Syri i Kalter

Syri i Kaltër

Parku Natyror “Syri i Kaltër”, me Vendimin e Këshillit të Ministrave nr. 60, datë 26.1.2022 u miratua ndryshimi i statusit dhe sipërfaqes së ekosistemit natyror “Syri i Kaltër” nga “monument natyror” (kategoria III e zonave të mbrojtura) në “park natyror” (kategoria IV e zonave të mbrojtura), me sipërfaqe nga 180 ha në 293.30 ha.

Ndodhet në afërsi të fshatit Muzinë, përballë fshatit Krongji, në rrëzën perëndimor të Malit të Gjerë, në lartësitë rreth 70-100m mbi nivelin e detit dhe pranë rrugës kombëtare Gjirokastër-Delivë-Sarandë.

Dukuritë më interesante janë burimet e shumta karstike dhe ekosistemi pyjor rreth tyre. Burimet dalin në kontaktin tektoniko-litologjik midis gëlqerorëve të karstëzuar dhe terrigjenëve të papërshkueshëm. Për shkak të karstit tepër të zhvilluar në Malin e Gjerë, pellgu hidrogjeologjik (nëntokësor) i burimeve është shumë më i madh sesa pellgu topografik (sipërfaqësor) i tyre. Kjo ka kushtëzuar koeficientin shumë të madh të rrjedhjes (1,21), që do të thotë se nga këta burime del më shumë ujë sesa sigurohet nga reshjet që bien në pellgun e tyre topografik. Ky ujë i tepërt sigurohet nga reshjet, që bien në shpatin lindor të Malit të Gjerë. Pasi kalon në boshllëqet e shumta karstike nëntokësore të këtij mali, ky ujë del në formën e burimeve të fuqishme në kontaktin me formacionet e papërshkueshme. Me këtë dukuri lidhen edhe prurjet e mëdha të ujit të burimeve, 17,7 m3/sek regjimi gati i rregullt i tyre dhe mënyra e daljes së ujit në sipërfaqe. Këtu zë fill lumi i Bistricës.

Burimi më i madh dhe më interesant, ndër 18 burimet karstike që shpërthejnë në rrëzë të Malit të Gjerë, është “Syri i Kaltër”, me prurje mesatare vjetore 6 m3/sek. Uji i ftohtë dhe i pastër si kristal i këtij burim shpërthen nga poshtë lart, duke të lënë përshtypjen e një kazani që “vlon”. Në fundin e pusit vertikal të burimit, zë fill një galeri horizontale, nëpër të cilën vjen uji nga masivi gëlqeror i Malit të Gjerë. Në qendër të “syrit” të rrumbullakët me diametër disa metra, ndodhet “bebja”, me ngjyrë blu në të zezë, e cila rrethohet nga pjesa e kaltër e Syrit.

Uji i burimit përfundon në liqenin e hidrocentralit të Bistricës. I rrethuar nga bimë përherë të blerta dhe rrepe shekullore, burimi i Syrit të Kaltër dhuron pamje magjepsëse, ku ngjyrat shkrihen dhe harmonizohen me njëra-tjetrën, sa e ke të vështirë të dallosh kufirin midis ujit dhe bimëve. Kjo mrekulli e natyrës, tërheq shumë turistë, të cilët mahniten me ngjyrat dhe ujërat e kthjellëta të burimit.

Nga lashtësia e deri më sot, njerëzit, duke e parë këtë burim uji si fillesën e jetës, kanë kryer rite fetare. Afërsia e tij me qytetet e lashta, si Finiqi e Butrinti, të krijon bindjen se Syri i Kaltër mund të ketë qenë qendër ritualesh të ngjashme me ato në Francë dhe Itali. Ritualet pagane bëheshin për të nderuar perënditë e tyre, duke bërë fli kafshë dhe duke hedhur në burim verë, vegla të ndryshme. Ende njerëzit hedhin monedha, për fat të mbarë.

Ekosistemi pyjor mesdhetar përreth burimeve përbëhet nga drurë të lartë e të vjetër të Rrapit (Platanus orientalis), Qarri (Quercus cerris), Shpardhi (Quercus frainetto Ten), Bulgri (Quercus trajana Webb), Bungëbuta (Quercus pubescens Wild) dhe bimësi higrofile. Vendevende vegjetacioni është i dendur dhe i padepërtueshëm, është një “xhungël” e vërtetë.

Edhe bota shtazore është e larmishme. Në këtë ekosistem, kohët e fundit, është takuar një lloj i ri lakuriqi nate për vendin tonë (Myotis bechsteini).

Syri i Kaltër përbën një ndër zonat më të rëndësishme të kësaj kategorie për shkak të burimit ujor madhështor që del në luginën e Bistricës. Habitati që krijon rrjedha ujore si dhe bimësia përreth tij e bëjnë atë një ekosistem natyror interesant për jetën e gjallesave bimore dhe shtazore.

Bazuar në përditësimet e fundit (Nëntor 2019) në territorin e PN janë evidencuar: 7 tipe habitatesh natyror, 7 lloje, floristike të rëndësishme, 3 lloje, endemike, 1 lloj, të Aneksit IV, të Direktivës së Habitatit dhe 1 lloj, të Listës së Kuqe të IUCN-s. Krahas bimësisë gjethembajtëse dhe gjethe rënëse të përfaqësuara nga Prralli, Marja, Ilqja, Gjineshtra dhe dushqet me shkozën, etj. Në zonë rriten edhe Lule Boçebore e mbretëreshës Ollga (Galanthus reginae-olgae) si dhe mbi 30 lloje saleporesh.

Gjithashtu, janë evidencuar llojet faunistike të Listës së IUCN-s, ku: 1 lloj, Të rrezikuar, 9 lloje, Thuajse të rrezikuar, 9 lloje, Vulnerabile, 40 lloje, Jo shqetësuar, 2 lloje, Nuk ka të dhëna dhe 13 lloje, Jo në listën e IUCN-s.

NA NDIQNI

Facebook: Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura
Instagram: @akzmalbania
Twitter: @akzmalbania

NA KONTAKTONI

E-mail: Info@akzm.gov.al
Adresa: Bulevardi “Dëshmoret e Kombit” Nr.1,1001,Tirane
Orari
E hënë – E enjte 08:00 – 16:30
E Premte 08:00 – 14:00

MINISTRIA E TURIZMIT DHE E MJEDISIT

ZBULO MË SHUMË PËR AKZM