Peizazh i Mbrojtur Liqeni i Pogradecit, Kategoria e V (IUCN), VKM nr 80, datë 18.02.1999. Sot ka siperfaqen rreth 28 000 ha. Pjesë e rrjetit EMERALD.
Ndodhet nga 695-2,288 m mbi nivelin e detit. Përfshin trevën përreth liqenit të Ohrit, brenda kufirit shtetëror me Maqedoninë e Veriut. Dallohet për larminë e theksuar të peizazheve, ekosistemeve dhe kontrasteve natyrore. Në përbërje të tij hyjnë: Liqeni i Ohrit (sit i trashëgimisë natyrore botërore), gropa e Pogradecit, pragu i Çërravës, Mali i Thatë dhe pjesa lindore e Malësisë së Mokrës.
Liqeni i Pogradecit, është liqeni më i thellë tektonik në Ballkan (289m). Përfshin një sipërfaqe prej 358.2km2, ku 109 km² i takon Shqipërisë. Lartësia e Liqenit është 695m mbi rrafshin e detit. Vija bregliqenore është 87.5km e gjatë, nga të cilat i takojnë 31.5km Shqipërisë dhe 56km Maqedonisë Veriore.
Niveli i ujit të Liqenit është zvogëluar gradualisht me kalimin e kohës. Dëshmia e kësaj është e dukshme në tarracat përgjatë liqenit. Tarracat përgjatë anëve të liqenit paraqesin disa nga fushat më produktive për bujqësi (Buçimash, Lin, Struga, Ohër). Ishujt e lashtë të Lini dhe Ohri janë shndërruar në gadishuj. Fusha e Lini ka ruajtur qartë gjurmët e origjinës së saj liqenore (terren i lagësht dhe ngjyra e zezë e aluviumit).
Mali i Thatë dhe Mali i Galicicës janë shumë poroze, me një kapacitet të lartë për transport ujor. Për shkak dhe përmbajtjes së ujit, shkëmbinjtë e zonës Prespa-Ohër klasifikohen si akuiferë porozë, akuiferë karstikë dhe të copëtuar dhe akuiferë të thyer.
Përbërja gjeologjike është e shkëmbinjve karbonikë. Liqeni i Ohrit e merr ujin si nga rrjedha ujore sipërfaqësore, edhe nga rrjedhja nëntokësore si dhe nga Liqeni i Prespës. Rreth 50% e ujit në burimet e Shën Naumit dhe Tushemishtit në bregdetin jugor të Liqenit të Ohrit janë nga Liqeni i Prespës.
Gropa e Pogradecit, zë pjesën jugore dhe jugperëndimore të gropës së Ohrit/Pogradecit dhe përfshin fushën e Buçimasit e rripin bregliqenor perëndimor. Shtrihet nga 695m (niveli i liqenit) deri në rreth 800m, me mbizotërim të lartësive rreth 700m. Relievi dallohet për larminë morfologjike e morfogjenetike. Me shkëputjet e reja tektonike dhe përbërjen nga konglomerate dhe gëlqerorë lidhen thepisjet e shpateve, dukuri më e shprehur në konglomeratët e Kalasë së Pogradecit dhe në gëlqerorët e Gurit të Kuq.
Në gropën e Pogradecit brigjet e liqenit janë të tipit akumulues dhe abraziv, me mbizotërim të tipit të parë. Ky tip bregu shtrihet gjatë brigjeve të fushës së Buçimasit (Tushemisht-rrëza e Kalasë), gjatë koneve të mëdha akumuluese si dhe në brigjet veriore e jugore të fushës së Linit. Lumenjtë që derdhen aty, sjellin materiale shumë të imëta, që akumulohen në grykëderdhjet e tyre, duke formuar në bashkëveprim me valëzimin e liqenit plazhin. Bregu i ulët përgjatë koneve të depozitimit të përrenjve të Memëlishtit, Përroit të Bardhë etj, ndryshon nga bregu i ulët që përmendëm më lart. Përrenjtë mbushën gjiret e dikurshme, të ndihmuar në këtë proces edhe nga tërheqja e liqenit. Konet e tyre përbëhen nga materiale tepër të trasha, por rrjedhjet ujore i kanë copëtuar, duke u dhënë brigjeve të ulëta pamje të çrregullt.
Hidrografia përbëhet nga disa përrenj të vegjël dhe nga burimet e shumta karstike: të Drilonit dhe të Tushemishtit, uji i të cilëve vjen nga liqeni i Prespës së Madhe dhe kreshta e Malit të Thatë. Regjimi hidrologjik i zonës karakterizohet nga një shpërndarje jo e rregullt sezonale dhe hapësinore e reshjeve. Masat kryesore ujore që rrjedhin në Liqenin e Ohrit janë burimet që rrjedhin nga Mali Galicica, dhe uji sipërfaqësor që rrjedh nga degët e tij.
Lumi i Pogradecit rrjedh nëpër qytetin e Pogradecit dhe origjina e tij është në malet përreth qytetit. Karakteristika kryesore është pjerrësia, rreth 9.2%, që paraqet një kërcënim për qytetin e Pogradecit gjatë stuhive të mëdha.
