Korab-Koritnik

Korab – Koritnik

Parku Natyror “Korab – Koritnik”, me Vendimin e Këshillit të Ministrave nr. 60, datë 26.1.2022 u miratua ndryshimi në sipërfaqe të ekosistemit natyror “Korab – Koritnik”, shpallur me status “park natyror” (kategoria IV e zonave të mbrojtura), nga 55 550.2 ha në 53 850.00 ha.

Përfaqëson një zonë me sipërfaqe shumë të madhe dhe ndodhet në vargun malor të Korabit, midis lumenjve Drini i Zi dhe Drini i Bardhë, në lartësitë nga rreth 800m në 2,754m (maja e Korabit) si dhe në kufi me shtetet fqinje, Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut. Është vargu malor më i lartë, më kompakt dhe me reliev më të larmishëm në vendin tone, ku ndërthuren forma dhe mbetje të relievit të periudhave apo etapave të ndryshme të këtij evolucioni.

Përfaqësohet nga një masiv malor, tipik alpin, sidomos në pjesën veriore, kurse në atë jugore relievi është disi më i zbutur. Gjithashtu, rrjeti ujor është i pasur me lumenj, përrenj dhe liqene karstike, habitate këta mjaft të përshtatshëm edhe për një numër të madh amfibësh, reptilësh e peshqish.

Vargu është formuar në horstin e madh midis grabenit të Drinit të Zi, në perëndim dhe të Pollogut, në lindje. Ka ndërtim luspor e bllokor, të shprehur në reliev, rezultat i ndërthurjes së regjimit të lëvizjeve neotektonike në ngjeshje me ato në tërheqje, që krijuan shkëputje të shumta tektonike në trajtë harkore, që ndërpresin strukturat e tij kryq e tërthor, duke e ndarë atë në blloqe dhe luspa të veçanta, që kanë hipur mbi njëra-tjetrën.

Lartësitë në këtë varg malor ndryshojnë nga rreth 400-500m në mbi 2,750m. Lartësitë rriten nga perëndimi në lindje, ku ndodhen edhe majat më të lara (Korabi 2,754m, Portat e Korabit 2,725m etj.).

Kurrizi malor Koritnik-Gjallicë, karakterizohet nga një reliev mjaft i ashpër, që bën kontrast të theksuar me pllajën e lartpërmendur. Përbëhet tërësisht nga gëlqerorë dhe shtrihet ndërmjet Bicajt, në jugperëndim dhe Zhurit të Prizrenit, në verilindje. Lartësimi i menjëhershëm i këtij kurrizi dhe shtrirja e pellgut tektoniko-eroziv të Kukësit nga veriperëndimi dhe e depresioneve të kontaktit nga juglindja kanë nxjerrë në reliev një kurriz malor tipik alpin.

Gryka e Vanave (mbi 300 m thellësi), e formuar nga Lumi i Lumës e ndan kurrizin në dy male të veçanta, Koritnikun dhe Gjallicën. Koritniku, me lartësi 2,392 m (Maja e Pikëllimës) shtrihet midis Grykës së Vanave dhe Zhurit të Prizrenit. Në jugperëndim bie thik në Grykën e Vanave, kurse nga verilindja, duke filluar nga Maja e Pikëllimës, ulet gradualisht me një rieliv karstik. Dy cirqe akullnajore i kanë dhënë Majës së Pikëllimës një formë piramidale. Në shpatin veriperëndimor janë formuar dy shkallë të qarta, me lartësi 1,200-1,300m, dhe tjetra me lartësi 500-600m në kontaktin midis gëlqeroreve dhe efuziveve (fshati Pobreg e Bardhoc). Shpati juglindor bie pjerrtas mbi pragun litologjik të Zapodit dhe luginën e përroit të Orgjostit.

Mbulesa bimore e malit të Koritnikut përfaqësohet kryesisht nga Rrobulli, në shpatin juglindor, dushqet dhe Ahu në shpatin veriperëndimor (1,800-2,000m). Mbi këtë lartësi shtrihen kullota alpine.

Në territoret e ndërtuara nga gipsi ka forma karstike, ndërsa në lartësitë mbi 1,400-1,600m mbizotëron relievi relikt akullnajor, me cirqe, shpatullime, lugje etj. Në këtë varg malor dallohet pllaja e Shishtavecit e malet përreth saj dhe vargu Korab-Deshat, të ndara lugu akullnajor i rrafshit të Korabit, i cili ndan malin e Serakolit nga i Korabit.

