Munelle

Munellë

Parku Natyror “Munellë”, me Vendimin e Këshillit të Ministrave nr. 60, datë 26.1.2022 u miratua shpallja “park natyror” (kategoria IV e zonave të mbrojtura) të ekosistemit natyror “Munellë”, me sipërfaqe 20 760.05 ha.

Bazuar në ndarjen gjeografike dhe fizike të Shqipërisë, rajoni i Munellës konsiderohet si pjesë e masivit të Pukë-Mirditës brenda kompleksit të rajonit të malësisë qendrore. Ky masiv malor është ngritur gjatë periudhës “Pliocene-Kuaternare”, për shkak të lëvizjeve të reja tektonike në formën e një blloku që janë shoqëruar me fundosje në pjesët fundore. Ngritja më e madhe ndodhi në Malin e Munellës dhe Krab-Kunore-Dardhë. Masivi ka një gjatësi dhe gjerësi pothuajse të barabartë (45-46 km), një sipërfaqe prej 2000 km2, dhe një formë shumëkëndëshi me drejtim kryesor verilindje-jugperëndim.

Masivi malor përbëhet kryesisht nga shkëmbinj magmatikë ku dominojnë gurët ultrabazikë që përbëjnë rreth 40% të sipërfaqes. Janë gjithashtu të pranishme formime sedimentare gurësh vullkanikë. Shkëmbinjtë ultrabazikë formojnë masive si ai i Gomsiqes, Tërbunit, Krabit, etj., me të cilët janë të lidhur blloqet malore, ndërsa vullkanogjenet kanë një strukturë monoklinale të lidhur nga pjesët anësore me vargmale të tjerë. Janë gjithashtu të pranishme formime gëlqerore. Lugina më e madhe e Fanit të Madh e të gjithë masivit është e formuar për shkak të thyerjeve tektonike që ndajnë strukturat e përmendura më sipër.

Mali i Munellës është i ngritur menjëherë nga rrethinat e tij dhe kjo është e lidhur me lëvizje intensive ngritëse dhe me përbërje gëlqerore. Maja e Kryqit (1991 m) përbën majën më të lartë të të gjithë zonës malore të Pukë-Mirditës. Nga veriu, jugu dhe perëndimi i Munellës, drejt luginave të të dy lumenjve të Fanit (Fani i Madh dhe Fani i Vogël), relievi ulet menjëherë dhe merr formën e një shkalle të gjerë me strukturë erozive, duke mbuluar pjesën më të madhe të zonës.

Gjurmët e aktivitetit të akullnajave në periudhën e kuaternare janë të pranishme në shpatin lindor të Malit të Munellës, në formën e shpatullave dhe rrëpirave, dhe në shpatin verior të Krrabit dhe Tërbun –Kuzhnenit, etj.

Tokat mbizotëruese në zonën e Malit të Munellës, janë ato të llojit të kafenjtë, të cilat të zhvilluara në formën e substrateve ultrabazikë, janë shumë të pasura me kripë magnezi. Lloji i dytë mbizotërues janë tokat e murrme pyjore, të përhapura në zonën e pyjeve të ahut dhe brezit të pishave në lartësi prej 1200-1800 m.n.d. Tokat e livadheve malore kanë një prani shumë të kufizuar në lartësitë e mëdha të kësaj zone, veçanërisht në vargmalet e Munellës dhe Tërbun-Kuzhnenit. Së bashku me llojet tokave të përmendura më sipër ka edhe lloje primitive, të cilat janë të pranishme në zona të kufizuara të shpateve të pjerrët të Munellës dhe maleve përreth, në vendndodhje ranore të Lumit Fani i Madh dhe në disa përrenj malorë.

Duke iu referuar klasifikimit klimatik për Shqipërinë, kjo zonë ndodhet në zonën veriore Mesdhetare: fushore, kodrinore dhe paramalore.

Rrjeti hidrologjik i luginës përfaqësohet nga basenet e Fanit të Madh dhe Fanit të Vogël. Ata janë të lidhur me sistemin e dendur të lumenjve dhe degëve. Fani i madh ka një basen prej 542 km2 dhe burimi i tij fillon në Qafën e Malit derisa bashkohet me Fanin e Vogël në basenin e Rrëshenit duke mbajtur një drejtim të përgjithshëm verilindje-jugperëndim. Rrjeti hidrologjik i Fanit të Vogël përfaqësohet nga vetë lumi dhe nga një numër përrenjsh dhe degësh të vogla. Prurjet më të mëdha të ujit (16,5 m3/s) regjistrohen gjatë verës duke shfaqur karakterin alpin të lumit.

Shpërndarja e çrregullt e reshjeve përgjatë vitit dhe shkëmbinjtë e përmendur më sipër janë arsyeja e regjimit të çrregullt të rrjedhave të ujit në disa degë në rajon. Gjatë sezonit të thatë (gjatë verës) disa përrenj në zonë thahen, ndërsa të tjerë kanë një rrjedhë uji goxha të kufizuar. Më i bollshmi me ujë është Fani i Madh dhe Lumi i Gomsiqes, të cilat janë përherë me ujë të rrjedhshëm.

