Cangonje

Cangonj

Rezervat Natyror i Menaxhuar “Cangonj”, pjesë e Qarkut Korçë, me Vendimin e Këshillit të Ministrave nr. 60, datë 26.1.2022 u miratua ndryshimi i sipërfaqes së ekosistemit natyror “Cangonj”, shpallur “rezervat natyror i menaxhuar” (kategoria IV e zonave të mbrojtura), nga 250 ha në 250.3 ha.

Ndodhet në grykën e Cangonjit, në skajin verior të maleve të Moravës, në lartësitë mbi 900m. Shtrihet pikërisht ku zvogëlohet shumë pjerrësia e shpatit lindor të Moravës. Pozicioni dhe veshja e dendur me bimësi, sidomos shkurre, kushtëzojnë erozionin e papërfillshëm ose fare të dobët, i cili, tani për tani, nuk përbën ndonjë problem shqetësues, por që mund të fuqizohet nëse dëmtohet bimësia e shkurreve dhe barishtore. Kujdes i duhet kushtuar pjesës së poshtme të shpateve të përroit, që përshkon zonën, të cilët janë më të prirur për t’u përfshirë nga erozioni.

Përfaqëson një grumbull pyjor në vargmalin e Moravës. Një pjesë e vogël është gjysmënatyrore (dushkajat). Megjithëse nuk ka studime të mirëfillta dhe të plota rajoni ёshtё i dominuar nga dushkaja gjetherënëse, me shkurre etj. Takohen dhe lloje pyjore të ripyllëzuara vite më parë si: Pinus nigra, Tilia latyphyllos, Castanea sativa, Acer obtusatum, Abies borissi-regis, Acer pseudoplatanus, Populus, Robinia pseudoacacia etj.

Bazuar në strukturën e llojeve floristike, gjeomorfologjike dhe sipërfaqes rezulton se nga pikëpamja faunistike nuk është shumë i pasur. Llojet e shpendëve pjesëmarrës janë të Rendit Passeriformes (Harabelorët), të përshtatshëm për jetesën në mjediset pyjore/shkurreta. Ndër llojet kryesor faunistik përmenden: Trishtili i madh (Parus major), Trishtili i kaltër (P. caeruleus), Gardalina (Carduelis carduelis), Grifsha (Garrulus glandarius), Qukapiku sirian (Dendropos syriacus), Fishkëllenjësi (Phylloscopus collybita), etj.

Në këto habitate gjendet: Lepuri i egër, Derri i egër, Baldosa, Dhelpra, Ujku, Kaprolli etj.

Mbështetur në përditësimet e kryera, në kuadër të studimit të ZMM (Nëntor 2019), rezulton se në këtë zonë gjenden: 3 tipe, habitate natyror; 1 lloj, floristik më i rëndësishëm, nga llojet faunistike: 7 lloje, Thuajse të rrezikuar, 7 lloje, Vulnerabile, 46 lloje, Jo të shqetësuar, 2 lloje, Nuk ka të dhëna dhe 13 lloje, Jo në listën e IUCN-s.

NA NDIQNI

Facebook: Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura
Instagram: @akzmalbania
Twitter: @akzmalbania

NA KONTAKTONI

E-mail: Info@akzm.gov.al
Adresa: Bulevardi “Dëshmoret e Kombit” Nr.1,1001,Tirane
Orari
E hënë – E enjte 08:00 – 16:30
E Premte 08:00 – 14:00

MINISTRIA E TURIZMIT DHE E MJEDISIT

ZBULO MË SHUMË PËR AKZM