Vjosa WEB

Lumi Vjosa

SHQIPËRI, 13 Mars 2023 – Lumi Vjosa në Shqipëri, një nga lumenjtë e fundit të egër të Evropës, është shpallur me Vendim Nr.155 nga Qeveria Shqiptare "Park Kombëtar", duke u bërë Parku i parë Kombëtar i një Lumi të Egër në Evropë. Në të ardhmen, Vjosa do të ruhet si një lumë natyror, me rrjedhje të lirë. Ky është rezultat i një bashkëpunimi unik midis Qeverisë Shqiptare, ekspertëve vendas dhe ndërkombëtarë, organizatave mjedisore, IUCN (Unioni Ndërkombëtar për Ruajtjen e Natyrës) dhe Patagonia.

Vjosa dhe degët e saj kryesore rrjedhin lirshëm për mbi 400 km, nga vargmali i Pindit në Greqi, ku quhet Aoös, deri në bregdetin e Adriatikut në Shqipëri. Lumi dhe zonat përreth tij janë ekosisteme të një biodiversiteti të konsiderueshëm dhe janë shtëpia e mbi 1100 llojeve të specieve, duke përfshirë 13 lloje kafshësh dhe dy lloje bimore të vlerësuara si të kërcënuara globalisht nga IUCN.

Shpallja e lumit Vjosa Park Kombëtar do të lehtësojë zgjidhjet e sfidave me të cilat përballet ekosistemi, si ndotja e ujit dhe tokës, menaxhimi i mbetjeve dhe shpyllëzimi. Gjithashtu, shpallja e Parkut Kombëtar do të krijojë mundësi ekonomike për komunitetet lokale, nëpërmjet turizmit të përgjegjshëm dhe do të ndihmojë në adresimin e problemeve që lidhen me migrimin e brendshëm.

Marrja e statusit të Kategorisë II të IUCN-së, Park Kombëtar nënkupton që Vjosës do t’i ofrohet mbrojtje, sipas standardeve më të larta ndërkombëtare, duke siguruar integritetin e saj ekologjik, duke lejuar që të ndodhin procese natyrore dhe duke mbështetur popullatat e të gjitha specieve vendase.

Gjatë nëntë muajve të fundit, një punë gjithëpërfshirëse në terren dhe analiza të thella janë kryer nga një ekip prej mbi 30 ekspertësh vendas dhe ndërkombëtarë në fusha të tilla si eko-turizmi, gjeomorfologjia, ekologjia, planifikimi dhe menaxhimi i zonave të mbrojtura, financimi i qëndrueshëm i parqeve kombëtare, legjislacioni dhe vlerësimi i ndikimit social dhe mjedisor. Konsultimet me grupet e interesit, si dhe komunikimi me publikun, janë përfshirë gjithashtu në proces.

Në të njëjtën kohë, qeveria shqiptare është angazhuar në një proces të përbashkët me qeverinë greke për krijimin e parkut ndërkufitar Aoös-Vjosa, duke synuar nivelin më të lartë të mbrojtjes për të gjithë lumin, nga burimi në det, në të dy vendet.

Për të mësuar më shumë rreth Parkut Kombëtar, ndiqni faqen: https://www.parkukombetarvjosa.al/

NA NDIQNI

Facebook: Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura
Instagram: @akzmalbania
Twitter: @akzmalbania

NA KONTAKTONI

E-mail: Info@akzm.gov.al
Adresa: Bulevardi “Dëshmoret e Kombit” Nr.1,1001,Tirane
Orari
E hënë – E enjte 08:00 – 16:30
E Premte 08:00 – 14:00

MINISTRIA E TURIZMIT DHE E MJEDISIT

ZBULO MË SHUMË PËR AKZM