Kardhiq

Bredhi i Kardhiqit

Rezervat Natyror i Menaxhuar, “Bredhi i Kardhiqit”, pjesë e Qarkut Gjirokastër, me Vendimin e Këshillit të Ministrave nr. 60, datë 26.1.2022 u miratua ndryshimi i sipërfaqes së ekosistemit natyror “Bredhi i Kardhiqit” nga “rezervë strikte natyrore” (kategoria I e zonave të mbrojtura) në “rezervat natyror i menaxhuar” (kategoria IV e zonave të mbrojtura), me sipërfaqe 1 800 ha në 4 303.6 ha.

Shtrihet në shpatet e Malit të Gjerë, përgjatë luginës që krijon rrjedha e degës së djathtë të Lumit të Kardhiqit, degë e Lumit Drino. E gjithë zona vendoset mbi substrate gëlqerore dhe dallohet për shkak të pasazhit me larmi formash karstesh si dhe një florë të veçantë dhe faunë ta pasur.

Ka reliev mjaft të thyer dhe shumë të thepisur, me kontraste të konsiderueshme dhe shtrirje nga 600-1,600m. Janë të shumta format e relievit karstik, prej të cilave dallohet kanioni i Piksit, me gjatësi 100m, thellësi 50-60m e gjerësi 2-3 m, i formuar nga shembja e tavaneve të kalimit të dikurshëm nëntokësor të lumit të Piksit, degë e Lumit të Kardhiqit. Vende-vende kanioni shndërrohet në tunele natyrore, të cilat janë mbetje të gjendjes së dikurshme të tij.

Interesante është zhdukja e rrjedhjes sipërfaqësore në disa sektorë të lumit, rezultat i zhvillimit të karstit në shtratin e tij. Në njërën prej hinkave karstike, në afërsi të fshatit Kolonjë, ndodhet liqeni karstik i Kacojthit, i formuar në gjipset e permo-triasit. Ka formë elipsi me gjatësi 100m e gjerësi 60m.

Për vlerat e mëdha shkencore, ekologjike, estetike, didaktike, kanioni i Piksit dhe liqeni i Kacojthit kanë marrë statusin të MN.

Në këtë RNM/PN takohen të gjitha zonat fitoklimatike dhe gërshetohen në mënyrë harmonike peizazhet dhe ekosistemet lumore, shkurrore e pyjore, deri tek pyjet e virgjra ose pothuajse të virgjra, kullosore, shkëmbore. Kjo e bën atë të rrallë natyrore. Dallohet për biodiversitet të lartë të habitateve dhe të llojeve. Në zonë, deri në lartësitë rreth 1,000 m dominojnë shoqërime bimore të përziera me Shkozë, Cërmëdell dhe përgjatë shtratit të lumit edhe formacionet e pseudomakjes me Bush (Buxus sempervirens). Mbi to vendosen shoqërime bimore të përziera me Bredh dhe sipër tyre pyje të Bredhit të Maqedonisë.

Mbizotërojnë kryesisht pyjet e dushkut, të shoqëruar me drurë të tjerë, si Frashëri i bardhë (Fraxinus ornus), Krekëz (Acer campestre), Panja fletegjerë (Acer abtusatum); drurë të rrallë si Bli gjethegjërë (Tilia platyphyllos) dhe Bliri fletësërmë (Tilia tomentosa).

Formacioni pyjor më i rëndësishëm dhe më i ruajtur është bredhi i Maqedonisë (Abies borisiiregis), që mbulon edhe shpatet më të thepisura. Takohet edhe formacioni pyjor i rrallë vetëm me Panjë mali (Acer pseudoplatanus), i kërcënuar nga veprimtaria humane.

Takohen dhe disa prej bimëve të rrezikuara, si; Gështenjë kali (Aesculus hippocastanum), Tisi (Taxus baccata), Achillea grandifolia etj.

RNM/PN përfshin rreth 10 tipe habitatesh, ku dallohen pothuajse të gjitha zonat e bimësisë, përjashtuar brezin e Ahut. 3 tipe habitatesh listohen si prioritare për shkak të llojeve indikatore që rriten në to (Nëntor 2019).

Flora e rrallë e zonës përfaqësohet nga drurë shumë të rrallë të Gështenjës së Kalit (A. hyppocastanum), Tisit (T. baccata) si dhe lloji endemik i Lulebasanit Haplofill (H. haplophylloides subsp. haplophylloides).

Gjenden komunitete shpendësh dhe gjitarësh, të lidhura me mjediset pyjore, ujore e shkëmbore, si: Dhia e egër (Rupicapra rupicapra), Kaprolli (Capreolus capreolus), Derri i egër (Sus scrofa), Ujku (Canis lupus), Baldosa (Meles meles) etj.

NA NDIQNI

Facebook: Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura
Instagram: @akzmalbania
Twitter: @akzmalbania

NA KONTAKTONI

E-mail: Info@akzm.gov.al
Adresa: Bulevardi “Dëshmoret e Kombit” Nr.1,1001,Tirane
Orari
E hënë – E enjte 08:00 – 16:30
E Premte 08:00 – 14:00

MINISTRIA E TURIZMIT DHE E MJEDISIT

ZBULO MË SHUMË PËR AKZM