Parku Natyror “Zagori”, me Vendimin e Këshillit të Ministrave nr. 60, datë 26.1.2022 u miratua ndryshimi i sipërfaqes së ekosistemit natyror “Zagori”, shpallur “park natyror” (kategoria IV e zonave të mbrojtura), nga 24 590 ha në 24 607.63 ha.
Parku Natyror Zagori është pjesë e Rajonit të Krahinës Malore Jugore. Vargmalet ndërtohen nga gëlqerorë të paleogjenit dhe më pak nga të kretakut. Luginat që i ndajnë dhe pjesët e poshtme të shpateve ndërtohen nga formacione terrigjene dhe depozitime kuaternare. Elementet kryesore morfostrukturore të tyre janë antikinali Trebeshinë-Dhëmbel-Nemërçkë dhe ShëndëlliLunxhëri-Bureto, që ndahen nga sinklinali Zagori-Pogon-Maricaj.
Relievi dallohet për përhapje të gjerë të formave karstike. Në pjesët më të larta të vargmaleve, kryesisht në shpatet lindore të Nemërckës dhe malit të Lunxhërisë, mbi 1,700m lartësi, ruhen ende gjurmë të akujve të kuaternarit, në trajtën e cirqeve dhe të depozitimeve periglaciare. Malet ndahen nga njeri-tjetri nga lugina, gryka e qafa, që shpesh shtrihen në lartësi të mëdha. Kështu, lugina e Zagori-Pogonit ndan vargun Dhëmbel-Nemërçkë nga Lunxhëri-Bureto, ndërsa Trebeshina ndahet nga Shëndëllia prej luginave të vogla të Maricajt dhe të Mezhgoranit.
Ndër qafat më të rëndësishme janë: Qafa e Çajupit (në qënder të malit të Lunxhërisë), Qafa e Dhëmbelit (ndërmjet malit të Dhëmbelit e Nemërçkës), Qafa e Kiçokut, (në veri të Malit të Trebeshinës) dhe Qafa Martin, që ndan Nemërçkën nga Mali i Makrikambos. Zheji shtrihet në shpatin lindor të Malit të Lunxhërisë, afër qafës së famshme të Çajupit, në lartësitë 6001,776m.
Mali i Lunxhërisë, shtrihet midis Grykës së Këlcyrës dhe të Sukës, në një gjatësi rreth 30km dhe gjerësi që luhatet nga 4-7km. Maja më e lartë është e Spilesë (2,155m). Maja të tjera janë Goliku (1,722m), Strakaveci (1,958m), Marota (2,039m), Kosula (2,090m), Çajupi (1,536m) etj. Mali i Lunxhërisë ndërtohet nga gëlqerorë të kretak-paleogjenit dhe më pak nga flishe dhe depozitime të kuaternarit. Peizazhi karstik përfaqësohet nga forma të shumëllojshme ku dallon sidomos fusha e Çajupit (2.5km2) me origjine tektoniko-karstike. Kjo fushë malore shquhet për bukurinë e peizazhit dhe klimën e shëndetshme. Në fundin e saj dalin burime të rëndësishme karstike. Shpati lindor i malit të Lunxhërisë, që bie në drejtim të luginës së Zagorisë, është më i rregullt. Mbi lartësinë 1,800m, ruhen gjurmë të 6-7 cirqeve akullnajore të vendosura në një rresht. Prej tyre dalin përrenj të përkohshëm me shtrat të ngushtë e relativisht të thellë, të cilët në luginën e Zagorisë përfundojnë me kone të vjetra depozitimi.
Nga Topova e deri në Peshtan relievi është tepër i thyer me pjerrësi të madhe (si te Shkëmbi i Zhejit), ku merr pamjen e humnerave. Rrjeti hidrografik në këtë krah mungon krejtësisht, burimet janë të pakta dhe me prurje të vogël.
Vargu Shëndelli-Lunxhëri-Bureto, sikurse vargu Trebeshinë-Dhëmbel-Nemërçkë, ka mbulesë bimore të varfër. Takohen rrallë dushqet e më rrallë halorët. Në brezin e poshtëm, deri në lartësinë 700-800m, rriten shkurre, të cilat shpesh janë zëvendësuar nga drurë frutorë. Kjo vihet re në zonën e Lunxhërisë dhe të Rrëzës. Vargu përmendet për kullotat e pasura verore si ato të Çajupit.
Lugina e Zagorisë, ndan Malin e Lunxhërisë, në perëndim, nga Dhëmbeli, në lindje. Lugina e Zagorisë është një luginë sinklinale, me shtrat të ngushtë dhe shpate të pjerrëta, ku në pjesën e poshtme, vjen duke u ngushtuar. Fundi i luginës ndodhet në lartësinë 700m dhe 200m (në grykëderdhje). Proceset erozive në luginën e Zagorisë, sidomos në shpatin e djathtë, janë mjaft të fuqishme.