Në zonën e Malit të Munellës, deri më tani janë regjistruar 459 specie bimore dhe ato i përkasin 87 familjeve dhe 262 gjinive. Në zonën e Munellës hasen 44 specie të cilat janë pjesë e Listës së Kuqe të Florës Shqiptare, ku 13 prej tyre kanë status në rrezik, nga të cilat 3 janë nënendemike. 3 specie endemike janë pjesë e listës me një status më të moderuar si VU, LRcd dhe LRnt.

Zona e Munellës ka katër brezat e bimësisë/zona fitoklimatike që hasen në vendin tonë, të cilat pasqyrojnë vlerat e florës, bimësisë dhe habitateve të vendit: 1) shkurret dhe pyje mesdhetare 2) brezin e dushkut 3) brezin e ahut dhe 4) kullotat alpine.

Në zonën e Munellës ekzistojnë 7 specie të listës floristike, të cilat mbrohen nga konventat ndërkombëtare. Në zonë gjenden 5 specie CITES të renditura në shtojcën I si Abies alba, Pinus heldreichii, Pinus nigra, Pinus peuce dhe Vitis vinifera.

Pyjet me Pinus heldreichii janë një habitat i rëndësishëm pasi pisha boshnjake është një lloj relike nga periudha e Terciarit, por gjithashtu janë të rëndësishme për ruajtjen e biodiversitetit, pasi ata kanë një numër të madh të taksave endemike. Ata përfaqësojnë gjithashtu një tipar endemik të Ballkanit me një shpërndarje shumë të vogël. Prania e tyre rrit rëndësinë e ruajtjes së zonës së Malit të Munellës.

Brenda zonës së Malit të Munellës dhe rrethinave të saj, mund të ketë më shumë se 17 habitate të mundshme Natura 2000. Habitatet shkëmbore, si ato serpentine dhe ato gëlqerore, të cilat gjenden në Malin e Munellës, janë streha interesante për specie të rëndësishme.

Zona e Malit të Munellës është jashtëzakonisht e rëndësishme për mbijetesën dhe riprodhimin e rrëqebullit të Ballkanit të rrezikuar në mënyrë kritike në Shqipëri dhe më gjerë në rajon. Rezultatet tregojnë se një nënpopullatë e vogël e përbërë nga të paktën 4 individë të rritur (dhe ndoshta deri në 6 individë) mbijeton në Malin e Munellës dhe rrethinat e tij. Kjo është e vetmja popullatë banuese dhe riprodhuese e rrëqebullit e verifikuar se ekziston në Shqipëri.

Përveç rrëqebullit, zona është shumë e rëndësishme për të tjerë mishngrënës të mëdhenj, duke pasur popullata riprodhuese të ariut të murrmë (Ursus arctos) dhe ujkut (Canis lupus), dhe të të gjithë grupit të komunitetit të thundrakëve të egër në Shqipëri, përfshirë kaprollin (Capreolus capreolus), derrin e egër (Sus scrofa) dhe dhinë e egër (Rupicapra rupicapra). Për më tepër, katër specie mustelidesh janë hasur në zonën e Munellës; përkatësisht zardafi (Martes martes), kunadhja (Martes foina), baldosa (Meles meles) dhe qelbësi (Mustela putorius).

Zona është gjithashtu e pasur me elementë të tjerë të rëndësishëm të biodiversitetit si herpetofauna (amfibët dhe zvarranikët), shpendët dhe gjitarët e vegjël (lakuriqët e natës), të cilët i japin më tepër vlerë kësaj zone. Në këtë zone jetojnë rreth 11 specie amfibësh (nga 16 specie të raportuara në Shqipëri) dhe 20 specie zvarranikësh (nga 38 specie të raportuara në Shqipëri).

Zona dallohet për një shumëllojshmëri të lartë të avifaunës, duke përfshirë edhe një pjesë të konsiderueshme të specieve me interes ruajtjeje globale, evropiane dhe kombëtare. Në zonën e Munellës janë vëzhguan gjthsej 54 lloje nga 9 rende të ndryshme dhe nga 21 familje të ndryshme.

Zona e Malit të Munellës përbëhet nga një mozaik i rëndësishëm habitatesh në të cilin popullatat e lakuriqëve gjejnë fole (miniera, bunkerë, shtëpi tradicionale, pemë) dhe zona për gjueti (lumenj, pyje të rëndësishme, etj.) Në total, në zonë janë regjistruar një minimum prej 10 speciesh dhe shumica prej tyre janë të lidhur me habitatet pyjore dhe pemët, për fole dhe gjueti.

NA NDIQNI

Facebook: Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura
Instagram: @akzmalbania
Twitter: @akzmalbania

NA KONTAKTONI

E-mail: Info@akzm.gov.al
Adresa: Bulevardi “Dëshmoret e Kombit” Nr.1,1001,Tirane
Orari
E hënë – E enjte 08:00 – 16:30
E Premte 08:00 – 14:00

MINISTRIA E TURIZMIT DHE E MJEDISIT

ZBULO MË SHUMË PËR AKZM