Tryeza e gjelbër e muajit tetor shërbehu për të bërë bashkë aktorë të fushave të ndryshme të cilët në fokus të punës së tyre kanë promovimin dhe eksplorimin e pasurive natyrore dhe kulturore të vendit.
Përgjatë tryezës prezantuam “Albanian trails”, një platformë e hapur dhe praktike për t’u përdorur, nga gjithkush që dëshiron të njohë natyrën shqiptare, përmes shtigjeve natyrore të rrjetit të zonave të mbrojtura. Rritja e numrit të turistëve të cilët zgjedhin të vizitojnë Shqipërinë shoqërohet edhe me rritjen e numrit të vizitorëve në shtigjet natyrore të të gjitha vështirësive. Ndaj, duke ndjekur interesin, por edhe problematikat e hasura nga numri i lartë i frekuentimit të shtigjeve, Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura po punon për krijimin e të parit website zyrtar shtetëror dedikuar shtigjeve natyrore.
Prezantimi i platformës shërbeu edhe për shkëmbimin e opinioneve dhe eksperiencave të gjithësecilit. Gjithashtu u prezantuan ide apo strategji për mirëmbajtjen e shtigjeve në zonat e mbrojtura, trajnimin e herëpashershëm të punonjësve të AdZM-ve, me metodika dhe njohuri të reja për drejtimin dhe menaxhimin e turistëve teksa eksplorojnë shtigjet natyrore.