Dajt

Mali i Dajtit

Parku Kombëtar i Malit të Dajtit ndodhet në verilindje të Tiranës. Me Vendim të Këshillit të Ministrave nr.59, datë 26.01.2022 “Malit i Dajtit”, shpallur “park kombëtar” (kategoria II), është 28 561.85ha. Ai zë një sipërfaqe prej 3,300 ha të rrafshnaltës së Dajtit. Ky park tërheq shumë vizitorë dhe është një vend i përshtatshëm për piknik familjar, sporte, lojëra si dhe aktivitete të tjera interesante.

Parku është i vendosur në pjesën qendrore të vargmalit Krujë-Dajt, me një gjatësi rreth 30km e gjerësi 10-15km. Shtrihet prej grykës së Skoranës, në pjesën jugperëndimore, deri në Malin e Palmoit të madh, në verilindje. Kufijtë e parkut lidhen me Krujën, në veriperëndim dhe me Matin, në verilindje e lindje. Kufijtë natyrorë të parkut janë formuar nga dy zona tektonike të quajtura Krasta-Cukali dhe Krujë-Dajti, secila me një strukturë dhe litologji të ndryshme. Vargmali Priskë-Dajt-Brrar-Gamt-Fravesh formon kufirin perëndimor, ndërsa Xibër-Malin me Gropa formon kufirin lindor. Pjesa perëndimore e parkut dominohet nga Mali i Dajtit, që vazhdon prej Malit të Fraveshit deri në grykën e Skoranës.

Format tipike të relievit strukturor janë edhe rrëpirat litologjike dhe tektonike. Rrëpirat janë karakteristike për shpatet veriperëndimore dhe veriore dhe majat e shkëmbinjve gëlqerorë. Rrëpirat e tjera ndodhen mbi pjerrësitë Veriore të Malit të Fekenit (1,337m) dhe mbi kulmet e Malit Derje (1,308m), Marica (957m), Ruja (1,122m) etj.

Sasia e madhe e reshjeve në kombinim me shkëmbinjtë terrigjen të papërshkueshëm, çon në një rrjet të dendur të honeve, përrenjve dhe lumenjve. Lumenjtë Erzeni, Tirana dhe Tërkuza e kanë origjinën e tyre në pjesën Lindore të parkut. Burimet ujore më të rëndësishme janë Selita, Shënmëria dhe Pëllumbasi. Ujërat nëntokësore dalin në sipërfaqe në pjesë të ndryshme brenda parkut, në formën e burimeve ujore që e kanë gjithashtu origjinën e tyre në masivet malore karstike, veçanërisht prej Malit me Gropa. Brenda territorit të parkut ka edhe disa rezervuarë artificialë si Bovilla, Skorana, Shupali, Beshi e Linza.

Në territorin e parkut janë identifikuar në total 991 lloje bimësh enëzore. Në masivin Dajt-Mali me Gropa janë evidentuar vetëm 4 lloje endemike bimore: Lulekambanë e Skënderbeut, Presja e Margrafit, Lulekambana e Korabit dhe Thlaspi shqiptar.

Vegjetacioni dominohet nga pyjet gjethegjerë. Këndvështrimi vertikal ka katër breza të dallueshëm fito-klimatik:

  • Brezi i Pyjeve dhe Shkurreve Mesdhetare, kryesisht me lloje drurësh dhe shkurresh gjithmonë të gjelbërt;
  • Brezi i Pyjeve të Lisit, me llojet Lis gjethegjerë si: Shparthi, Qarri, Bunga, dhe Quercus trojanae ose faza të degraduara të pyjeve të lisit si: Shkoza e zezë, Shkoza e bardhë, Frashëri i bardhë (Dëllinja e kuqe, Shelgu i zi, Kulumbria, Dardha e egër, Driza, Mersinë, Marre, Shqopa, etj. Ky brez lokalizohet midis brezit të Pyllit dhe Shkurret Mesdhetare dhe Brezit të Pyllit të Ahut, Frashëri, Vidhi, Plep i bardhë;
  • Brezi i Pyjeve të Ahut, dominuar nga lloji Ahut, Pisha e zezë, Gështenja, Rrobulli etj;
  • D.Brezi i Kullotave Alpine ose i kullotave malore mesdhetare, të cilat janë kryesisht të lokalizuara në pjesën Lindore parkut.

Ndër bimët mjekësore janë: Dëllinja e zezë, Sherebela, Lule bliri, Trumza, Trëndafili i egër, Aguliçja, Lule shtogu, Salepi, Lule basani, Hithra, Kokrrat e shtogut, Rigoni, Bar pezma, Njëmijë gjethëshe, Lule kamomili, Thundërmushka, Kulumbria, Mëllaga, Zhumbricat, Shpatorja e shumë të tjera. Po kështu, gjenden Gështenja, Arra, Lajthia, Molla e egër, Thanat, Kërpudhat, Luleshtrydhet, Manaferra, etj.

Përbërja llojore e faunës së parkut karakterizohet nga shumëllojshmëria jo vetëm përsa i përket grupeve faunistike, por edhe në nivelin e numrit të madh të llojeve, të cilat e cilësojnë parkun si përfaqësues të një ekosistemi shumë të rëndësishëm dhe të pasur, me rreth 668 lloje. Klasa e insekteve janë identifikuar 426 lloje. Herpetofauna e hapësirës së parkut është shumë e pasur dhe relativisht e mbrojtur mirë. Gjenden 12 llojeve Amfibësh dhe 25 lloje Zvarranikësh.

Në park janë identifikohen 122 lloje të Shpendëve. Numri i llojeve në park vlerësohet se 77 lloje janë të përhershëm, 21 lloje janë dimëruese, 38 veruese dhe 7 lloje janë shtegtare. 84 lloje ose 59% e shpendëve të parkut janë të lidhur me pyjet, ndërsa 59 lloje ose 41% konsiderohen si shpendë jopyjorë, 108 lloje janë të njohur si shpendë folezues. Në terrenet fushore janë lokalizuar: Korbi, Laraska, Shkurta, Mëllenja, Harabeli, Çerri, Laureshat, Gushëkuqi, dhe shumë lloje trishtilash.

Gjitarët përbëjnë një nga grupet më të përfaqësuar në park dhe janë identifikuar 43 lloje, ku përfshihen edhe pyjet: Ariu i Murrmë, Ujku, Derrin e egër, Dhelpra, Kunadhja, Baldosa, Lepuri, Ketri, Iriqi, Lundërza, si lloj i rrallë dhe i kërcënuar; disa lloje lakuriqësh nate etj.

Në territorin e parkut janë evidencuar 8 tipe të habitateve natyrore, 11 lloje, floristike të rëndësishme.

NA NDIQNI

Facebook: Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura
Instagram: @akzmalbania
Twitter: @akzmalbania

NA KONTAKTONI

E-mail: Info@akzm.gov.al
Adresa: Bulevardi “Dëshmoret e Kombit” Nr.1,1001,Tirane
Orari
E hënë – E enjte 08:00 – 16:30
E Premte 08:00 – 14:00

MINISTRIA E TURIZMIT DHE E MJEDISIT

ZBULO MË SHUMË PËR AKZM