default

Porto Palermo

Parku Natyror “Porto Palermo” është shpallur me VKM Nr. 557, dt 29.07.2022, kategoria IV e zonave të mbrojtura. “Parku Natyror” i Gjirit të Porto-Palermos ka një sipërfaqe të përgjithshme prej 1 694.98 ha, nga e cila: 1 490.4 ha ose 87.93% janë sipërfaqe detare dhe 204.58 ha ose 12.07% janë sipërfaqe tokësore.

Zona e mbrojtur Gjiri Porto Palermos-Llamani gjendet tërësisht brenda territorit administrativ të Bashkisë Himarë dhe shtrihet në juglindje të qytetit.

Zona e mbrojtur përfshin pjesë detare dhe tokësore. Terreni është kryesisht shkëmbor, në mjaft raste bien direkt në det. Pjerrësia është krijuar kryesisht nga shkëmbinj gëlqeror. Pjerrësitë përgjatë bregdetit janë të mbuluar me bimësi të ndryshme. Depozitat e zhavorrit janë të pranishme në rrymën e deltës së bregdetit. Këto dukuri kanë krijuar plazhet të bukura. Përgjithësisht është e varfër në rrjetin hidrografik. Në gjirin e Llamanit, në pjesën jugore të tij, gjenden edhe disa burime ujore nëndetare. Burime të tilla gjenden dhe në gjirin e Portopalermos (Armeridhës).

Klima është shumë e ndryshme për shkak të pozicionit gjeografik, amplitudës së madhe të lartësisë mbi nivelin e detit dhe kryesisht për shkak të relievit. Në përgjithësi, zona e mbrojtur ka klimë mesdhetare, për shkak të pozicionit gjeografik dhe shtrirjes së saj. Reshjet mesatare vjetore janë vlerësuar nga 1,000-1,200mm/vit, në formën e shiut.

Brenda sipërfaqes së ZM gjenden: Kodra e Ullirit të Hollë, plazhi i Llamanit, Qafa e Lerës, Gadishulli i madh i Kavadonit, Rrënojat e ndërtesave ushtarake, fortifikime dhe tuneli; Stanet, Moli, Ndërtesa të peshkatarëve, Kisha e Shën Nikollës, Kalaja e Aliut, Maja e Palermos, në të cilën janë vendosur antenat e komunikimit, një bimësi mesdhetare dhe të kullotave.

Mjediset bregdetare-detare e nënujor karakterizohen nga shkëmbinjtë dhe gjiret. Takohen Gjiri i Llamanit, Gjiri i Porto Palermos, i cili përbëhet nga dy gjire: Armeridhës dhe Shën Nikollës si dhe Gjiri i Gravës, në jug.

Të dhënat studimore dhe ato të mbledhura nga kërkimet e fundit në rajonin bregdetar jugor të Shqipërisë, tregojnë një florë të pasur dhe diversitet të madh të habitateve, shoqërimeve bimore, të llojeve me një rëndësi të veçantë kombëtare, nga pikëpamja shkencore, ekologjike dhe socio-ekonomike.

Vegjetacioni i zonave të ulëta apo pyjet dhe shkurret, gjithmonë të gjelbra, shtrihet nga ultësira bregdetare deri në lartësinë 900m.

Shoqërimet me formacionet e Rryellit/Flomit (Euphorbia dendroides) janë konsideruar më interesante dhe afërsisht unike në Shqipëri. Është habitat natyror me rëndësi rajonale. Takohen pyje gjethegjerë gjithmonë të gjelbër dhe pyjet e dominuara nga Quercus ithaburensis subsp. macrolepis (i njohur lisi i Vlorës), është lloje dominuese e pyjeve të lisit. Ky tip pylli gjendet në rajonin Himarë-Porto Palermo dhe konsiderohet lloje relikte që prej periudhës Terciare.

Përbërja floristike e kësaj bashkësie konsiston kryesisht në llojet: Anagyrris feotida, Salvia triloba, Lotus cytisoides, Phlomis fruticosa, Glaucium flavum, Galium aparine, Pistacia terebinthus, Salvia triloba, Calicotome villosa, Spartium junceum, Ruscus aculeatus, Asparagus acutifolius, Urginea maritima, Asphodelus aestivus, Chrysopogon gryllus, Acanthus spinosus, Trifolium angustifolium, Brassica incana, Paliurus spina-christi, etj.

Bimësia e shkëmbinjve bregdetare, Bimësia xero-halophytic e klasës Crithmo-Limonietea dominon shtresën më të ulët mbi nivelin e veprimit të valëve. Llojet më të zakonshme në këtë zonë janë Crithmum maritimum, Limonium anfractum, Elymus pycnanthus, Desmazeria marina, Lotus cytisoides etj, të cilat përfaqësojnë bashkësitë endemike Crithmo-Limonietum anfracti.