Lugina e Zagorisë përshkohet nga përroi i Zagorisë, me gjatësi 27km, që derdhet në Lumin Vjosë dhe krijon një pellg ujëmbledhës me sipërfaqe 171km2. Lumi ushqehet nga burime të shumta karstike, sidomos në krahun e djathtë të luginës. Ujërat e tij përdoren për ujitjen e tokave bujqësore. Në përroin e Zagorisë, që përshkon mespërmes luginën, janë të zhvilluara mirë zallishtorja dhe tarracat lumore. Shtrati është i ngushtë, vende-vende i cekët dhe i papërpunuar mirë. Në këtë luginën vërehen edhe 2-3 nivele tarracash erozivo-akumuluese.
Klima e Zagorisë është me dimër relativisht të ftohtë, me reshje të shumta bore, që formojnë shtresë të qëndrueshme. Erërat e ftohta që fryjnë përmes luginës e ulin shumë temperature, deri në formimin e ngricave. Tokat përfaqësohen të katër zonat vertikale. Përhapja e madhe e formacioneve gëlqerore, relievi tepër i copëtuar, shpatet e thepisura, bimësia e varfër dhe shumë e varfër, reshjet e çrregullta etj, nuk janë të përshtatshme për krijimin e shtresës së dheut, ku mbi zotërojnë terrene shkëmbore dhe toka të varfra skeletore, por përhapjen më të madhe e kanë tokat e hirta kafe dhe të kafenjta.
Mbulesa bimore e luginës është relativisht e rrallë. Sipërfaqe të shumta pyjore janë shpyllëzuar dhe mbjellë me kultura bujqësore. Rriten llojet e dushqeve, Lajthia e egër etj. Brezi i dytë bimor i dushkut, i cili ngjitet deri në 1,200m lartësi, ka përhapje relativisht të madhe, sidomos në pjesën lindore. Përfaqësohet nga llojet e Qarrit, Bungës, Bungëbutës, Shparthit, Bulgrit. Në këtë zonë rriten me pakicë Gështenja e kalit, Panja, Frashri, Bliri, Mëlleza, Krekëza etj.
Brezin e tretë e përbëjnë halorët, siç Bredhi i bardhë, Pisha e zezë, etj., të cilët shtrihen nga 1,100-1,200m deri në 1,800-1,900m, por në sektorë të veçantë, në varësi të topografisë dhe mikroklimës, zbresin më poshtë ose ngjiten më lart.
Brezi i kullotave alpine zë territore të pakta, në lartësitë mbi 2,000-2,200m (Nemërçkë, Lunxhëri etj).
Gjithashtu rajoni është i pasur në bimë mjekësore, aromatike e mjaltëse, që përbëjnë një pasuri të madhe edhe për vendin.
Fauna nuk është e pasur në kafshë të mëdha, gjitarë barngrënës dhe mishngrënës. Kafshë të rralla të kësaj krahine janë: Ariu i murrmë, Macja e egër, Rrëqebulli, Ujku, Dhelpra, Dhija e egër, Kunadhja, Derri i egër, Lepuri, Baldosa etj. Nga shpendet gjendet Shqiponja, Thëllëza e malit rrallë Gjeli i egër, Pëllumbi i egër, Turtulli, Shkurta etj.
Pozicioni në jug të vendit, në reliev shumë të thyer, në të cilin gërshetohet ndikimi i klimës mesdhetare me atë malore, larg rrugës kombëtare dhe në një zonë aktualisht shumë pak të populluar, ka siguruar qetësi natyrore dhe, për pasojë, biodiversitet të lartë të habitateve dhe të llojeve. Dallohet për shoqërimin bimor të bredhit të Maqedonisë (Abies borisii-regis), i cili, siç theksuam më lart, ka rëndësi shumë të madhe ekologjike, vlera natyrore, biologjike, peizazhore, skenike të veçanta dhe shkencore.
Bazuar në përditësimet e fundit (Nëntor 2019) në territorin e RNM/PN “Zagori” janë evidentuar: 6 tipe habitatesh natyror.
Gjithashtu, janë evidencuar llojet faunistike të Listës së IUCN-s, ku: 1 lloj, Seriozisht të rrezikuar, 2 lloje, Të rrezikuar, 9 lloje, Thuajse të rrezikuar, 10 lloje, Vulnerabile, 52 lloje, Jo shqetësuar, 3 lloje, Nuk ka të dhëna dhe 17 lloje, Jo në listën e IUCN-s.