Bredhi i Zhulatit

Bredhi i Zhulatit

Rezervat Natyror i Menaxhuar, “Bredhi i Zhulatit”, pjesë e Qarkut Gjirokastër, me Vendimin e Këshillit të Ministrave nr. 60, datë 26.1.2022 u miratua ndryshimi i statusit të ekosistemit natyror “Bredhi i Zhulatit” nga “monument natyre” (kategoria III e zonave të mbrojtura) në “rezervat natyror i menaxhuar” (kategoria IV e zonave të mbrojtura), me sipërfaqe 936.2 ha.

Është pjesë e Luginës së Kardhiqit, e cila shtrihet në shpatet e Malit të Gjerë. Ndërtohet nga formacione gëlqerore të pasura me fosfate. Evaporite, flishe dhe në sektorë të kufizuar nga depozitime kuaternare. Midis formacioneve gëlqerore përhapjen më të madhe e kanë gëlqerorët e kretakut, të cilët janë mjaft të karstëzuar. Nga ana strukturore lugina e Kardhiqit përfaqëson një graben, Grabenin e Kardhiqit, i cili është diferencuar në një sërë strukturash të tjera, të një rangu më të ulët.

Rajoni ka reliev mjaft të thyer dhe shumë të thepisur, me kontraste të konsiderueshme, me shtrirje nga 600-1,600m. Relievi ngrihet gradualisht në formë shkallësh, duke filluar nga pjesa më e ulët e luginës, në skajin verilindor deri në kuotat më të larta në periferi. Fundi i luginës është i çrregullt, i përçarë nga Lumi i Kardhiqit dhe degët e tij. Janë të shumta format e relievit karstik, prej të cilave dallohet kanioni i Piksit, i formuar nga shembja e tavaneve të kalimit të dikurshëm nëntokësor të lumit të Piksit, degë e Lumit të Kardhiqit.

Sipërfaqe të madhe zë relievi kodrinore-malor. Për t'u përmendur janë zonat e Kardhiqit, të Fushëbardhës, të Plesatit dhe të Kaparjelit. Mbizotërojnë dy tipe relievi, karstik dhe erozivo- denudues. Relievi karstik lidhet me daljen e gjerë të gëlqerorëve dhe gipseve. Përhapje ka karsti nëntokësor, që përfaqësohet nga burime, shpella, galeri dhe rrugë të shumta të qarkullimit nëntokesor të ujit, deri te formimi i kanioneve, si kanioni i Piksit.

Lugina e përroit të Piskit, ka formën e një tuneli dhe të jep përshtypjen se evolucioni i saj është bërë kryesisht nëntokë. Gjatë shtratit vërehen gurë me përmasa të mëdha e të papërpunuar, dëshmi e shembjes së tavanit.

Në këtë RNM/PN takohen të gjitha zonat fitoklimatike dhe gërshetohen në mënyrë harmonike peizazhet dhe ekosistemet lumore, shkurrore e pyjore, deri tek pyjet e virgjër ose pothuajse të natyror e gjysmënatyror, kullosore, shkëmbore. Kjo e bën atë të rrallë natyrore. Dallohet për biodiversitet të lartë të habitateve dhe të llojeve.

Në rajon, deri në lartësitë 1,000m dominojnë shoqërime bimore të përziera me Shkozë, Cërmëdell dhe përgjatë shtratit të lumit edhe formacionet e pseudomakjes me Bush (Buxus sempervirens). Mbi to vendosen shoqërime bimore të përziera me Bredh dhe sipër tyre pyje të Bredhit të Maqedonisë. Bimësia më e përhapur në luginën e Kardhiqit janë shkurret mesdhetare, sidomos përherë blerta (Përralli, Marja, Mretja, Shqopa etj.) dhe takohen disa lloje dushqesh. Në shtratin dhe brigjet e përrenjve rriten me shumicë Rrapi dhe Shelgu.

Po kështu, takohen pyjet e dushkut, të shoqëruar me drurë të tjerë, si Frashëri i bardhë (Fraxinus ornus), Krekëz (Acer campestre), Panja fletegjere (Acer abtusatum); drurë të rrallë si Bli gjethegjërë (Tilia platyphyllos) dhe Bliri fletësërm (Tilia tomentosa).

Formacioni pyjor më i rëndësishëm dhe më i ruajtur është bredhi i Maqedonisë (Abies borisiiregis), që mbulon edhe shpatet më të thepisura. Takohet edhe formacioni pyjor i rrallë vetëm me Panjë mali (Acer pseudoplatanus), i kërcënuar nga veprimtaria humane.

Gjenden komunitete shpendësh dhe gjitarësh, të lidhura me mjediset pyjore, ujore e shkëmbore, si: Dhia e egër (Rupicapra rupicapra), Kaprolli (Capreolus capreolus), Derri i egër (Sus scrofa), Ujku (Canis lupus), Baldosa (Meles meles) etj.; është edhe një nga rrugët e shtegtimit të shpendëve.

Bazuar në përditësimet e fundit (Nëntor 2019) në territorin e PN janë evidencuar: 10 tipe habitatesh natyror, 4 lloje, floristike të rëndësishme, 2 lloje, endemike dhe 1 lloj, të Listës së Kuqe të IUCN-s.

Gjithashtu, janë evidencuar llojet faunistike të Listës së IUCN-s, ku: 1 lloj, Të rrezikuar, 11 lloje, Thuajse të rrezikuar, 8 lloje, Vulnerabile, 59 lloje, Jo shqetësuar, 2 lloje, Nuk ka të dhëna dhe 22 lloje, Jo në listën e IUCN-s.

NA NDIQNI

Facebook: Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura
Instagram: @akzmalbania
Twitter: @akzmalbania

NA KONTAKTONI

E-mail: Info@akzm.gov.al
Adresa: Bulevardi “Dëshmoret e Kombit” Nr.1,1001,Tirane
Orari
E hënë – E enjte 08:00 – 16:30
E Premte 08:00 – 14:00

MINISTRIA E TURIZMIT DHE E MJEDISIT

ZBULO MË SHUMË PËR AKZM