Me vendim të Këshillit të Ministrave nr.59, datë 26.1.2022 me “Lurë – Mali i Dejës”, është shpallur “park kombëtar” (kategoria II), me një sipërfaqe prej 19 288.88 ha.
Ekosistemi natyror-malor i Lurë-Mali i Dejës karakterizohet nga një reliev i modeluar nga akujt dhe erozioni, dëbora, ngricat etj, me klimën dhe perlat liqenore akullnajore, me pyjet shekullore dhe livadhet e famshme, larminë dhe pasurinë e botës së gjallë bimore e shtazore, me bukuritë mahnitëse të peizazhit akullnajor.
Parku përfshin Kurorën dhe Nezhdën e Lurës me liqenet e famshme, Malin e Dejes, pjesë të Zall Gjoçajt dhe të Kunorë-Valmurës. Përfaqëson një prag të madh strukturor, i shkaktuar nga një shkëputje tektonike. Ka shtrirje të madhe (mbi 20km) dhe gjerësi disa qindra metra, ku gjenden forma të larmishme akullnajore: cirqe të thjeshta e ndërliqura, komplekse cirqesh, lugje akullnajore etj.
Në cirqe ndodhen shtatë liqene akullnajore, Liqeni i Madh, Liqeni i Pines, i Lopës, i Rosave, i Zi, i Luleve, me zambakë të bardhë etj. Dikur aty ka pasur më shumë liqene, por një pjesë është tharë nga erozioni regresiv i degëve të Drinit të Zi. Në vendin e tyre, gjenden livadhe, shpesh në gjendje të lagët dhe bimësi higrofile: Fusha e Pelave, livadhi i Martiusit etj.
Lartësia e malit të Dejës rritet nga veriu në jug, nga 1,613m (maja e Kullgjatës) në 2,246m (maja e Dejës). Që këtej relievi fillon e degradohet, ulen lartësitë dhe rritet copëtimi i tij, që lidhet me shkëputjen tektonike të Qafës së Murrës. Në jug të Kurbneshit, lugina e Urakës, duke shfrytëzuar të çarat karstike dhe shkëputjet tektonike, hyn në gëlqerorët e pllajave karstike të Valmurës dhe të Macukullit, ku merr karakter të plotë karstik.
Parku ka vlera shumë të larta të biodiversitetit. Bimësia përbëhet nga shkurre, dushkaja, kati i Ahut e i halorëve dhe kati i kullotave alpine. Kreshtat dhe shpatet e thepisura janë të zhveshura, ndërsa sipërfaqet me pjerrësi më të vogël janë të mbuluara me kullota verore. Ndër shoqërimet bimore të katit të pyllit përmendim: shoqërimet e Ahut dhe të llojeve halore, ndër më të pasurit në vendin tonë dhe ndër më të rrallët në Evropë. Shoqërimet e Pishës së zezë janë përzier me Bredh të bardhë, Ah, Panjë, Arne, Rrobull, Frashër, Vallëz etj. Takohen pyje me Ah, Pishë të zezë, Arneni, Rrobulli, Bredhi, Hartina, Tisi.etj. Në pyll gjenden edhe drurë gjigantë, mbi 150-200 vjeçare.
Nënkati i pyllit përbëhet nga Shkoza, Thana, Murrizi, Dafnia, Mjedra, Manaferra, Dëllinja e kuqe, Dardhë e Mollë të egra, Kulumbri, Lajthi etj. Ndër bimët barishtore dallohen luleshtrydhet, gentianat, primulat etj. Gjenden lloje endemike, si: Boshtra dhe subendemike, si: Rudithi shqiptar ndërsa në bimët e rralla, të rrezikuara dhe mjekësore dallohet Luletogëza, Lulebasani, Rigoni i kuq, Salepet, Zambaku i bardhë i ujit, etj. E pasur është bimësia ujore në liqenet, sidomos zambakët e famshëm të ujit dhe fauna karakteristike mjaft e veçantë e këtyre liqeneve.
Në këtë rajon, ndonëse studimet nuk janë të plota janë identifikuar disa lloje Amfibësh dhe Zvarranikësh, si: Salamandra salamandra, Triturus vulgaris, Bufo bufo, etj. Nga Shpendët takohen: Bufo, Shqiponja e malit, Shqiponja gjarpërngrënëse, Huta grerëzangrënëse, Krahëthati, Gjeraqina, Gjeli i egër , Qukapiku i zi etj. Parku është bërthamë për gjitarët e mëdhenj, si: Ariu, Ujku, Rrëqebulli, Macja e egër, Dhelpra, Kaprolli, Dhia e egër, Derri i egër, Kunadhja, Zardafi, etj.
Në territorin e parkut janë identifikuar 17 tipe të habitateve.
Bazuar në përditësimet e fundit (Nëntor 2019) janë evidencuar: 21 lloje, floristike të rëndësishme, (rriten 21 lloje, të rralla (kryesisht subendemike), 18 lloje, endemike, etj. Gjithashtu, janë evidencuar llojet faunistike të Listës së IUCN-s, ku: 10 lloje, Thuajse të rrezikur, 6 lloje, Vulnerabile, 63 lloje, Jo shqetësuar.
Përveç vlerave shkencore dhe natyrore, parku shquhet edhe për vlera estetike dhe peizazhet me atraksion të madh ekoturistik. Ka disa MN me vlera shkencore, didaktike dhe turistike: Morenat e Fushë Lurë, Cirku i Kurorës së Lurës, Fusha e Pelave, Liqeni i Luleve, Liqeni i Zi, Liqeni i Madh, Kanioni i Flimit,etj.