Rezervat Natyror i Menaxhuar “Dardhë – Xhyrë”, pjesë e Qarkut Elbasan, me Vendimin e Këshillit të Ministrave nr. 60, datë 26.1.2022 u miratua ndryshimi i sipërfaqes së ekosistemit natyror “Dardhë – Xhyrë”, shpallur “rezervat natyror i menaxhuar” (kategoria IV e zonave të mbrojtura), nga 400 ha në 400.3 ha.
Ndodhet midis fshatrave Dardhë dhe Xhyrë, në malin e Polisit, nga rreth 1,100m në 1,773m mbi rrafshin e detit. Ka vlera të larta biodiversiteti: pyje të virgjra, të dominuara nga Ahu, por takohen dhe drurë të tjerë. Zona përfaqëson një kombinim të pyjeve të dushkajave dhe të ahishtave. Dushkajat dominohen nga Qarri (Quercus cerris), që përzihet me Bungë (Quercus petraea) dhe në vendet e dëmtuara me Mëllezë (Ostrya carpinifolia) e Dëllinjë të kuqe (Juniperus oxycedrus) etj. Pyjet e Ahut (Fagus sylvatica) janë në gjendje thuajse të virgjër.
Në çeltirat e krijuara pas prerjes së drurëve të Qarrit përhapen masivisht individë të Badhrës (Asphodelus albus), të Dëllinjës së kuqe (Juniperus oxycedrus) dhe të Qumështores (Euphorbia myrsinites). Takohen bimë endemike e subendemike. Në të çarat e shkëmbinjve takohen Geranium macrorrhizum, Asplenium trichomanes, Saxofraga paniculata, Athamantha Achillea frasi etj.
Është bërthamë dhe biokorridor i gjitarëve të mëdhenj, me rëndësi rajonale/ballkanike si: Ariu (Ursus arctos), Ujku (Canis lupus), Rrëqebulli (Lunx lynx), Dhia e egër (Rupicapra rupicapra), etj.
Rajoni i Dardhë-Xhyrës, kryesisht, përfaqëson Dushkaja dhe Ahishte. Mendohet të jenë të pranishëm 3 tipe habitati natyror; nuk ka lloje të rëndësishëm floristike dhe nga llojet faunistike, që frekuentojnë zonën, mendohet: 1 lloj, Të rrezikuar, 8 lloje, Thuajse të rrezikuar, 6 lloje, Vulnerabile, 46 lloje, Jo të shqetësuar, 2 lloje, Nuk ka të dhëna dhe 13 lloje, Jo në listën e IUCN-së.