Barërat e detit janë të llojeve Magnoliophytes detare. Formojnë shtretërit nënujor, të cilat janë habitate të rëndësishme për ekosistemet detare. Ato ofrojnë ushqim dhe strehim për një numër të madh të llojeve detare.

Në zonë janë të pranishme tre lloje bimësh: Posidonia oceanica, Cymodocea nodosa dhe Halophila stipulacea. Posidonia oceanica ose bari i detit, është lloji më i bollshëm, që formon livadhe të mëdha në thellësi të cekët dhe të mesme. Livadhet me Posidonia janë ndër habitatet më të rëndësishme të Mesdheut, dhe ruajtja e tyre është një prioritet i lartë kombëtar dhe ndërkombëtar.

Kufiri i sipërm i livadheve me Posidonia është identifikuar në 3.5m thellësi dhe në kufirin më të ulët në 28m. Një grup i ngushtë me Posidonia, me gjethe të shkurtër gjendet në një zonë të poshtme shkëmbore, përballë kështjellës, në 23m thellësi. Në zonat, ku pastërtia e ujit është më e lartë, janë vërejtur shtretër me Posidonia në thellësinë 25-27m. Në përgjithësi, zona tregon një regres të këtij kufiri të poshtëm me thellësi që shkon në 18-20 m.

Ndër habitatet më të ndjeshme të Mesdheut duhen përmendur Lithophylum byssoides (të ndjeshëm ndaj hidrokarbureve) për zonat mediolittorale, komunitetet Cystoseira si një indeks hydrodinamik në zonën e sipërme littorale dhe livadhet me Posidonia, në zonën infralitorale.

Në zonën e Porto Palermos-Llamani është gjetur një diversitet i madh peshku, por ato më të zakonshmet janë: Chelon sp., Mullus surmulletus, Diplodus sp., Coris juli, Serranus cabrilla, Oblada sp., Chromis sp., etj. Brenda dhe përreth gjirit të Porto Palermos-Llamani takohen 26 lloje të peshqëve.

Në zonën e Palermos, sipas studimeve të deri sotme, janë regjistruar 54 lloje, floristike, prej tyre 10 lloje, cilësohen të rëndësishme dhe 13 lloje, përfshihen në Librin e Kuq të Florës dhe Faunës Shqiptare. Algat përfaqësohen nga 52 lloje (12 të gjelbra,14 të kafe dhe 26 të të kuqe). Llojet detare përfaqësohen nga 31 lloje, të cilët mbrohen nga Protokolli i Barcelonës, Konvenat e Bonit, e Bernës dhe e CITES. Llojet peshkore përfaqësohen nga 26 lloje. Livadhet me Posidonia oceanica janë ndër habitatet më të rëndësishme të Mesdheut dhe të ZM. Ruajtja e tyre është prioritet i lartë kombëtar dhe ndërkombëtar (Direktiva për Habitatet BE 92/43/CEE, 21 maj 1992). Posidonia oceanica është përfshirë në Shtojcën I (Llojet e Florës së mbrojtur në mënyrë rigoroze) të Konventës së Bernës, dhe Shtojca II (Lista e llojeve të rrezikuara ose të kërcënuara) të Konventës së Barcelonës. Posidonia oceanica është përfshirë gjithashtu në Listën e Kuqe të Florës Shqiptare. Në zonën e Porto Palermos janë regjistruar 2 lloje bimësh invasive/pushtuese, Agave americana L. dhe Ailanthus altissima (Mill.) Sëingle.

Zona e Porto Palermos - Llamanit, sidomos gjiret, janë një burim shumë i rëndësishëm për peshkimin dhe marinë-kulturën.

Livadhet me Posidonia formojnë lëndina nëndetare. Hapësira e pastër detare-bregdetare me vlera nënujore ende të paprishura, si prania e mbetjeve arkeologjike (amforat) të shekullit II para Krishtit, është fantastike për zhytësit. Në zonë janë edhe tri qendra të rritjes së peshkut (marinë-kulturë).

NA NDIQNI

Facebook: Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura
Instagram: @akzmalbania
Twitter: @akzmalbania

NA KONTAKTONI

E-mail: Info@akzm.gov.al
Adresa: Bulevardi “Dëshmoret e Kombit” Nr.1,1001,Tirane
Orari
E hënë – E enjte 08:00 – 16:30
E Premte 08:00 – 14:00

MINISTRIA E TURIZMIT DHE E MJEDISIT

ZBULO MË SHUMË PËR AKZM