Rezervat Natyror i Menaxhuar “Polis”, pjesë e Qarkut Elbasan, me Vendimin e Këshillit të Ministrave nr. 60, datë 26.1.2022 u miratua ndryshimi i sipërfaqes së ekosistemit natyror “Polis”, shpallur “rezervat natyror i menaxhuar” (kategoria IV e zonave të mbrojtura), nga 45 ha në 45.1 ha.
Mali i Polisit shtrihet nga gryka e Shkumbinit, në veri deri në Sopot e Shpellë në jug. Dallohet për relievin tepër kompleks nga ana morfografike, morfometrike dhe morfogjenetike. Mbizotërojnë lartësitë mbi 1,000m. Përbëhet kryesisht nga gëlqerorët që formojnë një strukture sinklinale të çrregullt dhe shkëmbinjtë magmatikë. Në pamje të përgjithshme ka formën e një pllake të madhe gëlqerore të valëzuar dhe tepër të copëtuar, të rrethuar nga të gjitha anët prej shpatesh të thepisura. Në pjesën juglindore, morfografia është shumë më e thjeshtë, ka formën e një kreshte herë të sheshtë dhe herë të mprehtë. Ndër gropat më të mëdha dallohet e Malit Plak (1,560m) dhe e Sopotit.
Bimësia e Malit të Polisit, për shkak të zhvillimit të karstit, në kreshtën e tij është e varfër, dhe në zonat me lagështi përbëhet kryesisht edhe nga Ahishtet, që veshin shpatet. Kreshta është e veshur me kullota të mira subalpine dhe alpine, liqene akullnajore, kanione, ujëvara, guva, maja etj.
Sipërfaqja e zonës së mbrojtur është shumë e vogël, kryesisht me pyje Ahu e pishnaja. Takohen edhe bimë endemike dhe subendemike, si Ylli i alpeve. Zona përbën një bërthamë dhe biokorridor shumë të rëndësishëm për gjitarët e mëdhenj, si: Ariu (Ursus arctos), Ujku (Canis lupus), Rrëqebulli (Lynx lynx), Dhia e egër (Rupicapra rupicapra), Kaprolli (Capreolus capreolus) etj. Konsiderohet edhe si zonë e rrugëkalimit të shpendëve shtegtarë rrëmbyes.
Rajoni i Polisit përfaqëson një Ahishte dhe mendohet të jenë të pranishëm 4 tipe habitati natyror; nuk ka lloje të rëndësishëm floristik dhe nga llojet faunistike, që frekuentojnë zonën, mendohet: 1 lloj, Të rrezikuar, 8 lloje, Thuajse të rrezikuar, 6 lloje, Vulnerabile, 34 lloje, Jo të shqetësuar, 1 lloj, Nuk ka të dhëna dhe 9 lloje, Jo në listën e IUCN-s.