Në Zogaj të Shkodrës, u zhvillua tryeza e rrumbullakët “Liqeni i Shkodrës drejt UNESCO-s si Rezervë Biosfere Ndërkufitare”, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, Bashkia Shkodër, Bashkia Malësi e Madhe, Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura, si dhe aktorë të tjerë vendorë dhe partnerë institucionalë.
Në fokus të takimit ishte avancimi i përpjekjeve për përfshirjen e Liqenit të Shkodrës dhe pellgut të tij ujëmbledhës në rrjetin e Rezervave të Biosferës të UNESCO-s, në kuadër të programit “Man and the Biosphere” (MAB). Gjithashtu, u prezantua dosja teknike për aplikimin dhe u zhvillua një diskutim ndërsektorial mbi përfitimet, sfidat dhe përgjegjësitë që kjo nismë nënkupton.
Ky proces përfaqëson një nga angazhimet strategjike të Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit dhe AKZM-së në përputhje me shpalljen e vitit 2025 si “Viti i Njeriut dhe Natyrës”, me qëllim promovimin ndërkombëtar të vlerave të jashtëzakonshme natyrore, kulturore dhe ekonomike të zonës.