Parku Kombëtar i Butrintit është një nga zonat më të rëndësishme të trashëgimisë sonë kulturore, arkeologjike, mjedisore dhe turistike të vendit. Me vendim të Këshillit të Ministrave nr.59, datë datë 26.1.2022 Parku Kombëtar “Butrint”, ka sipërfaqe 8 622.2 ha. Ndodhet 25 km larg qytetit të Sarandës dhe shtrihet nga brigjet e detit Jon të fushëgropës së Delvinës deri 825m (maja e Milesë).
Larmia e jashtëzakonshme e habitateve natyrore (nga detare dhe ligatinore në perëndim në habitatet malore në lindje) dhe ndërthurja e tyre me site arkeologjike, historike e kulturore të rralla krijon një peizazh magjik të veçantë në Mesdhe. Sipërfaqja tokësore dhe ishujt përbëjnë peizazhe të mrekullueshme detare dhe tokësore, zonën më të rëndësishme në vend, ku ruhen në gjendje natyrore ose gati natyrore, shkurre dhe pylli mesdhetar përherë të blertë, ku mbizotërojnë Ilqja, Rrënja, Vërriu, Vidhi, Frashëri, etj.
Nën ujin detar takohet një faunë e florë e pasur, ku veçohet fanerogami dhe bivalvori, lloje të mbrojtura nga konventat në të cilat aderon Shqipëria. Së bashku me ligatinat e tjera bregdetare të vendit tonë, përbën një hallkë të rëndësishme të zinxhirit të ligatinave, që përdoren si vende strehimi nga një numër i madh shpendësh shtegtarë ujorë. Butrinti shquhet për pasurinë e tij të veçantë për shpendët e baltinave dhe është një nga dy sitet e vrojtimit në vendin tonë të kojlikut sqephollë, një nga llojet më të rrezikuar globalisht të shpendëve.
Liqeni i Butrintit, liqeni i Rrëzës (Bufit), tepër të rëndësishëm për iktiofaunën/akuakulturën dhe avifaunën, së bashku me mjediset ligatinore e bregdetare përreth, përfaqësojnë një prej 19 zonave bregdetare të vendit tonë të identifikuara si Zonë Veçanërisht e Mbrojtur, në kuadër të Konventës së Barcelonës (RAC/SPA, Tunis, 1995).
Në habitatet e këtij parku jetojnë rreth 35 lloje gjallesash globalisht të kërcënuara. Ekosistemi ligatinor i Butrinti ka biodiversitet të pasur, me larmi habitatesh dhe llojesh. Në të jetojnë: rreth 247 lloje shpendësh, prej të cilëve 70% janë shpendë ujore; 9 lloje amfibësh dhe 25 lloje reptilësh, që përfaqësojnë rreth 60-75% të herpetofaunës së vendit dhe rreth 39 lloje gjitarësh, ose afro 60% e mamalofaunës së vendit tonë. Ujërat litorale të Butrintit frekuentohen nga Breshka detare, Delfinët, kryesisht Delfini turishkurtër, por nuk mungojnë edhe vizitat e rralla të Fokës së Mesdheut.
Në brigjet dhe në brendësi të parkut gjenden shumë habitate të tjera, me lloje dhe shoqërime të larmishme bimore, ndër të cilat dallohen: grumbuj me Dafinë (Laurus nobilis) brenda qytetit antik të Butrintit dhe qendrës arkeologjike, në ishujt e Ksamilit dhe në ishujt e vegjël të Kepit të Stillos; shkurret termomesdhetare dhe parashkretinore kryesisht në gëlqerorë, përbëjnë tipin e vegjetacionit të klasës së Quercetea ilicis; frigane endemike të aleancës Euphorbio-Verbascion, që mbulojnë sipërfaqe të vogël në kodrat e Ksamilit
Edhe fauna e parkut është e larmishme. Deri më sot, janë raportuar 5 lloje sfungjerësh (Spongia), 2 lloje echinodermatësh, 3 lloje knidarësh, 12 lloje krustacesh, 26 lloje lamelibrankesh dhe 21 lloje gasteropodësh. Mund të ketë rreth 1500-2000 lloje insektesh. Në habitatet takohen 105 lloje peshqish, që përfaqësojnë 33% të gjithë iktiofaunës së Shqipërisë. Ky park strehon 67% të amfibëve dhe 75% të llojeve të reptilëve të regjistruar në Shqipëri. Deri tani janë identifikuar 246 lloje shpendësh.
Në Butrint janë regjistruar 39 lloje gjitarësh nga 74 lloje që jetojnë në vendin tonë, ose 53% e mamalofaunës së vendit. Pjesa me e madhe e gjitarëve janë tokësorë, në habitatet pyjore dhe shkorretet mesdhetare. Rreth 32 lloje gjitarësh janë banorë të pyjeve dhe makies mesdhetare.
Habitatet detare, janë mjedise të përshtatshme për Breshkat e detit (Caretta caretta) dhe për gjitarët detarë, që dominohen nga rendi i Cetaceve. Deri më tani njihen dy llojeve Delfini, Tursiops truncatus dhe Delphinus Delphi. I vetmi lloj i gjitarëve pinipedë mesdhetarë, Foka mesdhetare (Monachus monachus), një lloj globalisht i kërcënuar dhe i klasifikuar si lloj “i rrezikuar në shkallë kritike”, është vizitor rastësor i kësaj zone litorale.
Në brendësi të parkut gjendet qendra kryesore Arkeologjike e Butrintit, ndërsa përreth saj ka edhe monumente të tjera që dëshmojnë për qytetërim mbi 3000 vjeçar. Gjithashtu në brendësi të tij dhe afër tij ka disa monumente natyre me vlera shkencore, didaktike dhe turistike.
Një kombinim fantastik i mjediseve detare, lumore, lagunore, fushor e kodrinor, ku janë mjaft të pranishme edhe elementet historike, të tillë si Kalaja mesjetare e Ali Pashë Tepelenës, e sidomos rrenojat arkeologjike të qytetit të Butrintit, me fillesat që në sh.IV p.e.s. Për këtë arsye, pjesa arkeologjike e saj, në Gadishullin e Butrintit, është shpallur pjesë e UNESCO-s, që më 1999, gjë që rrit më tej atraksionin ekoturistik.