Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura organizoi konsultimin e parë publik, në kuadër të nisjes së procesit të punës për “Hartimin e Planit të Integruar të Menaxhimit të Parkut Kombëtar Mali i Tomorrit”.
Në prezencë të Drejtoreshës së Përgjithshme të Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura dhe ekipit të kompanisë fituese që do të hartojë dokumentin e PIM, u prezantuan elementët kyç të strukturës së planit, duke vënë theksin dhe rëndësinë e angazhimit të palëve të interesuara në këtë proces. Hartimi i PIM do të bazohet në një qasje të re gjithëpërfshirëse, pa u kufizuar domosdoshmërisht në aspekte të ndryshme fizike, sociale, ekonomike dhe ekologjike të parkut. Së bashku me të gjithë palët e interesit, bizneset, organizatat, përfaqësues të pushtetit lokal, komuniteti etj., u ndanë mendime dhe rekomandime për t’u marrë në konsideratë gjatë procesit në vazhdim, me qëllim hartimin e një dokumenti sa më praktik, real dhe të zbatueshëm, për një menaxhim efektiv të parkut.