Prespa Cover

PrespË

Parku Kombëtar i Prespës ndodhet në Qarkun e Korçës. Me vendim të Këshillit të Ministrave nr.59, datë 26.1.2022 ekosistemi natyror “Prespa”, “park kombëtar” kategoria e II, ka sipërfaqen 27 613.05 ha.

Ndodhet në kufi të Shqipërisë, Greqisë dhe Maqedonisë Veriore dhe është vijim natyror i PK Prespa në Greqi dhe PK Galiçica, në Maqedoni. Përfshin liqenet Prespa e Madhe dhe e Vogël dhe territoret përreth tyre. Sipas marrëveshjes trepalëshe, ndërmjet tre vendeve bregliqenore, njëherazi, është park ndërkufitar. Dallohen për larmi të theksuar, që shprehet tek të gjitha elementet e peizazheve gjeografike. Në përbërje të parkut hyjnë dy liqenet dhe disa njësi të territoreve përreth tyre: Gropa e Prespës së Madhe dhe të Vogël, Mali i Thatë (shpati lindor) dhe malësia e Rakickës. Gropa e Prespës së Madhe, në lindje të Malit të Thatë, shtrihet pjesërisht brenda kufirit tonë shtetëror.

Gropa e Prespës së Vogël. Brenda kufijve tanë ndodhet vetëm zgjatimi jugperëndimor i gropës së Prespës së Vogël, me gjatësi rreth 5km dhe gjerësi deri në afërsisht 3,7km (midis fshatrave Zagradec dhe Shuec). Lidhet me luginën e Devollit, nëpërmjet Grykës së Ujkut.

Mali i Thatë. Në park përfshihet vetëm shpati lindor i tij. Shtrihet deri në qafën e Zvezdës, që e ndan atë nga malësia e Rakickës. Përbëhet kryesisht nga gëlqerorët e Trias-Jurasit, pak nga gëlqerorët e kretës dhe terrigjenët e paleogjenit. I formuar në një horst të madh asimetrik e kompleks, rrethohet nga shpate të thepisura, me pjerrësi më të mëdha në perëndim.

Malësia e Rakickës, me gjatësi rreth 11 km dhe gjerësi rreth 6km, shtrihet në jug të qafës së Zvezdës dhe arrin deri në gropën e Prespës së Vogël. Është e përbërë kryesisht nga gëlqerorët, ndërsa pjesët e saj më të ulëta nga depozitime terrigjene. Këto depozitime formojnë një horst, midis fundosjes së Prespës së Madhe e të Vogël dhe fushës grabenore të Bilishtit.

Bimësia e larmishme përbëhet nga lloje higrofile në ligatinat liqenore, brezi i dushqeve, ahut e halorëve dhe i kullotave alpine, ku takohen bimë të rralla. Në brigjet e liqeneve takohen shumë lloje bimësh higrofile, ndër to dallohen kallamishtet e liqeneve, nga të cilat pjesa më e madhe është në Prespën e Vogël. Brezi i dushqeve shtrihet nga 850-1,200m mbi nivelin e detit. Dushqet klasifikohen në zonën termofile të Ballkanit (Quercion frainetto) dhe psikrofilike të tij. Ndër formacionet bimore të parkut dallohen pyjet me Venjë (Juniperus excelsa), në shpatet e thata, kryesisht me ekspozim jugor: pranë fshatrave Tuminec/Kallamas dhe Gollomboç. Formacionet me Bush, të qëndrueshme ndaj kullotjes, takohen nga Podgoria deri në Rakickë, nga Cerja në drejtim të Greqisë.

Në pjesën shqiptare të parkut, brezi i Ahut shtrihet në lartësitë nga 1,200-1,900m të shpatit lindor të Malit të Thatë. Takohen dy lloje Ahu: Fagetum moesiacum dhe Fagus sylvatica, të shoqëruar nga Panja. Parku konsiderohet i rëndësishme për praninë e bimëve endemike të Ballkanit, si: Asyneuma limonifolium, Alisum corymbosum, Astragalus depressus etj. Llojet bimore të Carex curvula, Juncus trifidus, Carex foetida, Plygonum bistorta etj. shfaqen në kufirin më jugor të shtrirjes së tyre gjeografike në Malin e Pelisterit (Maqedoni).

Larmia e madhe e llojeve bimore të regjistruara dhe elementet e shumta floristike tregojnë se ekosistemet e Prespës janë të lidhura me ekosistemet e vendeve fqinje. Studimet e fundit kanë zbuluar se rreth 60 lloje bimore të PK të Prespës klasifikohen si të rralla ose të rrezikuara në nivel global (11 lloje), evropian dhe/ose kombëtar. Dy lloje të tjera bimore janë të mbrojtura nga Konventa e Bernës (Fritillaria graeca) dhe nga direktiva e Habitateve (Buxbaumia viridis), pra të rrezikuara në nivel evropian.

Takohen lloje globalisht të kërcënuara, si: Vidra/Lundërza, Rrëqebulli. Të shpeshta janë: Baldosa, Dhelpra, Ujku dhe më rrallë, Ariu. Takohen 25 lloje lakuriqësh, mes tyre 9 lloje të rrezikuara. Sipas studimeve të fundit ornitologjike, në park folezojnë 132 lloje shpendësh. Gjenden 18 lloje peshqish, 8 nga të cilët janë endemike të liqeneve të Prespës dhe 15 prej tyre konsiderohen si “të rrezikuar”. Jetojnë 23 lloje reptilësh dhe 11 lloje amfibësh.

Nga rreth 22 tipe habitatesh në ekosistemin natyror të Prespës, pesë prej tyre janë listuar si habitate prioritare me rëndësi të veçantë ruajtjeje për florën dhe faunën e tyre të pasur me lloje të rralla dhe të rrezikuara. Janë evidencuar: 24 lloje floristike, të rëndësishme, 17 lloje, endemike. Në park rriten natyralisht gjithashtu edhe Shafrani i Cvijicit, Lule Bozhuri, Zambakut Shqiptar dhe Zambaku i Kalkedonisë. Gjithashtu, janë evidencuar llojet faunistike, të Listës së IUCN-s, ku: 1 lloj, Seriozisht të rrezikur, 12 lloje, Thuajse të rrezikur, 9 lloje, Vulnerabile, 76 lloje, Jo shqetësuar, 2 lloje, Nuk ka të dhëna dhe 18 lloje, Jo në listën e IUCN-s.

Në park janë shpallur disa monumente natyre me vlera shkencore, didaktike dhe turistike: Ishulli i Maligradit, Zgavra e Zaverit, Shpella e Trenit, Gurët Mumie në Tren, Dushqet e Manastirit, Venjat e Kallamasit (Juniperus excels), etj. Parku ka edhe pasuri kulturore, ku bëjnë pjesë edhe 11 kisha të mëdha e të vogla bizantine, tre prej të cilave janë të njohura si “kishat e eremitëve”, të gdhendura në gur. Më e vjetra prej tyre është e shek. XII, ndërsa më e reja e shek. XIV.

NA NDIQNI

Facebook: Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura
Instagram: @akzmalbania
Twitter: @akzmalbania

NA KONTAKTONI

E-mail: Info@akzm.gov.al
Adresa: Bulevardi “Dëshmoret e Kombit” Nr.1,1001,Tirane
Orari
E hënë – E enjte 08:00 – 16:30
E Premte 08:00 – 14:00

MINISTRIA E TURIZMIT DHE E MJEDISIT

ZBULO MË SHUMË PËR AKZM