Ministria e Mjedisit dhe Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura kanë finalizuar dhe një prej proceseve më të rëndësishme për Liqenin e Shkodrës, siç është dorëzimi i dosjes së nominimit pranë UNESCO-s. Ky moment përfaqëson kulmin e një pune shumëvjeçare, të ndërtuar mbi bashkëpunim shkencor, institucional dhe politik.
Liqeni i Shkodrës është një ekosistem i pasur, që mbështet një biodiversitet të jashtëzakonshëm shpendësh, duke reflektuar vlerat natyrore dhe ekologjike të zonës dhe jo vetëm.
Kjo nismë ambicioze e pozicionon vendin tonë si një aktor të angazhuar në rrjetin global të UNESCO-s për Programin “Njeriu dhe Biosfera” (MAB), duke mishëruar vizionin e Qeverisë Shqiptare për një zhvillim që respekton natyrën, njerëzit dhe trashëgiminë kulturore.