Bredhi i Sotires

Bredhi i Sotirës

Bredhi i Sotirës, pjesë e Qarkut Gjirokastër, me Vendimin e Këshillit të Ministrave nr. 60, datë 26.1.2022 u miratua ndryshimi i statusit dhe sipërfaqes së ekosistemit natyror “Bredhi i Sotirës”, nga “monument natyror” (kategoria III e zonave të mbrojtura) në “park natyror” (kategoria IV e zonave të mbrojtura), me sipërfaqe nga 1 740 ha në 4 927.67 ha. Bredhi i Sotirës ishte Monument Natyre, Kategoria III (IUCN), u miratua për herë të parë me VKM nr. 102, datё 15.01.1996 dhe përbёhet nga: Pyje, Shkurre dhe Tokё me bimёsi pyjore (1,600ha) dhe Sipёrfaqe joprodhuese, Shkёmbore(140ha).

Shtrihet në shpatet verilindore, të Malit të Stugarës, në pellgun ujëmbledhës të përroit të Sotirës, degë e majtë e lumit të Drinos; nga rreth 550-1,806 m mbi nivelin e detit si dhe në veriperëndim, të Malit të Murganës. I gjithë relievi ka formën e një hinke me fund në fshatin e Sotirës.

Pozicioni në jug të vendit, në reliev mjaft të thyer, në të cilin gërshetohet ndikimi i klimës mesdhetare me atë malore, dhe larg rrugës kombëtare e bën vend mjaft të qetë, me biodiversitet të lartë të habitateve dhe të llojeve.

Dallohet për shoqërimin bimor të Junglo-Plantanetum orientalis, i shoqëruar nga llojet Crataegus monogyna, Rubus ulmifolius, Sanguisorba minor etj. Shoqërim interesant dhe mbizotërues mbetet Abies borisii-regis (Huetio-Abietum), i cili, përbën një pyll relikt, që dikur ka veshur gjithë pjesën jugore të vendit në lartësitë mbi 1,000m.

Bredhi i Sotirës është shpallur ZM për shkak të bimësisë së veçantë që mbulon shpatet e maleve të Stugarës dhe Murganës. Mbulesa kryesore e zonës së mbrojtur janë pylli i Bredhit të Maqedonisë (Abies borisii-regis) dhe Gështenjës së butë (Castanea sativa). Pavarësisht këtyre, sipërfaqe të konsiderueshme në zonë mbulojnë pyjet shkurrore gjithmonë të gjelbër, të dominuar nga Prralli, Ilqja si dhe pyjet e përziera me Cërmëdell, Shkozë, Blin, Panjë etj.

Në zonën e bredhit gjenden edhe drurë të Pishës së zezë, duke përfunduar në vijën ndarëse me kullotat, ku gjenden edhe drurë të rrallë të Ahut, të cilët përbëjnë edhe skajin më jugor të përhapjes së tij në Shqipëri.

Në territorin e PN janë evidencuar: 9 tipe habitatesh natyror, 4 lloje, floristike të rëndësishme, 2 lloje, endemike, 1 lloj, të Aneksit IV, të Direktivës së Habitatit dhe 1 lloj, të Listës së Kuqe të IUCN-s. Në shpatet shkëmbore gëlqerore të përroit të Murganës gjenden edhe drurë të rrezikuar globalisht si Gështenja e egër (Aesculus hippocastanum). Ndër llojet e tjera me interes ruajtje në zonë përmenden Manushaqia e Epirit (Viola epirota), Kokoçeli i Epirit (Centaurea epirota) dhe rreth 10 lloje saleporesh.

Gjithashtu, janë evidencuar llojet faunistike të Listës së IUCN-s, ku: 1 lloj, Të rrezikuar, 9 lloje, Thuajse të rrezikuar, 8 lloje, Vulnerabile, 46 lloje, Jo shqetësuar, 2 lloje Nuk ka të dhëna dhe 11 lloje, Jo në listën e IUCN-s.

NA NDIQNI

Facebook: Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura
Instagram: @akzmalbania
Twitter: @akzmalbania

NA KONTAKTONI

E-mail: Info@akzm.gov.al
Adresa: Bulevardi “Dëshmoret e Kombit” Nr.1,1001,Tirane
Orari
E hënë – E enjte 08:00 – 16:30
E Premte 08:00 – 14:00

MINISTRIA E TURIZMIT DHE E MJEDISIT

ZBULO MË SHUMË PËR AKZM