Pllaja e Shishtavecit e malet përreth, fillon me Malin e Koritnikut (2,395m), që vijon me Malin e Gjallicës (2,486m), të cilët ndahen nga Gryka e Vanave, nëpër të cilën Lumi i Lumës hyn në gropën e Kukësit. Mali i Kolesjanit (2,051m) shtrihet në jug të Gjallicës dhe ndahet prej tij nga gryka e Bicajt. Në vazhdimin juglindor lartësohet mali i Serakolit (2,119m), i Kallabakut (2,175m) dhe i Tërfojës. Midis këtyre maleve shtrihet pllaja e Shishtavecit (1,3001,700m), që vijon edhe jashtë kufirit shtetëror. Është e gjatë rreth 15km (brenda kufirit shtetëror) dhe e gjerë 11km. E përbërë nga rreshpet, në përgjithësi, ka reliev shumë të copëtuar nga degët e lumit të Lumës. Në pjesën më të lartë juglindore të kësaj pllaje ka forma akullnajore.

Gjallica, që shtrihet më në jugperëndim, ngrihet menjëherë në formën eliptike, deri në lartësinë 2,484m. Pjesa kulmore formon një kreshtë të mprehtë, që bie thikë mbi Grykën e Vanave, në verilindje dhe mbi Bicajt, në jugperëndim. Shpati veriperëndimor formon një rrëpirë thyerje madhështore mbi pellgun e Kukësit, me lartësi afro 2,000m. Kurse shpati juglindor, bie më butë në depresionet e kontaktit të Topojanit e Tërshanës si dhe lidhet gradualisht me pllajën e Shishtavecit. Në ndryshim nga Mali i Koritnikut, cirqet akullnajore këtu janë ruajtur shumë pak, për shkak të pjerrësisë së madhe të shpateve.

Në jug të Gjallicës shtrihet Mali i Kolesianit, që në pjesën dërmuese përbëhet prej rreshpesh të paleozoit dhe pjesërisht nga gëlqerorë të mesozoit. Pjesa kulmore është shumë e butë, kurse shpatet janë mjaft të mprehta, derisa formojnë rrëpira tektonike në gëlqerorët e pjesës së poshtme të tyre. Shtrirja e malit midis luginës së Drinit të Zi, në perëndim, dhe dy degëve të djathta të luginës së Bushtricës dhe të Bicajt, e kanë veçuar mjaft qartë nga mjedisi rrethues.

Mali i Serakolit, shtrihet në jug të pllajës së Shistavecit, i ndarë nga lugina Përroit të Çajës (Bushtricë), i përbërë gati tërësisht nga rreshpe dhe me strukturë luspore e bllokore. Ka një formë të përzgjatur me drejtim veriperëndim-juglindje, midis luginës së Bushtricës, në veri dhe të Veleshicës, në jug. Mali i Serakolit ndahet në dy pjesë, pjesa juglindore, që përfaqëson relievin më të lartë (Kulla e Zyberit, 2,372m), dhe pjesa veriperëndimore, që ulet menjëherë në luginën e Drinit të Zi. Shpati verior, midis Sarakolit e Kullës së Zyberit, është modeluar nga cirqe akullnajore, kurse në juglindje bie pjerrtas mbi luginën e Veleshicës. Vargu Korab-Deshat, ka përbërje më të larmishme litologjike. Këtu dalin gëlqerorët e mermerizuar, tepër të qëndrueshëm. Mali i Korabit (2,754m) ku dallohen tri kreshta kryesore, që ndahen nga gropa dhe lugje kontakti: e Panairit, e Staneve të Preshit dhe Bjeshka e Shehut. Mali i Deshatit, i përbërë nga gëlqerorë dhe terrigjenë, ku kulmojnë maja e Velivarit (2,374m) dhe Kërçinës (2,325m).

Kreshta tjetër e këtij vargu është Porta e Korabit, e cila ndahet nga maja e Korabit, prej qafës me të njëjtin emër (2,475m lartësi). Kjo kreshtë, ndan gropën e Staneve të Preshit, në verilindje nga e Bjeshkës së Shehut, në jugperëndim.

