KB_600

Karaburun - Sazan

I vetmi Parku Kombëtar Detar, ai i Karaburun-Sazan është një mrekulli e gjallë e natyrës Shqiptare. Ky park konsiderohet si shtëpia e 36 specieve detare me rëndësi ndërkombëtare mes tyre kemi dhe specie të cilat i përkasin listave të llojeve të rrezikuara. Ekosistemi ujor/detar “Karaburun – Sazan”, i shpallur “park kombëtar detar” (kategoria II), me Vendim të Këshillit të Ministrave nr.59, datë 26.01.2022 zgjerohet nga 12 428 ha në 12 437.7 ha.

Shtrihet në hapësirën detare me gjerësi 1 milje detare, përgjatë Gadishullit të Karaburunit (nga Kepi i Shën Vasilit deri te faqja e Langadhës) dhe rreth Ishullit të Sazanit.

Shpatet e Gadishullit të Karaburunit janë vende tejet të rrëpira në anën perëndimore, me kulme të larta në pjesën qendrore. Bregu Perëndimor i Gadishullit skalitet nga shpella dhe kanione të thella, që rrallëherë përfundojnë me plazhe zalli ose xhepa rëre. Shpatet e tij karakterizohen nga shkëmbinj të lartë vertikalë që vazhdojnë nën ujë në thellësi të mëdha. Këta shkëmbinj janë tepër të gërryer dhe mund të vërehen një numër i madh shpellash, kryesisht nënujore, aty ku shpesh rrjedhin burime të ujërave të ëmbla.

Gadishulli i Karaburunit është vendi më i spikatur me cilësi mesdhetare. Karakterizohet nga një nivel shumë i ulët turbullimi të ujit. Mjedisi medio-litoral karakterizohet nga formacione koralogjene ndonjëherë mbi një metër, të përbëra prej algash koralogjene, lloj i mbrojtur dhe shumë i veçantë nga pikëpamja gjeo-morfologjike, biologjike dhe turistike, dhe që mund të shfaqet me pamje jashtëzakonisht të mahnitshme.

Ishulli i Sazanit (16km i gjatë dhe 3-5km i gjerë), përballë Vlorës dhe në veri të Gadishullit të Karaburunit, ka një formë elipsoide në veri-verijug-juglindje, duke pasur majën kulmore në lartësi 345m, tek Gryka e Djallit. Pjesa perëndimore karakterizohet nga brigje shkëmbore vertikale që janë skalitur nga kanione të thella dhe që zgjerohen nga shpella të shfaqura kryesisht nën-ujë, siç shfaqen tek Gadishulli i Karaburunit. Kanionet më të rëndësishme janë tek Kepi i Pëllumbave dhe Gryka e Ferrit. Në pjesën lindore, vija bregdetare është më e ulët dhe pjesa jugperëndimore e saj formohet nga shtresa të rrëpira gëlqerore që zhyten në det.

Parku përfshin dy njësi gjeo-morfologjike, formacionet terrigjene (flish) depozita kuaternare të molasës dhe shkëmbinj karbonatikë (gurë gëlqerorë dhe gëlqerorë-dolomit, me rudiste/molusqe dyvalvore fosilesh në formë koni ose fosile foraminiferesh), të Kretakut të sipërm.

Ujërat nëntokësore janë të pasura dhe shfaqen në burime karstike. Përgjatë Gadishullit të Karaburunit mund të hasen burime të ujërave të ëmbla përgjatë bregdetit, që shkarkojnë ujërat e tyre të ftohta nga fundi i sipërfaqes së detit.

Kjo pjesë e gjithë bregdetit shkëmbor paraqet peizazhe me cilësi të jashtëzakonshme panoramike, veçanërisht nga mjetet e lundrimit, kur vizitohen shpellat, kanionet dhe gjiret e vogla, p.sh. shpella e Haxhi Aliut dhe shpella e Duk Gjonit.

Peizazhet nënujore janë gjithashtu të një cilësie të jashtëzakonshme, me shkëmbinjtë, shpellat nënujore, shoqërimet e faunës dhe florës, dhe në disa vende të shoqëruara edhe me mbetje arkeologjike. Livadhet e Posidonia oceanica ofrojnë një biodiversitet relativisht të lartë të makrofaunës së fundit të detit, duke përfshirë Sfungjerët, Knidarët, Briozoarët, Molusqet, Anelidët, Krustacet, Ekinodermët etj.) dhe Ascidiet.

Habitatet detare dhe bregdetare shqiptare vizitohen shpesh nga gjitarët e rrallë detarë. Foka mesdhetare, vizitori ujërave bregdetare shqiptare. Kanionet dhe shpellat e zonës, shpesh të pamundura të arrihen, përfaqësojnë një habitat ideal për fokën mesdhetare. Zona është vizituar herë pas here edhe nga Delfini i zakonshëm dhe Delfini turishkurtër. Në ujërat detare të kësaj zone është regjistruar edhe prania e Breshkës së detit. Kjo zonë mund të jetë një korridor i rëndësishëm i emigrimit të Breshkave të detit në detin Jon për në bregdetin e Detit Adriatik, i cili është identifikuar kohët e fundit si një vend i rëndësishëm ushqimi për këto lloje. Jetojnë rreth 36 lloje të faunës dhe të florës detare me rëndësi kombëtare, rajonale e globale.

Në territorin e PKD janë evidentuar: 2 tipe habitatesh natyror, 4 lloje, floristike të rëndësishme dhe 3 lloje, i përkasin Konventës së Bernës. Gjithashtu, janë evidentuar llojet faunistike të Listës së IUCN-s, ku: 2 lloje, Seriozisht të rrezikur, 1 lloj, Të rrezikuar, 1 lloj, Vulnerabile, 6 lloje, Jo shqetësuar, 1 lloj, Nuk ka të dhëna dhe 4 lloje.

Zona është gjithashtu e rëndësishme për peshkimin. Fauna e peshqve me interes tregtar përbëhet nga disa lloje që jetojnë në fund të detit dhe në grupe, peshq të vegjël dhe të mëdhenj, krustace dhe molusqe. Parku ka vlera kulturore dhe historike nënujore: dëshmi dhe atraksione arkeologjike (anije të mbytura) të periudhave të lashtësisë (greke, ilire, romake), të mesjetës dhe të epokës moderne, që gjenden nën ujë, por janë të shumta edhe në bregdet, si mbishkrimet e lashta të detarëve në shkëmbinj etj. Të pranishme janë gjithashtu disa mbetje arkeologjike dhe historike në zonën e lagunës së Orikumit, gjirit të Vlorës, Karaburunit, p.sh. Gjiri i Gramës dhe disa shpella.

NA NDIQNI

Facebook: Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura
Instagram: @akzmalbania
Twitter: @akzmalbania

NA KONTAKTONI

E-mail: Info@akzm.gov.al
Adresa: Bulevardi “Dëshmoret e Kombit” Nr.1,1001,Tirane
Orari
E hënë – E enjte 08:00 – 16:30
E Premte 08:00 – 14:00

MINISTRIA E TURIZMIT DHE E MJEDISIT

ZBULO MË SHUMË PËR AKZM