Ulez

Liqeni i Ulzës

Parku Natyror “Liqeni i Ulzës”, me Vendimin e Këshillit të Ministrave nr. 60, datë 26.1.2022 u miratua ndryshimi i statusit dhe sipërfaqes së ekosistemit natyror “Liqeni i Ulzës”, nga “park natyror bashkiak” (kategoria IV/1) në “park natyror” (kategoria IV e zonave të mbrojtura), me sipërfaqe nga 4 206 ha në 4 205.15 ha.

Rajoni përfaqëson një ekosistem kompleks ujor dhe malor, që përfshin Liqenin e Ulzës, Liqenin e Shkopetit, malet dhe kodrat përreth.

Nga pikëpamja gjeografike ndodhet vetëm 5km larg nga rruga Milot-Mat. Ulëza gjendet në një zonë me reliev policen-kuaternar, kohë në të cilën u formua relievi kodrinor dhe i kësaj zone dhe nga pikëpamja gjeologjike mban emrin e zonës Mirdita.

Zona gjeolgjike Mirdita, njihet si Zona e Shkëmbinjve Magmatikë ose Zona e Ofioliteve. Depozitimet gjeologjike me kryesore janë të Triasikut të mesëm, të pandarë që janë veçuar në zonat rreth liqenit të Ulzës. Shkëmbinjtë magmatik formojnë dy breza më masive, një lindor dhe një perëndimor, janë kryesisht të moshës Jurasike.

Pjesa kryesore është vendosur mbi shkëmbinj gabroid, të njësisë ofiolitike Jurasike, të cilat përcaktojnë kufirin perëndimor të një depresioni të gjerë të mbushur me sedimente mollasike Terciare (ranorë, konglomeratë, argjilite) dhe depozitime lumore Kuaternare.

Në formimin e klimës në Ulëz, një rol të rëndësishëm luan lugina e Matit, liqenet e Ulzës dhe Shkopetit si dhe hapja e saj në drejtim të perëndimit. Klima është mesatare kontinentale me verë të nxehte dhe të thatë, dimër të ftohtë e të lagët.

Tipat kryesore të tokave janë tokat e kafenjta, formohen mbi shkëmbinj sedimentare. Zona ka rrjet hidrografik të dendur, me aktivizim gjithë vjetor dhe intensitet më të madh në dimër dhe në pranverë. Elementi kryesor hidrografik është lumi i Matit dhe i Urakës.

Përfaqëson një njësi unike sa i përket sistemeve ekologjike që mbart. Prania e dy liqeneve, të Ulzës dhe Shkopetit ka bërë që aty të krijohen habitate ujore krejtësisht të veçanta dhe me rëndësi të madhe për biodiversitetin në vend.

Ka lloje të një rëndësie kombëtare e ndërkombëtare të florës dhe faunës, të mjediseve të lagëta dhe tokësore, ku gjenden këta lloje kryesore: Pyje me shkozë të zezë; Pyje termofile të ahut; Pyje malore dhe sub-alpine të ahut; Pyje me dushqe dhe shkoze; Habitate të përrenjve dhe lumenjve; Habitate ujore në liqenet e Ulzës dhe Shkopetit; Kullotat termofile;Habitate shkëmbore të zonës së temperuar.

Pozicioni gjeografik, klima e përshtatshme mesdhetare dhe prania e lumit kanë favorizuar zhvillimin e një larmi habitatesh ujore, lumore, urbane, malore, kodrinore dhe të një bimësie të larmishme mesdhetare, si pyje dushqesh me Qarr (Quercus cerris), Bungë (Q. petrea), Shparth (Q. frainetto), Gështenja (Castanea sativa), pyje gjethegjera të përziera, pyje të Pishës zezë (Pinus nigra), shkorreta mesdhetare, si Mare (Arbutus unedo), Shqopë (Erica arborea), Krifshë (Phylerea latifolia), Dëllinjë të kuqe (Juniperus oxycedrus) etj. Përgjatë lumit rritet Rrapi (Platanus orientalis), Plepi i zi (Populus nigra) etj.

