Me rastin e 9-vjetorit të Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura, u zhvilluan një sërë aktivitetesh të organizuara nga 12 Drejtoritë Rajonale të Zonave të Mbrojtura, përgjatë periudhës 1-9 shkurt.
Njohja me natyrën përmes edukimit
1 shkurt – Aktivitetet e dedikuara ditëlindjes së 9-të të Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura i nisëm me ekologët e gjimnazit “Skënderbeu” në bashkëpunim me AdZM Durrës. Zhvilluam një vizitë në Parkun Natyror “Qafështamë”, për t’u njohur me vlerat natyrore dhe potencialet ekoturistike të zonës.
2 shkurt – Në ditën Botërore të Ligatinave, specialistët e AdZM Dibër realizuan një orë mjedisore me nxënësit e shkollës “Irfan Hajrullai”, të cilët u njohën me rëndësinë e ligatinave, vlerat dhe mënyrat se si mund t’i mbrojmë ato. Në përfundimin specialistët prezantuan një ligatinë përmes një ilustrimi, duke treguar llojet bimore dhe shtazore që jetojnë në të si dhe ndërveprimet mes tyre.
Po në këtë ditë specialistët e AdZM-së Tiranë së bashku me nxënësit e shkollës 9-vjeçare “Vilë-Bashtovë”, vizituan Parkun Kombëtar “Divjakë-Karavasta”. Kjo orë e hapur në natyrë shërbeu që nxënësit të njohin nga afër zonat ligatinore dhe të identifikojnë disa prej bimëve tipike të zonës.
3 shkurt – AdZM Shkodër ka realizuar një orë të hapur mjedisore me nxënësit e shkollës “Gjergj Vat Martini” pranë Qendrës së Vizitorëve në Velipojë. Nxënësit u njohën me vlerat dhe rëndësinë e zonave ligatinore. Ata realizuan dhe një vizitë në Kënetën e Gjerdafit.
4 shkurt – AdZM Lezhë mirëpriti në Qendrën e Vizitorëve në Vain, studentët e Universitetit Bujqësorë të Tiranës. Ato u njohën me vlerat e Rezervatit Natyror të Menaxhuar “Kune – Vain – Tale – Patok – Fushëkuqe – Ishëm” si dhe me protokollet e monitorimit të jetës së egër.
5 shkurt – AdZM Gjirokastër në bashkëpunim me shkollën 9-vjeçare “Nonda Bulka” zhvilloi një orë të hapur mjedisore në Qendrën e Vizitorëve, pjesë e Parkut Kombëtar “Bredhi i Hotovës-Dangëlli”. Nxënësit u njohën me vlerat e zonave të mbrojtura, detyrat e specialistëve të AdZM-së si edhe me protokollet e monitorimit të jetës së egër në park.
Studentë të Departamentit të Gjeografisë, Universiteti i Tiranës, realizuan një pilotim kërkimor në terren me temë: “Identifikimi Gjeohapësinor i patologjive të drurëve pyjorë në Parkun Kombëtar Divjakë-Karavasta, përmes përdorimit të teknologjisë GIS/GNSS/UAV”. Nën kujdesin e punonjësve të AdZM-së Fier dhe udhëheqjen e Msc. Dritan Lloci, Prof.Asoc.Dr. Sonila Sinjari, Msc. Ornela Hasrama, Msc. Endrit Sallja, u realizua projekti në terren, për identifikimin gjeohapësinor i patologjive të drurëve pyjore në Parqet Kombëtare Ligatinore, specifikisht Parku Kombëtar Divjakë-Karavasta.
6 shkurt – Në 9-vjetorin e krijimit të AKZM-së, punonjësit e AdZM-së Lezhë janë takuar menxënësit e shkollës profesionale “Kolin Gjoka”, pranë qendrës së vizitorëve. Nxënësit u njohën me biodiversitetin e larmishëm të Zonave të Mbrojtura, si dhe vizituan lagunën përgjatë ecjes me biçikleta. Mbjellja e 100 fidanëve të llojit pishë e butë përmbylli aktivitetin e përbashkët.
7 shkurt – Në kuadër të 9-vjetorit të themelimit të AKZM-së, AdZM Tiranë në bashkëpunim me gjimnazin “Sami Frashëri”organizoi një vizitë studimore në Muzeun e Shkencave të Natyrës. Nën drejtimin e ekspertëve të muzeut, nxënësit patën mundësinë të njihnin nga afër përmbajtjen dhe dimensionet e muzeut, llojet e faunës, dhe rolin e gjallesave në mjedis.
AdZM Vlorë në bashkëpunim me Njësinë e Integrimit European në Bashkinë Selenicë zhvilluan një orë mjedisore në Nartë. Nxënësit e shkollës “Mynyr Xhindi” u njohën nga afër me pasuritë natyrore të zonës.
8 shkurt – Studentët e vitit të 3-të të degës Inxhinieri Pyjore, të Fakulteti i Shkencave Pyjore, realizuan një orë praktike në Lagunën e Vainit. Përmes stafit të AdZM-së Lezhë ata u njohën me rëndësinë e zonave ligatinore dhe biodiversitetin, përgjatë vizitës në lagunë.
9 shkurt – Nxënësit e shkollës 9-vjeçare “1 Maji” vizituan Qendrën e Vizitorëve në Berat. Ata janë mirëpritur nga stafi AdZM Berat dhe, së bashku zhvilluan një orë mjedisore. Nxënësit u njohën me funksionet e institucionit tonë, zonat e mbrojtura dhe protokollet e monitorimit të jetës së egër.
AdZM Elbasan dhe nxënësit e Shkollës së Mesme të Bashkuar “Isak Alla”, pëmbyllën javën e aktiviteteve, duke eksploruar natyrën e mrekullueshme të Fushë Studës. Aktivitetet në natyrë janë zgjidhja më e bukur për të njohur të rinjtë më vlerat natyrore, ndaj mos nguroni të eksploroni në çdo stinë, zonat e mbrojtura