Viti 2022 shënon 56 vjetorin e Censusit Ndërkombëtar të Shpendëve Ujor Dimërues. Ky program përfaqëson aktivitetin më të madh të shkencës së qytetarëve, që organizohet në 147 vende të botës, me qëllim numërimin e shpendëve nëpër mijëra ligatina përgjatë globit.
Përpjekjet për të zbatuar censusin e shpendëve të ujit në vendin tonë datojnë që prej vitit 1993. Megjithatë, mungesa e konsiderueshme e burimeve njerëzore në fushën e ornitologjisë, në atë periudhë, e bënte të pamundur zbatimin e metodikës së censusit, pavarësisht se rezultatet janë të pranueshme në trajtën e monitorimit të shpendëve dimërues. Zyrtarisht Censusi i shpendëve dimërues në Shqipëri ka nisur me krijimin e AKZM-së dhe zhvillohet prej këtij institucioni për të 7-tin vit rresht. Ky aktivitet zhvillohet nga Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura, në bashkëpunim të ngushtë me ekspertë, organizata jo-fitimprurëse mjedisore dhe studentë.
Në këtë proçes janë përfshirë 93 punonjës të AdZM-ve, ndarë në grupe sipas zonave e vendnumërimeve, ku u realizua Censusi, të cilët janë përfshirë drejtpërdrejt si numërues, duke u asistuar nga ekspertët e fushës. Në shkallë vendi janë përfshirë gjithsej 33 zona, ku u krye numërimi për vitin 2022. Numri i zonave, ku kryhet censusi ka ardhur gjithnjë duke u rritur. Nga 20 ligatina dhe liqene që ishin në vitin 2016 këtë vit numri ka shkuar në 33 ligatina dhe liqene.
Të dhënat e grumbulluara në vitet kanë qenë:
• Censusi i Shpendëve Dimërues 2022, u numëruan 138.494 individë dhe identifikuan 64 lloje në 33 zona;
• Censusi i Shpendëve Dimërues 2021, u numëruan 142.376 individë dhe identifikuan 64 lloje në 30 zona;
• Censusi i Shpendëve Dimërues 2020, u numëruan 150.804 individë dhe identifikuan 67 lloje në 28 zona;
• Censusi i Shpendëve Dimërues 2019, u numëruan 146.395 individë dhe identifikuan 69 lloje në 25 zona;
• Censusi i Shpendëve Dimërues 2018, u numëruan 139.069 individë dhe identifikuan 61 lloje në 21 zona;
• Censusi i Shpendëve Dimërues 2017, u numëruan 165.268 individë dhe identifikuan 64 lloje në 21 zona;
• Ndërsa në vitin 2016 u numëruan 98.564 dhe identifikuan 60 lloje në 18 zona.
Ka një lëvizje të numrit të shpendëve për arsye të ndryshimeve klimatike, ku temperaturat e ulëta nuk kanë qenë të tilla që të detyrojnë migrimin e shpendëve. Ka një stabilizim të numrit të llojeve por edhe të numrit të individëve që është mbi 138 mijë. Nëse krahasohen të dhënat e fundit të Censusit Ndërkombëtar të Shpendëve të Ujit, pra të dhënat e vitit 2022 me ato të 2016, kemi një rritje prej mbi 40.000 individësh më shumë që dimërojnë në Shqipëri, si dhe një numër prej 7 llojesh më shumë.
Ndër shkaqet kryesore që mendohet se kanë sjellë këtë numër të shpendëve dimërues të vendit tonë mund të veçohet fakti i krijimit të qetësisë në ligatinat kryesore të vendit, si pasojë e zbatimit të moratoriumit të gjuetisë. Indeksi më i lartë i biodiversitetit është llogaritur në zonat Nartë, Divjakë-Karavasta dhe Butrint. Për sa i përket diversitetit të llojeve, në krye qëndron Divjakë-Karavasta me 53 lloje, duke dëshmuar kështu mbi rëndësinë e ekosistemit ligatinor dhe habitateve të tij. Përveç kësaj, Narta dhe Kune-Vaini kanë regjistruar më shumë se 30 lloje të ndryshme të shpendëve. Kjo do të thotë se larmia e habitateve është e një rëndësie të madhe për sa i përket ofrimit të ushqimit për lloje të ndryshme të shpendëve.