Flora është tepër e rëndësishme dhe e larmishme edhe se përfaqësohet nga një larmi e madhe e llojeve të bimëve të rralla, shkurreve dhe drurëve. Ndër llojet më kryesore të rralla në inventar përfshihen: 22 llojesh bimësh, drurësh e shkurresh të rralla dhe 6 lloje shoqërimesh bimore gjithashtu të rralla.

Pyjet e shkozës, lisit, shqopës etj, janë shumë të përshtatshme për faunën e egër. Gjitarët kryesorë që gjenden në park dhe zonë e përreth janë: Ujku, Ariu, Derri i egër, Kaprolli, Lepuri i egër etj.

Një komunitet relativisht i madh zogjsh ndodhet në shkurret dhe pyjet mesdhetare, ndër të cilët dallohen Qukapikët (Dendrocopos sp., Jynx torquilla, Picus canus, P. viridis), disa lloje shikëla (Perdix perdix, Coturnix coturnix) dhe harabelash (Parus sp, Fringila sp, Carduelis sp., Emberiza sp., Sylvia sp., Sitta sp., Lanius sp., Turdus sp, etj). Disa zogj ujorë vizitojnë rezervuarët e Ulzës dhe Shkopetit si Podiceps nigricollis, P. cristatus, Tachybaptus ruficollis, Egretta alba, E.garzetta, Ardea cinerea, Larus ridibundus, Alcedo atthis etj.

Gjithashtu, gjenden: 10 lloje të rralla bretkosash, 2 lloje breshkash, 11 lloje zvarranikësh, 8 lloje të rralla gjitarësh, 16 lloje insektesh, 3 lloje kërpudhash. Në habitatatet ujore janë dalluar; Emys orbicularis, Natrix natrix, Natrix tessellata, Triturus vulgaris, Trituruscristatus, Salamandra salamandra, Hyla arborea, Bufo viridis, Bufobufo, dhe lloje të ndryshme bretkosash (Rana sp.div.)

Në ujrat e freskëta të liqenit të Ulzës dhe Shkopetit janë gjetur lloje të ndryshme peshqish, si Coregonus “forma hybrida”, Gobio gobio lepidolemus, Gobio gobio albanicus, Cyprinus carpio, Carassius auratus gibelio, Barbus meridionalis petenyi, Alburnus alburnus alborella, Nemachilus barbatulus, Anguilla anguilla, Hypophthalmichthys molitrix, Aristichthys nobilis, Pachychilon pictum, etj, nga të cilat disa kanë rëndësi ekonomike dhe janë me interes për popullsinë lokale që jeton rreth liqeneve.

Bazuar në përditësimet e fundit (Nëntor 2019) në territorin e PN janë evidencuar: 7 tipe habitatesh natyror (sipas Listës së Habitateve të NATURA 2000, 1 tip habitati është i listuara si prioritar), që kërkon masa specifike për ruajtje, 6 lloje, floristike të rëndësishme, 4 lloje, endemike, 1 lloj, të Aneksit IV, të Direktivës së Habitatit dhe 1 lloj, të Konventës së Bernës. Në rajonin e Liqenit të Ulzës rritet 3 lloje, të rralla ose subendemike (Forsythia europae, Galatella albanica dhe Euphorbia deflexa) dhe 1 sublloje endemike (Festucopsis serpentini subsp. serpentini).

Gjithashtu, janë evidencuar llojet faunistike të Listës së IUCN-s, ku:1 lloj, Seriozisht të kërcënuar, 10 lloje, Thuajse të rrezikuar, 6 lloje, Vulnerabile, 49 lloje, Jo shqetësuar, 2 lloj, Nuk ka të dhëna dhe 13 lloje, Jo në listën e IUCN-s.

NA NDIQNI

Facebook: Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura
Instagram: @akzmalbania
Twitter: @akzmalbania

NA KONTAKTONI

E-mail: Info@akzm.gov.al
Adresa: Bulevardi “Dëshmoret e Kombit” Nr.1,1001,Tirane
Orari
E hënë – E enjte 08:00 – 16:30
E Premte 08:00 – 14:00

MINISTRIA E TURIZMIT DHE E MJEDISIT

ZBULO MË SHUMË PËR AKZM