Tomorr

TomoRr

Mali i Tomorrit është një mal i veçantë e mbresëlënës të cilin mund ta vizitoni në çdo periudhë të vitit, nga larg ky mal të jep përshtypjen e një kështjelle natyrore, bukuritë e të cilit janë evidente në çdo stinë. Me Vendim të Këshillit të Ministrave nr.59, datë 26.01.2022 ky park zgjerohet nga 26 106.176 në 27 158.5 ha.

Mali i Tomorit ndodhet në lindje të qytetit të Beratit e Poliçanit, në jug-juglindje të Çorovodës, në perëndim të Gramshit dhe në pjesën më veriore të vargut malor Tomor Kulmak-Miçan.

Shtrihet mbi formacione gjeologjike të shumëllojshme, të dominuara kryesisht nga gëlqerorë dhe shkëmbinj porozë. Relievi i shumëllojshëm dominohet sidomos nga majat e larta (Çuka Partizan 2,417m, Kulmaku 2,175m etj.), ku nuk mungojnë edhe xhepat me dëborë të përhershme. Në lartësitë veriore dhe verilindore gjenden dy pragje akullnajore dhe disa cirqe akullnajore të thjeshta e komplekse (MN), që të mahnitin me ashpërsinë dhe formën e tyre. Pjesa jugore është shumë uniforme, e mbushur me forma karstike, jo rrallë në formën e hojeve të bletëve, shpella dhe puse të thella karstike.

Dallohen dy përrenj që derdhen në lumin e Devollit: përroi i Sotirës dhe i Tomoricës, që burojnë në anën lindore të malit të Tomorit. Në luginën e Tomoricës ka disa burime karstike, dallohen burimet e Kërpicës dhe të Sotirës, ndërsa burimet e Ujanikut, lidhen me depozitimet morenore. Burime ka edhe në rrëzë të shpatit perëndimor, ndër të cilët dallohen burimet e Tomorit dhe të Bogovës. Uji përdoret nga bashkësitë vendore për ujin e pishëm, ujitjen, energji elektrike dhe veprimtari rekreacioni.

Parku dallohet për biodiversitet të theksuar: shkurre mesdhetare, dushqe, ahishte, halorë dhe kullota subalpine e alpine. Bimësia përfaqësohet nga të 4 katet bimore të vendit.

Parku dallohet për botë shtazore shumë të larmishme: Gjenden 11 lloje amfibësh, si: Bretkosa barkverdhë, Thithëlopa dhe Tritoni me kreshtë; 19 lloje zvarranikësh: Bolla laramane, Bolla me katër vija, Nepërka, Breshka e zakonshme, etj.

Takohen rreth 141 lloje shpendësh, midis tyre disa lloje rezidente, si: Bufi, Shqiponja e malit, Krahëthati, Gjeli i egër, Qukapiku i zi, Korbi, por dhe disa lloje që riprodhohen në park, si: Gjeraqina e shkurtës, Gjeraqina, pak çifte riprodhuese të shqiponjës gjarpërngrënëse dhe Huta grerëzangrënëse; përhapje të konsiderueshme kanë: Thëllëza e malit, rreth njëqind çifte riprodhuese, Pëllumbat e egër, Mëllenja, Shapka malit etj.

Janë prezent 34 lloje gjitarësh, midis tyre edhe të rrezikuar, si: Ariu i murrmë, Derri i egër, Dhia e egër, Kaprolli, Macja e egër, Ujku, Dhelpra, Kunadhja, Baldosa, Lepuri i egër, Ketri, Iriqi, Nuselala, etj. Takohen disa lloje lakuriqësh nate si: Rhinolophus hipposideros, Miniopterus schreibersi dhe Myotis capaccinii, që riprodhohen në shpellat e parkut.

Parku kombëtar është ndoshta me biodiveristet më të pasur në vend. Aty hasen elementë bimore si të zonës biogjeografike mesdhetare ashtu dhe të asaj alpine. Kjo pasqyrohet në praninë e të katër brezave fitoklimatike të vendit. Pra, aty janë të të pranishëm grupimet bimore të makies, shibljakut, Parku kombëtar është ndoshta me biodiveristet më të pasur në vend. Aty hasen elementë bimore si të zonës biogjeografike mesdhetare ashtu dhe të asaj alpine. Kjo pasqyrohet në praninë e të katër brezave fitoklimatike të vendit. Pra, aty janë të të pranishëm grupimet bimore të makies, shibljakut, shkozës e cermëdellit, dushkajave gjetherënëse, ahishteve, rrobullishteve si dhe kullotave alpine. Janë evidentuar 16 tipe habitesh natyror të rëndësishëm, nga të cilët 5 janë habitate parësore.

Parku dallohet për një larmi e jashtëzakonshme të florës e faunës. Janë evidentuar: 22 lloje, floristike të rëndësishme (5 lloje me mbrojte ndërkombëtare), 18 lloje, endemike, 2 lloje, i përkasin Aneksit IV, të Direktivës së Habitatit; 1 lloj, të Konventës së Bernës dhe 1 lloj, të Listës së Kuqe të IUCN-s. Gjithashtu, janë evidencuar llojet faunistike të Listës së IUCN-s, ku: 1 lloj, Të rrezikuar, 12 lloje, Thuajse të rrezikuar, 8 lloje, Vulnerabile, 56 lloje, Jo shqetësuar, 2 lloj, Nuk ka të dhëna dhe 19 lloje, Jo në listën e IUCN-s.

Krahas vlerave të mëdha shkencore, biodiversitet të pasur, bimë endemike dhe subendemike, peizazhe me bukuri mahnitëse, parku dallohet edhe për vlerat historike dhe kulturore.

Mali i Tomorit, prej kohësh, ka tërhequr vëmendjen e shqiptarëve, duke u bërë simbol i natyrës, pjesë e botës shpirtërore të tyre, të evidentuar me aq dashuri nga rilindësit tanë të mëdhenj. Në lartësitë e tij dhe të qafës së Kulmakut, ndodhet Teqeja e famshme e Kulmakut, vend i shenjtë i besimtarëve bektashinj dhe shumë objekte dhe monumente të tjerë kulture.

Burimet e famshme të Bogovës, të Kërpicës, ujëvara e Sotirës, luginat e gjelbra dhe malet e parkut krijojnë një peizazh çlodhës dhe një vend të përsosur për veprimtari të larmishme turistike: mundësi të shumta për ski, ngjitje mali dhe alpinizëm, çiklizëm malor etj.

NA NDIQNI

Facebook: Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura
Instagram: @akzmalbania
Twitter: @akzmalbania

NA KONTAKTONI

E-mail: Info@akzm.gov.al
Adresa: Bulevardi “Dëshmoret e Kombit” Nr.1,1001,Tirane
Orari
E hënë – E enjte 08:00 – 16:30
E Premte 08:00 – 14:00

MINISTRIA E TURIZMIT DHE E MJEDISIT

ZBULO MË SHUMË PËR AKZM