Në jug Korabi vazhdon me Malin e Gramës (2,345m), dhe në jugperëndim arrin në formë të ngushtuar mbi qytetin e Peshkopisë. Mali i Gramës, nga ana strukturore, përfaqëson një luspë të fuqishme efu-zivo-sedimentare të hipur mbi gipset deri në 15-20 km. Në drejtim të malit të Gramës, kurrizi ulet dhe bëhet më i butë, sepse gëlqerorët i lënë vendin rreshpeve. Shpati perëndimor bie mjaft pjerrët në shpatullën akullnajore të Bjeshkës së Zonjave, midis Malit të Bardhë e të Gramës. Kjo shpatullinë është formuar në kontaktin tektonik të rreshpeve me gipset e Malit të Bardhë dhe përbën një prag litologjik.

Mali i Deshatit, mbyll përfundimisht këtë varg malor. Përbëhet kryesisht nga flishe, ndërsa gëlqerorët formojnë vetëm majat më të larta të tij. Ka një formë të përzgjatur dhe ngushtohet gradualisht, derisa përfundon në Grykën e Radikës (jashtë kufirit). Kurrizi i tij është relativisht i butë, me përjashtim të majës së Velivarit (2,374m) dhe të Kërginës (2,325m), ku dalin shkëmbinj gëlqerorë. Shkallëzimi vertikal i bimësisë fillon me katin e Dushkut, që shtrihet nga 400-1,100m dhe përbëhet nga llojet Qarr, Bungë, etj.

Kati i Ahut i përqendruar në disa sektorë të këtij vargu, ka shpërndarje mjaft të çrregullt. Shtrirjen më të gjerë e ka në Malin e Kolesianit, ku formon pyje të dendura, pastaj në Malin e Koritnikut (shpati veriperëndimor e juglindor) dhe të Deshatit (midis Gramës e Velivarit). Në malet e tjera Ahu formon areale mjaft të ngushtë ose zëvendësohet nga Pisha e zezë (Pinus nigra), si në Malin e Bardhë. Ahu shtrihet midis 1,300-1,900m lartësi, veçse mbi lartësinë e 1,800m përgjithësisht takohet në gjendje të degraduar. Në këtë kat rritet edhe pylli i Mështeknës, (Betula verrucosa) që ndodhet në pllajën e Shishtavecit, midis fshatrave Turaj dhe Shishtavecit, në lartësinë 1,300-1,800m. Pylli i Mështeknës, në Shishtavec, përbën arealin më të madh në vendin tonë.

Në Malin e Koritnikut dhe të Gjallicës (në lartësinë 1,800-2,000m), sidomos në rrëpirat gëlqerore, shtrihet një brez mjaft i zhvilluar i Rrobullit (Pinus Heldreichii).

Kati i kullotave alpine, shtrihet në lartësitë 1,800-2,700m, të cilat janë mjaft të pasura dhe formojnë një rezervë të madhe kullotash verore. Të njohura janë sidomos kullotat e Shishtavecit, Korabit dhe Deshatit.

Në livadhet nën-alpine dhe alpine mbizotërojnë llojet: Sesleria aumnalis, Seslerietum comosae, Festuca valesiaca, dhe Festucetum paniculatae. Livadhet alpine janë të pasura me lloje të rralla dhe endemike si: Primula halleri, Juniperus foetidissima, Aconitum lamarckii, Trifolium wetsteinii, Ranunculus degenni, Ranunculus wettssteinii.

Po kështu në livadhet gjenden kryesisht: Dëllinja e zezë (Juniperus communis), Boronica (Vaccinum myrtillus), Potentilla erecta, etj. Gjithashtu, edhe bimët më të zakonshme mjekësore si: Gentian (Gentiana lutea), Hithra (Urtica dioica), Rigoni (Origonum vulgare), Trumza (Thymus serpyllum), Trifoli (Trifolium campestre), Trëndafili qeni (Rosa canina), Sherebela (Salvia officinalis), etj.

Shpatet malore janë të mbuluara me pyje Ahu (Fagus sylvatica), Pishë e zezë (Pinus nigra), Mështeknë (Betula verrucosa), Bredhi i Bardhë (Abies alba), Rrobulli (Pinus heldreichii ssp. Leucodermis), Hartina (Pinus peuce), Vërriu i Zi (Alnus glutinosa), si dhe pyjet me Quercus cerris, Quercus petraea, Quercus pubescens, Carpinus orientalis, Quercus trojana, Acer campestre, Pyrus amygdaliformis, Ruta graveolens, Acanthus balcanicus etj.