Lumi Verdovës derdhet në pjesën jugperëndimore të Liqenit të Ohrit.
Klima, kushtëzohet sidomos nga faktorët vendorë: ndikimi i liqenit, që zbut klimën e saj në dimër, kurse në stinën e verës e freskon.
Peizazhi i mbrojtur i Pogradecit përbën një ekosistem natyror kompleks ujor dhe tokësor. Përfshin disa nivele vegjetacioni të dalluara mirë, bazuar në kushtet klimatike dhe bio-fizike të zonës. Pyjet e lisit mbizotërojnë kodrat lindore të zonës dhe kodrat e Malit të Thate, si dhe pjesën e poshtme të kodrave në perëndim, në liqen, deri në 1,400m.
Llojet e rëndësishme përfshijnë llojet e dushqeve si: Quercus frainetto, Q. Pubescens, Q. Trojana, Q. Petrea dhe Q.cerris; llojet e tjerë: Carpinus orientalis, Ostrya carpinifolia, Fraxinus ornus, Prunus spinosa dhe Acer campestre. Sidoqoftë, pasi një pjesë e madhe e tyre janë degraduar, habitati pyjor është ndryshuar në shkurre me gjelbërim të përhershëm të Juniperus foetidissima, J. Oxycedrus dhe Buxus sempervirens. Në zonat më të ftohta pylli i lisit plotësohet gjithashtu nga Fraxinus excelsior dhe Acer opalus subsp. obtusatum.
Sipërfaqe të konsiderueshme zënë ripyllëzimit me Pisha e Zezë (Pinus nigra).
Në lartësi 1,200m, në kodrat në perëndim të liqenit, peizazhi karakterizohet nga pylli i degjeneruar i Ahut (Fagus sylvatica), Lajthia (Corylus avellana) dhe Shkoza e zezë (Carpinus orientalis).
Pylli i Gështenjës (Castanea sativa) mbizotëron në veri me shpatet e jugut drejt qytetit të Pogradecit dhe Buçimasit, kryesisht në kodrat afër Pogradecit, Verdovës, Gështenjasit dhe Leshnicës, në një lartësi mesatare midis 700-1,000m.
Zonat malore të Malit të Thatë karakterizohen nga bimësia e kullotave malore dhe alpine, 1,800- 2,200m. Në livadhet alpine mbizotërojnë kryesisht llojet: Arabis alpina, Aster alpinus, Achilea atrata, Festuca sp., Nardus rrepta, Juniperus communis, Vaccinum myrtillus,Potentilla erecta, etj.
Bimët më të zakonshme mjekësore janë: Gentiana lutea, Urtica dioica, Origanum vulgare, Thymus serpyllum, Trifolium campestre, Rosa canina, Salvia officinalis, etj.
Kullotat, tokat e punueshme dhe tokat e punueshme të braktisura ofrojnë mbështetje për llojet e shpendëve, kalimtarë të tjerë të vegjël.
Zogjtë më tipik janë kryesisht rendi Passeriformes (Parus major, Parus caerueleus, Parus lugubris, etj), Coturnix coturnix,. Erithacus rubecula, Passer localus, Troglodytes troglodytes, Alaudidae, Sylvia atricapilla, Sylvia cantillans, Sylvia melanocephala, Emberiza spp, Cettia cetti, Hippolais pallida, Upupa upupa, Regulus regulus, R. ignicapillus, Carduelis carduelis, Merops apiaster, Turdus merula, Garrulus glandarius, Picus viridis, Dendrocopos syriacus, Dendrocopos minor.
Llojet më të shpeshta të gjitarëve në zonën janë: Lundërza (Lutra lutra), Ariu i murmë (Ursus arctos), Ujku (Canis lupus), Kaprolli (Capreolus capreolus), Derri i egër (Sus scrofa), të tjera dhe gjitarë më të zakonshëm janë: Martes foina, Meles meles, Mustela nivalis, Vulpes vulpes, Sciurus vulgaris, Lepus europeus, Erinacues concolor, Glis glis, Apodemus flavicollis, A. sylvaticus, Talpa stankovici, etj. Po kështu takohen edhe Lakuriqët kryesisht Myotis nattereri, Nyctalus leisleri, Rhinolophus ferruequinum, R. blasii.
Amfibët dhe zvarranikët janë të zakonshëm të lidhur me habitate të ndryshme gjatë ciklit të jetës së tyre; veçanërisht habitatet ujore për riprodhim dhe funksione të tjera. Në zonën mund të vërehen kryesisht lloje të zakonshme, si: Triturus cristatus, T. Vulgaris, Salamandra salamandra, Bombina variegata, Rana balcanica , Rana dalmatina, Rana graeca, Bufo viridis, Hyla arborea, Emys orbularis, Natrix natrix,.Podarcis muralis, Lacerta viridis, Testudo Hermanni, Vipera amodytes, Coluber spp., etj.
