Peizazhi i mbrojtur “Krastë-Verjon”

Peizazhi i mbrojtur “Krastë-Verjon”

Peizazh i Mbrojtur Krastë-Verjon, Kategoria e V (IUCN). Shpallur me VKM nr. 468, datë 26.07.2018, sipërfaqja 1469.239 ha.

Ndodhet në vargun Krujë-Dajt. Zona ndërtohet nga gëlqerorët e Trias-Jurasit dhe të Kretës së sipërme, nga magmatiket (ultrabaziket) dhe pjesërisht nga Flishe, mbi zonën tektonike të Krastë-Cukalit dhe të Krujës. Pjesët më të ulëta të tyre, sidomos në krahët perëndimor të strukturave, mbulohen nga flishi i Krastë-Cukalit. Në zhvillimin morfologjik të vargut malor një rol të madh kanë luajtur thyerjet tektonike dhe zhvillimi i vrullshëm neotektonik PliocenKuaternar.

Rrjedhim i këtij copëtimi dhe i larmisë morfologjike e litologjike është formimi i një relievi me kontraste të theksuara, i ndarë në male të veçanta. Vargu kodrinor Krastë-Shelbun fillon nga gryka e përroit të Zezës deri në kodrën e Shelbunit, duke u kufizuar në lindje, nga vargu malor Krujë-Dajt e Mali i Velës dhe në perëndim, nga fusha e Tiranës dhe e Lezhës. Përfaqësohet kryesisht nga një serë kodrash me lartësi 300-500m, që janë përçarë tërthor nga përroi i Zezës, i Drojës, etj.

Si rezultat i lëvizjeve ngritëse sipërfaqja e tarracës detare sot gjendet në lartësi të ndryshme mbi nivelin e detit. Niveli i dytë i tarracës së vjetër detare dallohet qartë në Krastën e Krujës, që ndan vargun Krujë-Dajt nga kodrat e Krastës (në jug të vargut); kurse niveli i tretë gjendet me poshtë rreth 60m mbi nivelin e detit.

Kodrat e Krastës, shtrihen nga përroi i Zezës, deri afër fshatit Gjorm, kanë drejtim veriperëndim-juglindje. Në përgjithësi ka shpate asimetrike, për shkak të një thyerjeje tektonike që kalon në perëndim, të tyre dhe të përbërjes së ndryshme litologjike (karbonatike në pjesën qendrore dhe terrigjene në skajin verior dhe jugor). Në pjesën qendrore gjenden gjurmë të tarracave detare Kuaternare, dëshmi e abrazionit detar të dikurshëm.

Dukuritë e format karstike janë mjaft të zhvilluara, veçanërisht; ato sipërfaqësore, pjesërisht edhe nëntokësore. Në skajin verior, vargu vjen duke u ulur për shkak të zhytjes së strukturës të Makareshit, nën depozitimet neogjenike.

Vargu kodrinor i Krastës ndërpritet tërthor nga lugina e përroit të Zezës, e përroit të Drojës etj, të cilët kanë thelluar shtratin e tyre gjatë ngritjes neotektonike. Veçori karakteristike janë ngushtimet që pësojnë, kur kalojnë nëpër shkëmbinjtë gëlqerorë dhe zgjerimet, kur futen në shkëmbinjtë terrigjene.

Zona Krastë-Verjon përfaqëson një ekosistem kompleks kodrinor. Mbulesa bimore është relativisht e varfër. Brezi i ulët (deri në 600m) është i veshur me makje (Mare, Shqopë, Ilqe, Xinë, Mretë, Krifshë, Dëllinjë e kuqe etj., etj.). Këto përbëjnë bimësinë karakteristike përherë të blertë, deri në brendësi të luginave lumore. Në pjesët e tjera, si pasojë e rritjes së lartësisë, ndodhin ndryshime në mbulesën bimore. Pyjet halorë janë kryesisht ripyllëzime me pisha mesdhetare.

Bazuar në përditësimin e fundit (Nëntor 2019) të “Krastë-Verjon” është evidencuar: 1 tip habitati natyror, sipas Listës së Habitateve të NATURA 2000.

Gjithashtu, janë evidencuar lloje faunistike si: 1 lloj, Të rrezikuar, 8 lloje, Thuajse të rrezikuar, 6 lloje, Vulnerabile, 47 lloje, Jo shqetësues, 2 lloje, Nuk ka të dhëna dhe 14 lloje, Jo në listën e IUCN-s.

 

Previous Peizazhi i Mbrojtur “Liqeni i Pogradecit”

NA NDIQNI

Facebook: Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura
Instagram: @akzmalbania
Twitter: @akzmalbania

NA KONTAKTONI

E-mail: Info@akzm.gov.al
Adresa: Bulevardi “Dëshmoret e Kombit” Nr.1,1001,Tirane
Orari
E hënë – E enjte 08:00 – 16:30
E Premte 08:00 – 14:00

MINISTRIA E TURIZMIT DHE E MJEDISIT

ZBULO MË SHUMË PËR AKZM