Në zonën Korab-Koritnik gjenden 37 lloje gjitarësh. Mishngrënësit e mëdhenj përfaqësohen nga Ariu murrmë (Ursus arctos), Ujku (Canis lupus), Rrëqebulli (Lynx Lynx). Gjithashtu, hasen edhe gjitarë të tjerë si Dhija e egër (Rupicapra rupicapra), Kaprolli (Capreolus capreolus), Derri i egër (Sus scrofa), Lutra lutra, Lepus europaeus, Sciurus vulgaris, Apodemus sylvaticus, Martes martes, Meles meles, Mustela nivalis, etj. Lakuriqët janë gjithashtu të pranishëm si: Rhinolophus blasii dhe Myotis cappaccinii.

Llojet më të rëndësishme të shpendëve janë: Aquila chrysaetos, Tetrao urogallus, Falco peregrinus, Accipiter gentilies, Buteo buteo, Accipiter brevipes, Bubo bubo, Buteo rufinus, Falco biarmicus, Bonrast Tetrastes, Accipiter nisus, Hieraaetus fasciatus, Pernis apivorus, Neophron percnopterus, Circaetus gallicus, Tyto alba, etj.

Zvarranikët më të zakonshëm tokësorë janë: Coluber gemonensis, Elaphe situla, Elaphe longisima, Natrix natrix, Natrix tesselata, Vipera ursini, Vipera amodytes, Zootoca vivipara, Lacerta vivipara, Lacerta trilineata dhe Podarcis taurica.

Ekosistemi natyror është i pasur me burime ujore, përfshirë lumenj, përrenj dhe liqene natyralë me ujë të pastër dhe kryesisht status natyror të shtratit të lumenjve dhe brigjeve. Këto sigurojnë habitatet për një numër lloje amfibësh dhe peshqish. Llojet më të zakonshme të amfibëve janë: Rana balcanica, Salamandra salamandra, Lissotriton vulgaris, Triturus vulgaris, Triturus cristatus, Bombina variegate, Bufo viridis, Hyla arborea, Rana dalmatina, Rana graeca dhe Rana temporaria.

Në liqene, pellgje dhe lumenj të zonës llojet kryesore të peshkut me ujë të ëmbël janë: Salaria fluvialis, Cottus gobio, Cobitis sp., Nemachelius sp., Anguilla anguilla, Alburnus alburnus, Chondrostoma sp., Gobio sp., Leucis cuscephalus, Pseudorasbora parva, Rutilus sp. dhe Trofta (Salmo sp.).

Bazuar në përditësimet e fundit (Nëntor 2019) në territorin e RNM/PN “Korab-Koritnik” janë evidencuar: 27 tipe habitatesh natyror (sipas Listës së Habitateve të NATURA 2000, prej të cilave 5 tipe habitatesh janë të listuara si prioritare), 34 lloje, floristike të rëndësishme, 22 lloje, endemike, 5 lloje, të Aneksit IV, të Direktivës së Habitatit dhe 4 lloje, të Konventës së Bernës. Interesante ёshtё gjithashtu edhe bimësia shkëmbore dhe e çakëllishteve apo zonave pranë dëborës. Në këtë zonë vërehet një larmi e jashtëzakonshme e florës; ajo ёshtё e pasur jo vetëm në numër, por edhe me mjaft taksone endemike, subendemike, ballkanikë, shumica e të cilave pjesë e listave të kuqe.

Gjithashtu, janë evidencuar llojet faunistike të Listës së Kuqe të IUCN-së, si: 8 lloje, Thuajse të rrezikuar, 7 lloje, Vulnerabile, 60 lloje, Jo shqetësuar, 2 lloje, Nuk ka të dhëna dhe 19 lloje, Jo në listën e IUCN-s.

NA NDIQNI

Facebook: Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura
Instagram: @akzmalbania
Twitter: @akzmalbania

NA KONTAKTONI

E-mail: Info@akzm.gov.al
Adresa: Bulevardi “Dëshmoret e Kombit” Nr.1,1001,Tirane
Orari
E hënë – E enjte 08:00 – 16:30
E Premte 08:00 – 14:00

MINISTRIA E TURIZMIT DHE E MJEDISIT

ZBULO MË SHUMË PËR AKZM