Flora dhe fauna dhe shkalla e biodiversitetit në Liqenin e Pogradecit është e lidhur fort me cilësinë e ujit të liqeneve dhe kushtet e ekosistemit. Bimësia bregdetare e Liqenit të Pogradecit është e pasur me 125 lloje, nga të cilat 9 lloje janë bimë ujore.
Llojet më të zakonshme janë: Phragmites australis, Potamogeton spp., Chara spp., Ceratophyllum spp., Myriophyllum spp. etj. Bimësia luan një rol të rëndësishëm që funksionon si filtra biologjikë dhe mekanikë të ndotësve organikë dhe inorganikë. Bimësia ujore është gjithashtu e një rëndësie të madhe në erozionin dhe kontrollin e rrjedhës së ujit. Më tej, bimësia krijon një habitat vendas për lloje të ndryshme jovertebrore dhe vertebrore, dhe funksionon si tokë shumimi për shumë peshq dhe vend mbrojtës nga grabitqarët.
Fauna bentike e Liqenit të Pogradecit përmban një dendësi të lartë dhe shumëllojshmëri të llojeve arkaike, endemike dhe të rralla. Sfungjeri i rrumbullakët (Ochridospongia rotunda) gjendet vetëm në Liqenin e Pogradecit dhe është një lloj endemik dhe i rrallë. Grupi më i zakonshëm dhe i bollshëm janë Gastropodët (kërmijtë), dhe shumica e tyre në liqen janë lloje endemike. Niveli i lartë i endemizmit është i përfaqësuar edhe në taksonet e tjerë, si Triclads (Tricladida), Krimbat (Oligochaeta), Leeches (Hirudinea), Karkalecat (Ostracoda), Krustacet (Amphipoda) dhe (Isopoda).
Phyto dhe zooplankton, mikroalgat, janë tregues biologjikë dhe shumë të ndjeshëm ndaj ndryshimeve në regjimin/cilësinë e ujit. Fitoplanktoni përfaqësohet nga Cyclotella ocellata, Achnanthes minutissima, Achnanthes biasolettiana, Fragilaria capucina, etj. Llojet e ujërave eutrofike ose poltrofike janë Coccones ipediculus, Cymbella minuta, Gomphonema minutum, etj.
Zooplankton gjithashtu mund të përdoret si tregues i ndjeshëm i kushteve të ekosistemit të liqenit. Komunitetet e Zooplanktonit përbëhehen kryesisht nga Gastropuss tylifer, Keratella cochlearis, Filina terminalis; Dafnia pulicaria dhe Eudiaptomus gracilis.
Fauna e peshkut të Liqenit të Pogradecit përmban 60% të llojeve endemike të peshqve. Takohen 21 lloje vendase të peshqve, nga të cilat 11 shfrytëzohen për tregëti, përfshirë edhe dy salmonidet e mirënjohur, Korani (Salmo letnica) dhe Belushka (Salmothymus ohridanus). Gjithashtu, lloje të rëndësishme për peshkim janë: Alburnus alburnus, Cyprinus carpio, Anguilla anguilla, Rutilus rubilio ohridanus, etj.
Pellgu ujëmbledhës i Liqenit të Pogradecit janë identifikuar 23 lloje shpendësh, si: Fulica atra, Netta rufina, Athya Fuligula. Anser albifrons, Podiceps nigricollis, Tachibaptus ruficollis, Phalacorcorax pygmaeus, Pelecanus crispus, Ciconia ciconia, Circus cyaneus, etj.
Liqeni i Ohrit dhe liqenet e Prespës përbëjnë një bërthamë të rëndësishme të Rezervës së Biosferës. Numri i madh i fosileve të gjalla të llojeve endemike, parruazorë (sidomos molusqe gastropodë) dhe rruazorë (peshq), i japin liqenit vlera të trashëgimisë botërore.
Në territorin e PM janë evidencuar: 13 tipe habitatesh natyror, sipas Listës së Habitateve të Natura 2000, 12 lloje, floristike të rëndësishme dhe 9 lloje, endemike, 2 lloje, i përkasin aneksit IV, të Direktivës së Habitatit, dhe 1 lloj, Konventës e Bernës.
Liqeni i Ohrit dallohet për numrin e lartë të llojeve endemike të algave një qelizore ose diatomeve me mbi 80 lloje. Në liqen rritet gjithashtu edhe një makro algë endemike, Shara e Ohrit (Chara ohridana), kurse në habitatet tokësore krahas llojeve obligate të mjediseve serpentiore Festukops i serpentinës (Festucopsis serpentini) gjenden edhe 3 lloje të tjera endemike: Luleshurdha (Taraxacum ohritense, Taraxacum oppidanum dhe Taraxacum meyeri).
Më 5 Korrik 2019, për shkak të pasurisë së lartë biologjike dhe kulturore të Liqenit të Ohrit, pjesa shqiptare e tij bashkë me zonën përreth, u përfshi në Listën e Trashëgimisë mikse Natyrore dhe Kulturore Botërore të UNESCO-s.