Karaburun

Karaburun

Rezervat Natyror i Menaxhuar “Karaburun”, pjesë e Qarkut Vlorë, me Vendimin e Këshillit të Ministrave nr. 60, datë 26.1.2022 u miratua ndryshimi i sipërfaqes së ekosistemit natyror “Karaburun”, shpallur “rezervat natyror i menaxhuar” (kategoria IV e zonave të mbrojtura), nga 2 000 ha në 17 490.7 ha.

Ndodhet në Gadishullin e Karaburunit; deri 1,446m (maja e Gjipalit) nga rrafshi i detit. Gadishulli i Karaburunit, shënon fillimin e degëzimit perëndimor të Maleve Bregdetare. Ky gadishull zë fill në juglindje të ngushticës së Gjuhëzës (midis Sazanit dhe Kepit të Gjuhëzës) dhe vijon deri në qafën e Llogorasë.

Përbëhet kryesisht nga gëlqerorë të kretës dhe ka reliev kodrinor. Lartësia e tij rritet në drejtim të juglindjes, deri në pllajën e Ravenës. Në veri ndodhet Maja e Ilqes (731m), ndërsa në jug Maja e Koretës (826m). Kjo pjesë ka kreshta të rrumbullakëta dhe shpate të thepisura, ku gjenden përrenj të rrallë e të thatë, më tepër gurorë.

Në jug të Majës së Koretës ndodhet pllaja e Ravenës, me lartësi rreth 300m. Formimi i saj lidhet me dy shkëputje të mëdha, në veri e jug. Me sa duket, ajo është e kapur nga lëvizje ngritëse me amplitudë më të vogël sesa pjesa tjetër e gadishullit. Kjo pllajë është e sheshtë dhe me forma karstike. Në juglindje të saj ngrihet gradualisht mali i Rrëzës së Kanalit. Në këtë drejtim radhiten majat e Sinan Dukës (818m), Kollovoçkës (238m) dhe Shën Ilisë (1,498m), ku kreshta bëhet më e ngushtë, deri e thepisur.

Klima është mesdhetare, me verë të gjatë, të thatë dhe tepër të nxehtë, ndërsa dimri i butë dhe i lagësht. Këto kushte klimatike dhe sidomos zhvillimi intensiv i karstit kanë kushtëzuar hidrografi tepër të varfër me rrjedhje të përkohshme dhe pothuajse pa burime uji, të cilët dalin me shumicë në fund të detit. Tokat janë të hirta kafe dhe në lartësi të kafenjta.

Bimësia, kryesisht kserofile, përbëhet më tepër nga lloje barishtore dhe më pak nga shkurre të rralla të llojit të makies. Duke qenë e pabanuar dhe zonë rreptësishtë e ndaluar ushtarake gjatë periudhës komuniste, ishte një “tullë e gjelbër” e natyrës sonë, që dallohej për biodiversitet të lartë dhe të rëndësishëm në Mesdhe: livadhe, pyje Pishe të zezë (Pinus nigra) dhe Rrobulli (Pinus peuce, Pinus leucodermis), Bredhi i Maqedonisë (Abies borisii-regis), Ilqe (Quercus coçifera), Valanidh (Q. macrolepis), makie mesdhetare, bimësi e shkëmbinjve detarë. Kati litoral është i shprehur mjaft mirë.

Në territorin e këtij PN shënohet kufiri verior i aleancës Oleo Ceratinion dhe i Qepës së detit (Scilla maritima). Këtu takohen lloje endemike e subendemike si dhe lloje të rralla e të kërcënuara (Taxus bacata, Ceratonia siliqua etj.)

Përfaqëson një hapësirë shumë të madhe, me potenciale të rëndësishme si për biodiversitetin ashtu dhe zhvillim ekonomik e turistik.

Janë evidencuar: 10 tipe habitatesh natyror (2 habitate parësorë), 8 lloje, floristike të rëndësishme, 5 lloje, endemike dhe 1 lloj, të Aneksit IV, të Direktivës së Habitatit. Grupimet kryesore janë ata të kullotave të thata mesdhetare, pyjeve të çlirët me valanidh (Quercus ithaburensis subsp. macrolepis) e ndonjë tjetër dushk gjetherënës, makies me ilqe (Q.ilex) e më rrallë me dafine (Laurus nobilis), garrigave e friganeve, të ndryshme etj.

Gjithashtu, janë evidencuar llojet faunistike të Listës së IUCN-s, ku: 2 lloje, Seriozisht të rrezikuar, 2 lloje, Të rrezikuar, 10 lloje, Thuajse të rrezikuar, 7 lloje, Vulnerabile, 60 lloje, Jo shqetësuar, 2 lloje, Nuk ka të dhëna dhe 19 lloje, Jo në listën e IUCN-s. Zona ka potenciale të mëdha për zhvillimin e turizmit dhe të ekoturizmit.

NA NDIQNI

Facebook: Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura
Instagram: @akzmalbania
Twitter: @akzmalbania

NA KONTAKTONI

E-mail: Info@akzm.gov.al
Adresa: Bulevardi “Dëshmoret e Kombit” Nr.1,1001,Tirane
Orari
E hënë – E enjte 08:00 – 16:30
E Premte 08:00 – 14:00

MINISTRIA E TURIZMIT DHE E MJEDISIT

ZBULO MË SHUMË PËR AKZM