Zogjtë e detit, “sistemi” i paralajmërimit të hershëm

Dita Botërore e Zogjve të Detit, kremtohet çdo 3 korrik, duke kujtuar ditën, kur u pa për herë të fundit në vitin 1844 Auku i madh (Pinguinis Impennis). Zogjtë e detit janë grupi i zogjve që i përshtaten mjedisit detar. Shumica e tyre janë të kërcënuara nga aktivitetet njerëzore. Shkencëtarët dhe të apasionuarit pas shpendëve të detit e përkujtojnë këtë datë për të rritur ndërgjegjësimin për kërcënimet e vazhdueshme dhe ruajtjen e popullatave të shpendëve të detit, duke propozuar rregullimin e teknikave të peshkimit, aktivitetin e kontrolluar të anijeve dhe ndaluar derdhjen e naftës në det.

Në peizazhet e larmishme të vendit tonë jetojnë shumëllojshmëri shpendësh, të cilët janë një pasuri e pazëvendësueshme. Numri i tyre arrin në rreth 370 lloje, nga të cilat rreth 290 lloje janë autoktone. Lagunat bregdetare dhe liqenet e vendit tonë janë vendbanime të rëndësishme që ofrojnë kushtet e nevojshme, veçanërisht për dimërimin e shpendëve migratore. Pozicioni gjeografik, relievi dhe klima e favorshme në vend mundësojnë kushtet e përshtatshme për konservimin e florës dhe faunës.

Prej vitesh në këto mjedise hasen rreth 70 lloje shpendësh uji, me një popullatë që arrin deri në 180.000 individë gjatë dimrit. Kur vlerësojmë shpendët, kemi vlerësuar gjendjen e një ekosistemi të shëndetshëm, pasi zogjtë ndihmojnë në vendosjen e ekulibrave biologjik, duke penguar shtimin e insekteve dhe dëmtuesve të ndryshëm në një ekosistem të caktuar. Kjo pasuri natyrore ndihmon në të njëjtën kohë edhe në zhvillimin ekonomik, pasi nxit turizmin natyror, dëshirën dhe kuriozitetin për të vrojtuar sjelljet e tyre.

Bota e shpendëve krijon harmonizim ndërmjet botës njerëzore dhe asaj të shpendëve, proces i gjatë dhe i lidhur ngushtësisht me traditën folkloristike, kulturore dhe atë krijuese. Në Shqipëri gjenden rreth 91 lloje të kërcënuara në nivel global, përfshirë këtu Pelikanin kaçurrel (Pelecanus crispus), shpend që haset në lagunat shqiptare. Pelikani është një ndër shpendët më të mëdhenjë jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Evropë. Ai folezon në Lagunën e Karavastasë, gjendet në Liqenin e Prespës dhe atë të Shkodrës.

Flamingo është një ndër shpendët më të veçantë për shkak të kontrasteve të ngjyrave të tij. Mbrojtja e këtij shpendi ka rritur numrin e tij në lagunat tona. Ai folezon kryesisht në brigje dhe ishuj të ulët. Jeton në cekëtina e ujëra të njelmëta. Çafka e vogël e bardhë (Egretta garzetta) një shpend shumë elegant, gjendet në lagunën e Fllakës në Durrës, por që rrezikon të zhduket. Larushi kokëkuq (Lanius senator) shpendi elegant gjendet në Bashtovë. Gargulli (bletëngrënësi) (Merops apiaster) gjendet në Kune-Vain. Gushëkuqi (Erithacus rubecula) gjendet në Parkun Kobëtarë Divjakë-Karavasta.

Kur zogjtë udhëtojnë, ata marrin me vete farat që kanë ngrënë dhe i shpërndajnë përmes jashtëqitjeve të tyre. Ata i kthejnë bimët në ato ekosisteme që janë dëmtuar apo shkatërruar; dhe i bartin ato përtej detit në mbarë botën. Nga teknologjia e fluturimit, deri në shpikje të tjera, njerëzit kanë marrë frymëzim nga zogjtë për shekuj me radhë. Ata janë lajmëtarët që na tregojnë për shëndetin e planetit Tokë, pasi reagojnë shumë shpejt ndaj ndryshimeve në mjedis. Zogjtë e detit janë ‘sistemi’ ynë i paralajmërimit të hershëm për ndryshime, siç është ndryshimi i klimës.

Previous Nisma më e re e AKZM-së, “Tryeza e Gjelbër”

NA NDIQNI

Facebook: Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura
Instagram: @akzmalbania
Twitter: @akzmalbania

NA KONTAKTONI

E-mail: Info@akzm.gov.al
Adresa: Bulevardi “Dëshmoret e Kombit” Nr.1,1001,Tirane
Orari
E hënë – E enjte 08:00 – 16:30
E Premte 08:00 – 14:00

MINISTRIA E TURIZMIT DHE E MJEDISIT

ZBULO MË SHUMË PËR AKZM