të zezë (Pinus nigra J. F. Arnold.), ose me shkurre të Dëllinjës së kuqe (Juniperus oxycedrus L.) dhe Dëllinjës së zezë (Juniperus communis L.) si lloje indikatore të habitateve të rëndësishme si dhe me interes Evropian konservimi.

Zona shërben edhe si rrugë kalimi për shpendët dhe gjitarët drejt jugut, sepse shtrihet midis degës së Lumit të Devollit dhe rrjedhës së sipërme të Lumit Osum.

Në zonë janë regjistruar Ariu i Murrmë, Ujku, Dhia e Egër, Sorkadhja, Macja e egër, Derri i egër, Kunadhja, etj. Mbi 30 lloje fluturash, 8 lloje pilivesash, 2 lloje molusqesh tokësorë endemikë, 1 lloj karkaleci endemik etj.

Lugina e Gjergjevicës megjithëse me një sipërfaqe relativisht të vogël, dallohet për larmi të lartë tipash të ndryshme habitatesh, ku dominojnë habitatet me shoqërime bimore të Dushqeve, Shkozës, Lajthisë, Bushit, Pishës së Zezë, Bredhit të Maqedonisë dhe Ahut (Fagus sylvatica). Larmia e lartë e habitateve shfaqet në prezencën e rreth 16 tipave të ndryshme të habitateve, 5 prej të cilave janë habitate prioritare me interes Evropian.

NA NDIQNI

Facebook: Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura
Instagram: @akzmalbania
Twitter: @akzmalbania

NA KONTAKTONI

E-mail: Info@akzm.gov.al
Adresa: Bulevardi “Dëshmoret e Kombit” Nr.1,1001,Tirane
Orari
E hënë – E enjte 08:00 – 16:30
E Premte 08:00 – 14:00

MINISTRIA E TURIZMIT DHE E MJEDISIT

ZBULO MË SHUMË PËR AKZM