“Tryeza e gjelbër”, e datës 20 shtator 2023 mirëpriti përfaqësues nga Bashkia Milano, kompaninë e shërbimeve inxhinierike MM Spa, AKM, AMBU, Bashkia Tiranë, Prefektura Vlorë, Agjencia Italiane për Bashkëpunim dhe Zhvillim, Ambasada Italiane, CESVI, organizata CELIM Shqipëri, Universiteti Bujqësor i Tiranës, përfaqësues të shoqërisë civil dhe të tjerë.
Kjo ishte tryeza e katërt, e cila tashmë është një prej aktiviteteve, të përmujashme që koncepton dhe zhvillon Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura. Në to trajtohen jo vetëm elementë specifik dhe të përgjithshëm të ekosistemeve që AKZM administron, por edhe çështje të mjediseve të tjera ujore dhe tokësore. Formati që ofron tryeza është sa profesional aq edhe miqësor.
Ekspertët e tryezës së “Menaxhimi i integruar i ujërave, praktikat më të mira nga Bashkia e Milanos” ndanë informacion mbi menaxhimin e integruar të burimeve ujore, për territore urbane dhe ato rurale, duke propozuar aplikimin e sistemeve të qëndrueshëm të kullimit urban dhe zgjidhje të mbështetura në natyrë, për ruajtjen e pasurive ujore.
Midis zonës së Milanos dhe Melenjanos, ujërat e kanalit të Vetabias janë përdorur për bujqësi, ndërsa livadhet për të tërhequr biologjikisht dhe në mënyrë natyrale ndotësit organikë, plehëruesit e tokës apo ndotjen nga zhvillimi i blegtorisë. Murgjit nga abacitë Kiaravalle dhe Viboldone mendohet të jenë themeluesit e ripërdorimit të ujërave të kanalit Vetabia në bujqësi, që prej vitit 1200.
Sistemet e qëndrueshme të kullimit urban (SUDS) kryejnë disa funksione me bazë ekologjike, duke ndihmuar në riprodhimin e ciklit natyror të ujit, përcjellë rrjedhjen e tij drejt ujërave nëntokësore në vend të kanalizimeve dhe përmirësuar cilësinë e ujit e biodiversitetit urban. Sistemi SUDS rekomandohet për mirëmbajtjen dhe ruajtjen e rrjetit ujor dhe rrjedhave ujore, duke reduktuar derdhjet e ujit në rrjet përgjatë ngjarjeve meteorike, si në sektorin e ndërtesave private, për një menaxhim efikas të rrjeteve publike.
Përmes përdorimit të këtij sistemi realizohet gjelbërimi kapilar i qytetit, nëpërmjet shndërrimit të zonave gri në zona të gjelbëra, duke i përshtatur ato për përmbushjen e funksioneve ekologjike dhe sociale të qytetarëve dhe ofruar siguri nga pikëpamja hidraulike e mjedisore. Modelet e menaxhimit të integruar të burimeve ujore që u prezantuan në tryezë, mund të përdoren nga bashki, në territoret e të cilave ndodhen besene të rëndësishme ujore të vendit tonë.